Një korbi dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar
PETRIT HALILAJ
Teksti kuratorial nga Manuel Borja-Villel, kurator i ekspozitës dhe njëherit drejtor i Muzeut Reina Sofia, Madrid, Spanjë
Vepra e Petrit Halilajt (Kostërrc, Skënderaj, Republic of Kosovo, 1986) është e lidhur ngushtë me biografinë e tij, me historinë e vonshme të vendit të tij dhe me pasojat e tensioneve politike dhe kulturore në rajon. Kujtimet e fëmijërisë të zhytura në dramën e luftës dhe të jetës si refugjat shfaqen e rishfaqen në artin e tij, i cili përqafon temat sikur shtëpia, kombi dhe identiteti kulturor përmes mediumeve të llojllojshme që përfshijnë vizatimin, skulpturën, videon, instalacionet dhe madje shkrimin. Sidoqoftë, ai nuk pandeh një shkeputje mes personales dhe intimes dhe mes historikes e sociales, por në vend të asaj percepton një marrëdhënie dhe vazhdimësi që mund të gjendet në intervenimin e tij për Palacio de Cristal
Mbase kjo është arsyeja përse është ftuar me gjysmëshaka dhe gjysmëseriozisht ta prodhojë “veprën jetësore” për këtë shfaqje, e cila është ekspozita e tij e parë personale në Spanjë. Duket se Halilaj e ka marrë këtë propozim thuajse tekstualisht, duke bërë material artistik nga përvoja e tij biologjike. Ai e ka shndërruar ‘Pallatin e Kristaltë’ në një fole gjigante që lidh pjesën e brendshme me atë të jashtmen, duke bashkuar vizitorët me mjedisin rreth tyre me vendosjen e dritareve, instalimin e strukturave dhe vendosjen e hapësirave ushqyese për t’i joshur zogjtë dhe krijesat e tjera që gjëllijnë në Parkun Retiro ose që kalojnë përmes tij. Si veçori e përsëritur në veprën e tij, zogjtë simbolizojnë kapërcimin e kufijve që mendimi bashkëkohor ka vënë mes subjektit dhe objektit, mes kulturës dhe natyrës. Në veçanti, artisti është frymëzuar nga ritualet e jashtëzakonshme të çiftimit të zogjve të tendës (bowerbirds), të cilët ndërtojnë struktura të ndërlikuara (‘tenda’) dhe i zbukurojnë me gjësende shumëngjyrëshe për ta joshur partnerin e çiftimit. Ideja e këtij rituali lidhet ngushtë me biografinë e tij. Lulet e mëdha që zbukurojnë folenë, të punuara nga një kornizë delikate e çeliktë dhe me pëlhurë të ngjyrosur, janë rezultat i punës së përbashkët me partnerin e tij të jetës Álvaro Urbano. Përzgjedhja e tyre përbën një pjesë të historisë personale që i ndërlidh me njëri-tjetrin, dhe qëllimi i saj është ta kremtojë lidhjen e tyre: boshtra, farat e palmës, lulja e qershisë, lulëkuqja, karafili dhe zambaku. Megjithatë, këto referenca janë larg prej të qenit thjesht anekdota. Duke u bërë publik, intimiteti i ture merr një përmasë të qartë shoqërore dhe politike. Kjo thirrje për dukshmëri dhe pranim bëhet edhe më relevante kur kujtojmë të kaluarën koloniale të Palacio de Cristal si vend ekspozimi dhe përjashtimi, bashkë me funksionin e tij si hapësirë publike.
Sa i përket kësaj, është themelore për artistin t’i formulojë tensionet dhe t’i kalojë kufitë mes shfaqjeve publike që konsiderohen se janë të pranueshme ose se meritojnë vëmendje dhe ato që censurohen dhe përbuzen. Korbi i bardhë që mban një copë druri në Historia e një Përqafimi (2020) flet për këto konvenca. Ai në mënyrë specifike hedh fjalën te një çast i veçuar në historinë e familjes së Halilajt, kur gjyshi i tij shtrëngoi shtagën që mabnte në dorë kur mësoi se gruaja e tij kishte sjellë në jetë fëmijën e parë. Në pamundësi për ta shprehur ngazëllimin e pamasë para të tjerëve, meqë kjo mund të interpretohej si shenjë dobësie në një shoqëri patriarkale, ai përqafoi shtagën aq fort sa ia mori mendja se e theu. Për artistin, motivi i korbit të bardhë po ashtu nënkupton diversitetin dhe rezistencën ndaj ndryshimit në përpjekje oër t’u pranuar. Në këtë kuptim është metaforë për shumë gjëra, përfshirë të qenit përson homoseksual, dashuria e të cilit nuk njihet plotësisht as prej familjes e as nga shumica e shoqërisë kosovare, dhe të qenit kosovar, shteti i të cilit nuk njihet nga shumë kombe të tjera, përfshirë edhe Spanjën.
Sikur foletë në natyrë, hapësira e stisur nga Halilaj nuk mund të shihet si autonome ose e ndarë nga mjedisi, vizitorët dhe aktivitetet e tyre. Përkundrazi, është vazhdimësi e tyre. Kjo marrëdhënie, që mund të kuptohet si lloj pavarësie, kumbon përgjatë instalacionit – për shembull, në këmbët e dy zogjve që përbëjnë Këtu për ta Përkujtuar (2020). Për më shumë, ka diçka të çuditshme dhe joproporcionale për madhësinë e folesë, për shkallën gjigante të luleve dhe për rehatinë e centrali tetin që ua ofron zogjve. Kështu, artisti pezullon pikë vështrimin logocentrik që na shtyn të mendojmë që ne jemi qendra dhe masa e çdo gjëje, duke na inkurajuar ta shohim vetën thjesht si një element shtesë në mesin e shumë të tjerëve. Si rrjedhojë, foleja zbulohet si vendndodhja e një rituali që pret për takime, aleanca e bashkime në mesin e vizitorëve të ndryshëm, duke ndryshuar e duke u shndërruar bashkë me hapësirën.
Një korbi dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar është ekspozita e parë që përurohet nga Museo Reina Sofía qëkur është mbyllur për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila ndërpreu montimin e shfaqjes. Në këto rrethana, propozimi i Halilajt ishte mu në kohë të duhur. Titulli që i kushtohet korbit dhe uraganëve na flet për orvatjet që paraprijnë pranimin. Kriza e tanishme ka shpërfaqur dobësinë e sistemit ekonomik nga i cili mbështetet bota jonë dhe paqëndrueshmërinë e zhvillimit të pakufizuar ndërsa ia kthejmë shpinën natyrës. Na ka ballafaquar me cenueshmërinë dhe ndërvarësinë tonë dhe ka vënë kujdesin e dhembshurinë në thelb të një jetese që nuk mund të zgjatet pa i marrë parasysh banorët e tjerë të planetit. Me këtë fole, Halilaj ofron një strehë dhe kështu ngjall shpresë për një të ardhme të ndryshme nga ajo që me sa duket na pret.