Një kompani turke e interesuar për të investuar në Malishevë
Komunën e Malishevës e ka vizituar drejtori i TEB-it në Kosovë, Orcun Ozddenir, dhe biznesmeni turk, pronar i kompanisë “Sev Triko”, Ysuf Eldeleklioglu, të cilët janë pritur nga kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, ndërsa në këtë takim ishte i pranishëm edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti.
Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me mundësitë dhe kushtet që ofron Malisheva për investimet e huaja, përkatësisht investimin nga një kompania turke që merret me tekstil dhe prodhon linja tekstili për firmat e njohura të veshjeve.
Në këtë takim, kryetari Begaj i ka njoftuar me mundësitë që i ofron komuna e Malishevës për investime dhe gatishmërinë e komunës për të ofruar lehtësira për të gjithë ata që duan të investojnë në këtë qytet.
Edhe deputeti Enver Hoti i ka njoftuar me mundësitë që ofrohen në vendin tonë për investime, ku sipas tij Kosova e ka të rregulluar infrastrukturën ligjore për investime dhe ofron shumë mundësi.
/Epoka e re/