NJË KRONIKË ARTISTIKE E URËS MBI LUMIN IBËR DHE QYTETIT TË MITROVICËS
Fazli HAJRIZI-Recension
Fehmi Pireva, “Ura mbi Ibër”, roman, Prishtinë, 2024
Kosovë!
Ne themi se ti je djepi i shqiptarisë,
Ata thonë se ti je djepi i Serbisë (!)
Si ka mundësi të jetë një djep, që lind dy binjakë,
Njëri që pi tambël e tjetri që pi gjak?!
(Ali Podrimja)
– Hyrje
Fehmi Pireva është poet e prozator me talent të spikatur. Deri tash ka botuar tri vëllime me poezi për fëmijë (“Albumi i Hënës”, 2016; “Piktori i qiellit”, 2017; “Libri me shije çokollate”, 2021), dy vëllime me poezi për të rritur (“Kjo mjegull”, 2016, “Dashuri e qelqtë”, 2018) dhe pesë romane: “Prerja e frikës” (2021), “Nëpunësi i Kuvendit” (2022), “Vdekja nga letrat” (2023), “Qentë e malit Gërmi” (2023) dhe “Ura mbi Ibër” (2024). Romani i tij i fundit “Ura mbi Ibër” është një kronikë artistike për urën mbi Ibër, për qytetin të Mitrovicës dhe për banorët që jetojnë në të. Para tij disa romansierë kanë marrë temën për veprat e tyre nga ky mjedis, si: Hivzi Sulejmani (“Njerëzit”, 1966 e “Fëmijët e lumit tim” 1969), Jakup Ceraja (“Lida”,1996 e “Vresaja e Konsullit” 2001), Emin Kabashi (“Dashuri në kohë robërie”,1994), Mehmet Kajtazi (“Fundi i legjendave”, 1990), Rifat Ismajli (“Udhët e një jete” (2014), Betim Muço (“Gjurma e vetëtimës”, 1986), Isa Prekadin (“Sa lugë ka Evropa”, 2011) e “Rruga pa kthim”) etj. Në vitin 2000 më pat rënë të lexoj edhe një “roman” në serbisht “Na Ibru Çuprija” (“Ura mbi Ibër”) të autorit Nikolla Paçariz, i cili mbështet hapur politikën gjenocidiale të pushtetit serb të udhëhequr nga S. Milosheviq.
Fehmi Pireva, autor me shpirt të ndezur poetik, ka realizuar një ndër romanet më të mira me tematikë nga Mitrovica. Ai na shfaqet si një lloj misionari letrar që mëton të integrojë të vërtetat e historisë së urës mbi Ibër dhe të konflikteve të vazhdueshme të dy popujve që jetojnë në fqinjësi dhe që asnjëherë nuk ia kanë besën shoqi-shoqit. “Biro, jemi fqinjë, por nuk u zihet besë, që në momentin e parë, po iu dha rasti, serbët të vrasin pas shpine kur ti nuk e pret!” – e kishte këshilluar Shemo Parduzin gjyshi i tij, nga përvoja që ka pasur me ta. “Ura mbi Ibër” është një roman i tij i shkurtër, një kronikë e historisë së qytetit të Mitrovicës. Pasqyrimi kronikal i historisë është bërë në mënyrë organike. Ura bashkon kohën dhe vendin, ndërsa polifonia na shfaqet në nivel emocional, kohor dhe strukturor.
Titulli “Ura mbi Ibër” është çelësi i përmbajtjes së romanit dhe sikur na përkujton ato legjendat shqiptare dhe të popujve tjerë ballkanas për ngritjen e urave, pastaj atë rrëfimin fetar për urën e Siratit, e cila na paraqitet më e hollë sa qimja e flokut dhe më e mprehtë se tehu i shpatës, e ngritur mbi zjarrin e ferrit, ku askush nuk mund të hyjë në parajsë pa kaluar atë, si dhe veprat letrare të autorëve të ndryshëm: “Urën e Fshejtë”, “Urën me tri harqe” të Ismail Kadaresë, “Urën mbi Drin” të Ivo Andriqit, madje edhe romanin “Kështjella mbi Barbanë” të Jonuz Dinit etj., ku secili autor ka stilin e vet të veçantë dhe këtë temë e trajtojnë në mënyrën e tyre.
Fehmi Pireva e krijon metaforën e urës ndryshe nga autorë të tjerë. Ai dallon nga diskursi letrar që ravijëzohet në ligjërimin e shkrimtarëve tjerë ballkanas. Derisa të tjerët e marrin urën si bashkim i popujve dhe qytetërimeve, si lidhje të dy brigjeve të ndara e të kundërta, metafora e urës tek vepra e këtij shkrimtari ka ngjyrime të një lugati që natë e ditë mban zjarrin ndezur, duke mbjellë urrejtje, fatkeqësi e tragjedi. Prej se kanë zbritur serbët në këtë mjedis, ura mbi Ibër ka qenë instrument i dhunshëm dhe kërcënues për popullin shqiptar. Kjo metaforë e autorit shtrihet qartë në romanin e tij. Ura përherë ka kërkuar shqiptarë të gjallë për murim, flijim, sakrificë.
– Romani si kronikë e historisë së qytetit të Mitrovicës
Rrëfimi si një procedim letrar dhe titulli që ka zgjedhur autori Fehmi Pireva bashkëjetojnë mirë dhe në mënyrë të harmonishme. Me urën në qendër të rrëfimit autori krijon një galeri imazhesh të njëpasnjëshme. “Ura mbi Ibër” është roman me temë dhe ka bërthamë historike. E kaluara në të jepet në vështrimin e së tashmes dhe të ardhmes. Tema e tij është lufta e popullatës shqiptare për liri, për mbrojtjen e kulturës e identitetit kombëtar, në njërën anë, dhe urrejtja patologjike e regjimit serb ndaj tyre, duke i quajtur me një emër përbuzës “shifrar i keq”, madje duke i konsideruar si ardhacakë nga Shqipëria e të vendosur në “tokën e shenjtë serbe”. Pas shkuarjes së Turqisë, pushtetarët serbë i konsiderojnë shqiptarët si turq, sepse kanë përqafuar fenë islame. Dhe, duke qenë se kanë hequr dorë nga kishat e tyre etj., ato i kanë përvetësuar serbët. Strukturën e romanit e ndërtojnë faktet dhe trilli artistik. Shumë fakte historike që trajton autori, janë përbërës të strukturës objektive, situata e ngjarje reale, burime historike, dihet, aq sa e lejon letërsia.
Zinxhiri i rrëfimit të këtyre ngjarjeve lidhet me përbërësin kryesor që është ura. Pra rrëfimi fund e krye është gjithmonë shenjëzues. Romani është një kronikë artistike e urës mbi lumin Ibër dhe e qytetit të Mitrovicës, është një vepër që mbështetet në realitetin historik, është një histori e letrarizuar që lidhet me banorët shqiptarë buzë lumit që nga periudha e hershme iliro-romake, pastaj ajo bullgare, turke, austriake, serbe e deri në agimin e shek. XXI..
Autori shtjellon ngjarje historike gërshetuar me veprime politike, Përveç ngjarjeve historike që lidhen me raportet ndëretnike, strukturën e romanit, siç theksuam më lart, e përbëjnë edhe trilli artistik, fantazia krijuese etj. Përveç përmbajtjes historike, ka edhe atë etologjike. Autori, duke përdorur një teknikë të veçantë narrative, aktualizon të kaluarën dhe i ofron mundësi lexuesit për refleksione historike, estetike e filozofike. Ai arrin të zbulojë atë që është tipike për jetën e popullatës shqiptare në periudhat konkrete historike. Shumë ngjarje e fakte janë të njohura nga historia, megjithatë autori, në saje të imagjinatës së tij, brenda tërësisë kompozicionale të veprës ka trilluar edhe ngjarje e personazhe të tjera, pra ka përdorur historinë si praktikë plotësuese të fiksionit.
Duke përdorur me sukses kriterin e masës në shtresimin e rrëfimit të mendësisë historike dhe të trillit krijues, ai i jep mundësi lexuesit që ta përjetojë edhe si vlerë të mirëfilltë artistike. Duke bërë fjalë për periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane, për mekanizmin e këtij supershteti, sidomos për superstrukturën e tij ideologjike, të metodave në rrafshin e asimilimit të kombit shqiptar, për gjendjen nën pushtimin serb e atë jugosllav, autori i bën jehonë idesë aktuale të rezistencës e të vigjilencës ndaj agresionit ushtarak dhe ideologjik të Serbisë. Në qendër të subjektit të këtij romani kronikal autori ka arritur të pasqyrojë dramën e vuajtjes dhe sakrificës, pra të japë dy botë të dy popujve, shqiptarëve e serbëve, që jetojnë në Mitrovicë, që kanë kulturë e besime të ndryshme. Në të janë përzier realja me jorealen, janë paraqitur, të thuash, barabar saktësia – e vërteta historike e përshkrimit me trillimin artistik. Romani është ndërtuar si një këmbim pamjesh e skenash nga jeta e qytetit buzë Ibrit, në dukje të parë të palidhura, por nga ana e jashtme i lidh figura e rrëfimtarit të ngjarjeve (narratori).
Përbërësit kryesorë të përmbajtjes së këtij romani janë: tematika, problematika dhe vlerësimi ideoemocional i jetës së pasqyruar në të – si anë konkrete e historisë. Romani është i ndarë në 16 kapituj, ku në secilin trajtohen tema të aktualitetit politik, shoqëror, probleme që mishërohen artistikisht në subjektin dhe personazhet e tij. Kështu, lexuesi mëson për qytetin e Mitrovicës nëpër të cilin kalojnë katër lumenj: Ibri, Lushta. Sitnica dhe Reka që zhdirgjet nga Stantergu; për etimologjinë e emrit që ka marrë sipas perëndeshës Dhemetra (Nëna Tokë) e më vonë me emrin e Shën Dhimitrit (Sën Mitrit); për kalanë e Zveçanit, një raritet historik, i ndërtuar nga një fis ilir; për pasuritë natyrore, sidomos xehet e shfrytëzuara nga ilirët; më vonë nga romakët, të cilët, pas pushtimit të Dardanisë, në bjeshkët e Shalës së Bajgorës (në Trepçë e gjetiu) kanë vazhduar të nxjerrin ar, argjend e metale tjera; për rënien e Bizantit dhe për periudhën gjatë pushtimit osman; pamundësinë e shqiptarëve për të shpëtuar etninë arbërore, pas imponimit të fesë së re, e cila ka ndikuar në humbjen edhe të identitetit evropian; për ngritjen e një urë druri, e cila e zëvendësoi vigun e këtë një tjetër prej guri më vonë nëpër të cilën ka kaluar Pjetër Bogdani; për Lekë Dishajn, i cili ka ruajtur besimin e krishterë dhe është flijuar në mbrojtje të vlerave kulturore-shpirtërore; për grepacimet me fqinjin verior dhe urrejtjen patologjike të serbëve ardhacakë ndaj shqiptarëve vendës; për tregtinë me Sanxhakun e Pazarit të Ri; për rivalitetin e luftërat midis ushtrisë turke dhe austro-hungarezëve për tokat shqiptare; për pushtuesin austriak i cili paraqitet më i qytetëruar sepse respekton dhe vlerëson kombin shqiptar, duke hapur shkolla shqipe; për luftërat ballkanike, intrigat, pabesitë dhe rrenën e madhe serbe se Kosova është ani a embrioni i botës serbe, se “shqiptarët kanë ardhur këtu nga Shqipëria dhe atje duhet të kthehen”; për ardhjen e boshnjakëve nga Sanxhaku në Mitrovicë; për organizimin e luftës së kryengritësve në krye me Isa Boletinin kundër pushtuesit, pashallarëve turq dhe gjeneralëve serbë;; për masakrat dhe gjenocidin që përjetuan shqiptarët nga turqit dhe serbët, që, për t’i asimiluar, praktikonin edhe ndërrimin me dhunë të fesë; për ëndrrën e keqe të Beshir Vinarcit; për urrejtjen serbe, e cila kishte diku një ngjizje, si ide, koncept dhe vazhdonte të shfaqej në trajtat e veta më çnjerëzore ndaj shqiptarëve (këta dy popuj “nuk i ndante as lumi, as peshqit, por hasmëria shekullore”, sepse secili pretendonte se janë të parët, më të vjetrit në këtë vend); për Konventën Turko-Jugosllave (1938) e shpërnguljen masive të shqiptarëve në Turqi, që ishte gjithherë strategji e Serbisë për zhdukjen a dëbimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës; për luftën e përbashkët gjatë LDB-së, për situatën gjithashtu të rëndë dhe të paqartë gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore nën sundimin e Jugosllavisë komunistët, përkatësisht Serbisë fashiste, në kohën kur proklamohej barazia, bashkim-vëllazërimi dhe liria, ndërsa ushtrohej dhunë e terror i paparë sidomos me aksionin për mbledhjen e armëve; për angazhimin e përbashkët të shqiptarëve, serbëve e të tjerëve në minierën e Trepçës; për dashurinë tragjike të dy të rinjve idealistë, shqiptarit Hysni, i cili detyrohet të shpërngulet në Turqi si turk, dhe serbes Jelena, e cila bën vetëvrasje tek këmbët e urës së Ibrit, sepse kjo ndjenjë e tyre nuk mundi të realizohej sepse babai i vajzës e kishte rrahur babanë e djalit dhe kishte vrarë gjyshin e tij; për krimet serbe me urdhëresë të Ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandër Rankoviq; për ndërrimin e emrit të qytetit, i cili u pagëzua me emrin e Titos; për gjenocidin serb në fund të shek. XX që bëri që lumi mos të shkumëzojë bardhë, por kuq; për varfërinë, e cila, si epidemi e vjetër, i detyronte të rinjtë t’ia mësyjnë perëndimit; për përfundimin e luftës në Kosovë e kthimin e një milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre stërgjyshore; për vendosjen e Forcave Speciale Franceze në veri të Kosovës, që erdhi këtu me forcat e NATO-s në qershor 1999, për rolin e komandantit të forcave franceze, Zhak Hogar, i cili, sipas rrëfimeve dhe amanetit të gjyshit të tij, po shkelte në tokën serbe, për planin e tij ogurzi, për atë se si i mjaftuan vetëm pesëmbëdhjetë ditët “as paqe as liri” për ta vënë sinorin (kufirin me tela gjemborë) në urën mbi Ibër, i cili vazhdon të rrezikojë lirinë dhe paqen; për atë se si edhe sot qëndrojnë ballë për ballë Isa Boletini me kobure në brez (në pjesën jugore të qytetit) dhe Knjaz Llazari, udhëheqës i koalicionit ballkanik (1389) dhe Shqerbin, konsull rus i vrarë më 1903, kërcënueshëm atje matanë Ibrit në veri, duke dashur t’i tregojnë botës se janë duke mbrojtur serbët nga sulmet e shqiptarëve. Secili pushtues që ka ardhur dhe ka pushtuar këtë vend, qoftë edhe për një kohë shumë të shkurtër si Austro-Hungaria, Gjermania e Italia, megjithatë, kanë lënë diçka nga identiteti i vet kulturor.
– Ura si simbol dhe ogur i zi për ardhmërinë
Ura që zëvendëson një vig të thjeshtë, nuk ngrihet mbi një lumë imagjinar. Fenomeni i kufirit si i tillë kërkon ndërtimin e urave si domosdo e lidhjeve dhe në mënyrë simbolike krijohet mundësia e njohjes së tjetrit, që ka identitet tjetër matanë kufirit. F. Pireva i ka dhënë kuptim të ri simbolikës së urës. Metafora e saj në romanin e tij merr ngjyrim të ri figurativ.
Ai këtë metaforë, simbol e alegori e paraqet në vepër si intrigë, si mashtrim dhe si mundësi të armikut për t’u futur në identitetin e një populli tjetër, përkatësisht shqiptarëve. Ndërtimi i saj rrezaton komunikim, bashkëpunim, mirëkuptim, afri e përparim, por edhe fatkeqësi sepse mundëson invazionin si frikë e shembjes a rrënimit të ëndrrave. Ura si metaforë e bashkimit tjetërsohet, sepse armiku gjithherë, pra edhe Perandoria Osmane, ngrit ura jo si ofertë e bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve të shëndosha ndër-qytetëruese, por si përfituese territoresh, përkatësisht përfituese e frymës së tjetrit për ta shndërruar e shkrirë në vete tjetrin.
Autori nuk pretendon që të ndërtojë memorien e historisë së motiveve të murimit a flijimit, pra ta lidhë çështjen e ndërtimit të urës së Ibrit me mitologjinë, me baladën e murosjes, ku flijimi bëhej për hyjnitë, as si festë që nuk mund të kremtohej pa flijime. Në çdo kohë, edhe po të zgjidhej Adonisi i bukur për flijim, do t’ishte e kotë, sepse në të dy anët e saj, ashtu si dikur, qëndrojnë përballë njëri tjetrit Car Llazari e Isa Boletini, që simbolizojnë dy popuj që kërcënojnë njëri tjetrin dhe janë të gatshëm të luftojnë për të drejtën e vet si pronarë të kësaj toke.
Ura është simbol që lidh të kaluarën me të tashmen dhe të ardhmen e popujve të këtij mjedisi me armiqësi, vuajtje e sakrifica të pandërprera. Mitrovica, për shkak të pasurive të mëdha dhe pozitës së mirë gjeografike e strategjike që ka, ka qenë joshëse për pushtues të ndryshëm; romakët, bizantinët, sllavët, turqit, austriakët, gjermanët etj.
Secili pushtues që vinte, ngrehte flamurin e vet në majë të kalasë së Zveçanit dhe, gjithçka që shihte me sy, thoshte: “Kjo tokë është imja!” Secili donte të ishte zot i këtij vendi, madje edhe shpesh ishte kthyer në “tokë të gjithkujtt”. Në këtë vorbull të përplasjeve të kulturave, shqiptarët autoktonë gati gjithherë kanë qenë të pafuqishëm për t’iu rezistuar plotësisht e me sukses çdo pushtuesi. Në Mitrovicë janë kryqëzuar e ndarë qytetërimet mbi kurrizin e popullit të vogël shqiptar. Në periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane ata përjetuan një prapambetje të madhe ekonomike, kulturore, arsimore etj.
Feja islame e imponuar kishte dëmtuar shumë identitetin kombëtar të tyre. Perandoria Austriake qe më liberale e me vizion më pozitiv, sepse mundësoi të hapen shkolla shqipe që ndikuan në rritjen e vetëdijes kombëtare, në ndërtimin e objekteve në frymë perëndimore, mirëpo qe jetëshkurtër për shkak të rikthimit të Perandorisë Osmane.
Autori rikujton një ndjenjë të dhunshme që ka zënë fill qysh moti, ka vazhduar nëpër shekuj dhe vazhdon edhe në kohën e sotme. Pra, këto mosmarrëveshje, probleme e armiqësi janë bartur nga dekada e dekada. Ura është një parandjenjë, një ogur i zi për dy popuj, shqiptarët e serbët, që jetojnë në këtë hapësirë, gjithnjë në fqinjësi, por me interesa të kundërta. Armiqësia ka zënë fill që nga koha kur sllavët kanë ardhur në Gadishullin Ilirik. Kjo armiqësi ka qenë herë e hapur e herë e kamufluar, por asnjëherë nuk ka pushuar. Urrejtjen dhe luftën e ashpër ndërnacionale e kanë ushqyer kisha ortodokse dhe shteti serb.
Autori është treguar i hapur në pasqyrimin e mosmarrëveshjeve e armiqësive, terrorit e paragjykimeve, prandaj përmes një rrëfimi herë-herë magjepsës, ka arritur të gjejë e të zhvillojë në mënyrë të plotë e të thellë mendimin e gjykimin e vet artistik për problemin e Mitrovicës që, siç theksuam më lart, ka zënë fill nga kohët e hershme e vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Gjithçka lidhet me urën mbi lumin Ibër, aq shumë flitet për të saqë ajo i kalon caqet e një ure të zakonshëm që lidh dy brigje e dy popuj, duke marrë pamjen e një oguri të lig, sikur shndërrohet në një qenie që kërkon sakrifica, që krijon pasiguri e mbjell frike të pakuptushme. Ura mbi Ibër është shndërruar, të thuash, në mit dhe miti i krijuar prej vitesh, si tabu qindravjeçare, sikur nuk bën të thyhet.
Me gjithë gamën e gjerë të problemeve të pasqyruara në romanin “Ura mbi Ibër”, pjesën e brendshme e jep problematika që trajton. Romani është ndërtuar si një këmbim pamjesh e skenash në kohë të ndryshme nga jeta në qytetin e Mitrovicës. Këto pamje e ngjarje nga ana e jashtme i lidh rrëfimtari (narratori) autor. Ai, duke përdorur elementin epik, lirik dhe dramatik të narracionit ose të përshkrimit objektiv të ngjarjeve, arrin ta çojë deri në fund mesazhin artistik. Romani “Ura mbi Ibër” të gllabëron në leximin e tij aq shumë saqë lexuesi nuk pret dot të dijë se si do të përfundojë kjo jetë njerëzore mes ëndrrës dhe reales, kjo urë-djall. Armiqësia mes shqiptarëve e serbëve mbetet e hapur, prandaj edhe dashuria Hysniut e Jelenës, që ka në mes një lumë gjaku, nuk mund të realizohet, mbetet e pashijuar dhe e vrarë tragjikisht.
– Personazhet dhe letrarizimi i tyre
Fehmi Pireva është treguar mjeshtër i depërtimit në jetën shpirtërore, në mentalitetin e shqiptarëve dhe serbëve, në jetën shoqërore, të cilën e koncepton të ndërvarur e të përcaktuar nga marrëdhëniet qysh në kohët e mëhershme. Për të forcuar rolin e ngjarjeve në një subjekt kompakt e funksional, ai i ka kushtuar kujdes të duhur zbulimit të jetës së karaktereve. Në roman nuk ka një personazh kryesor që lidh më shumë se tri apo katër ngjarje. Ansambli i personazheve është dhënë mjaft i harmonizuar. Personazhet, qoftë historike apo të trilluara, janë pasqyruar si njerëz të gjallë, të zakonshëm që dashurojnë e urrejnë, qeshin e qajnë, luftojnë e vriten. Letrarizimi i tyre, ashtu sikurse i historisë, është bërë me sukses. Autori i ka zgjedhur me mjeshtri personazhet, varësisht prej diskursit estetik e intencës narrative. Vizatimin e karaktereve, si: Beshir Vinarci, Lekë Dishaj, Vera Dishaj, Jusuf Beu, komandant turk, Celal Iljaz, arkitekt, Zef Lekë Dishaj, Nasim Berberi, Hasim Prushi, tregtar, Cen Shala, farkëtar, Osman Myderrizi, Demir Boletini, Zamir Mehmeti, Basri Vidishiqi, jevgu Çal, Hysniu, Jelena, Ivica, Manushi, Ramizi, Sami Kryemadhi, Besim Pirraj, Minushi, rom, Amir Deviqi, Shemo Parduzi, Zylqyfliu, boshnjak, Eqrem Lushta, qatip, Maliq Uglanini, Tahir Mustafa, Omeri, Luba, Predragu, Zhak Hogar etj. autori e ka bërë në mënyrë mjeshtërore, duke gjetur episode dhe fakte karakteristike për tipa të tillë, duke vënë në gojën e tyre një ligjërim që zbulon me gjallëri mendësinë e tyre. Shumica syresh ballafaqohen me ndeshtrasha jetësore, me shumë të papritura, me varfërinë, me dhunën, terrorin, prandaj në çdo kohë e situatë janë të pasigurt.
Një numër personazhesh mishërojnë në mënyrë të përqendruar disa nga vetitë më të mira të karakterit kombëtar të popullit tonë në etapa të ndryshme të jetës së tij historike. Prania e kombëtares në karakterin e Lekë Dishajt është e dukshme dhe e qartë. Ai nuk pranon të jetë tjetër pos vetvetja me identitet arbëror. Duke qenë njeri konsekuent, atdhetar i kulluar e i pathyeshëm, kishte kundërshtuar sa kishte mundur prishjen e kishës së vjetër. Duke kundërshtuar rrënimin e këtij tempullit fetar që dëshmonte edhe identitetin kombëtar për të ndërtuar një urë të drunjtë në vend të vigut, sipas tij, nuk ngrihej një urë e gjallë mes të tashmes dhe asaj që do të vije – të ardhmes, por një mur ndarës midis organizmit kombëtar. Parimet e tij i paguan me gjak, me jetë. “Nuk kishte frikë aspak, por nuk e pëlqente vdekjen” (f. 15). Pas torturave që ia bëjnë turqit, ai vdes. Meqë ura nuk ishte pajisur me shpirtin e një qenie njerëzore, ajo nuk do t’u qëndrojë furtunave të kohës, nuk do të jetë në dobi të njerëzve, përkundrazi, te këmbët e saj në çdo kohë do të lëvizin hijet e zeza. Megjithatë, fryma e Lekës, i cili u bë kurban i urës, vazhdon të jetojë në çdo kohë. Ai edhe pse i vdekur, do të duket i gjallë në kujtesën e të tjerëve, do të mbetet një i vdekur me varrin andej Ibrit, simbol i mangësisë dhe i dështimit, diku mes jetës dhe vdekjes. Leka mbetet sinonim i qëndresës dhe burim i frymëzimit për bashkëkombësit e tij. Ai është njeri i thjeshtë, por shumë më trim e vizionar se sa disa të tjerë që qëndrojnë indiferentë përballë të keqes. Përballë tij qëndrojnë armiqtë e popullit të tij, si: Timur Dogu, rreshter turk, Isuf beu, komandant, Celal Iljaz, arkitekt, Ivica, Predragu e deri ter Zhak Hogari francez i fillimit të shek. XXI. Këta të fundit janë pjellë e nacionalizmit dhe shovinizmit serb, përfaqësues tipikë e zëdhënës të ideologjisë fashiste serbe. Pra, një rol të rëndësishëm në subjektin e romanit luan Lekë Dishaj, një personazh i krijuar prej autorit. Edhe pse mund të themi se nuk ka personazh kryesor në këtë roman, ai i ka dhënë Lekës një vend më domethënës, duke pasqyruar me pak penelata mendimet dhe përsiatjet e tij. Edhe pas vdekjes a vrasjes së tij, nga ana kompozicionale ai vazhdon të lidhë ngjarjet në vazhdim dhe personazhet e tjera të romanit.
Beshir Vinarci, i cili na shfaqet në ekspozicion të romanit, humbet si një lumë nën rërë dhe shfaqet tek në fund të romani, në shthurjen e veprimit të tij. Ai është një nga ushtarët e Perandorisë Osmane, të cilin vazhdimisht e turbullojnë ëndrrat që lidhen me Ibrin që rrjedh pranë gjunjëve të fshatit të tij të lindjes. Shpesh ia ka zbërthyer ëndrrat edhe Sulltanit, të cilat kanë dale të vërteta, prandaj shqetësohet shumë sepse profecia e ndarjes së Mitrovicës në lumin Ibër ka mundësi të mëdha të dalë e vërtetë. Ai është në moshën e pjekurisë, e njeh realitetin në atë mjedis, prandaj shqetësohet se pikërisht ura mbi lumë do të jetë një lloj nyje e Gordit.
Mund të themi se në romanin e Fehmi Pirevës edhe objektet, si ura, kalaja, lumi, qyteti i vjetër, i cili që nga koha ilire është pagëzuar me emrin e perëndeshës ilire Dhemetra (Nëna Tokë) e pastaj me emrin e Shën Dhimitrit, Shën Mitrit që përfundon me Mitri etj,, bëhen heronj të historisë. Është mjaft interesant monologu i Beshir Vinarcit, dialogu (i imagjinuar) i Dhemetrës me lumin Ibër etj.
Historia e urës mbi Ibër është dëshmi e rrëfimit, kurse trilli artistik, dialogët, monologët, përshkrimet, pasqyrimi i botës shpirtërore e psikologjike janë mbishtresë që lexuesi i përjeton si vlera artistike. Autori përdor një poetikë të hapur, duke prekur përbërësit e formës, subjektin, kompozicionin, rrëfimin dhe ligjërimin e gjuhës artistike. Subjektin dhe kompozicionin e romanit nuk e përcakton vetëm rrjedha e ngjarjeve, por edhe retrospektiva, asociacionet, kundërvëniet, antitezat, dialogu, monologu i brendshëm funksional me nëntekst që vendos lidhjet dhe plotëson zbrazësitë e krijuara nga mosvazhdimësia kohore. Mendimit asociativ nuk i mungon forca për të krijuar lidhjen e ideve dhe të skenave që pasqyrojnë e formojnë pamjen artistike të jetës. Edhe përkundër përpjekjeve për t’i ikur mënyrës së përgjithshme të paraqitjes artistike të jetës (konvencionit), narracionit, autori i mbetet besnik kontinuitetit kohor të rrjedhës së ngjarjeve.
– Gjuha dhe stili
Ligjërimi i personazheve dhe ai i narratorit është i harmonizuar. Për tipizimin e karaktereve të personazheve, për individualizimin e tyre shkrimtari ka shfrytëzuar pasuritë e rezervat leksikore të gjuhës në të cilën flasin personazhet e romanit, duke përdorur karakteristikat gjuhësore. Personazhet individualizohen dhe karakterizohen përmes të folurit të tyre, pra ligjërimit, përmes përdorimit herë-herë të elementeve dialektore, dihet, në përshtatje me problematikën që trajtohet në roman, në radhë të parë në sferën e jetës së tyre shpirtërore. Ligjërimi i personazheve është i lidhur ngushtë me gjuhën popullore.
Ky ligjërim fiton natyrshmëri edhe përmes të folurit të brendshëm. Duke përdorur ndërtime fjalësh e frazash që përputhen me ritmin e brendshme dhe ligjet e gramatikës së gjuhës kombëtare, autori arrin të depërtojë në botën shpirtërore e psikologjike të heronjve. Lëngun gjuhësor ai e ka krijuar përmes trillit artistik.
Shmangia e fjalëve të huaja dhe krijimi i fjalëve të reja ose hetimi i fjalëve të lashta, të rralla (tëmotje, i përhënur), dhe përdorimi i tyre me pikësynime të caktuara ideoestetike; përdorimi i figurave stilistike: krahasimit (“si një fëmijë që ushqehet me qumështin e bardhë të nënës”; Ibri ngjante si një akullnajë skandinave; hëna ngjante si fytyra e saj e zverdhur), epitetit, metaforës (“mosmarrëveshje stinësh, mosmarrëveshje njerëzish”), alegorisë, simbolit konvencional, opozicionit leksikor, shprehjeve antonimike, antitezës (“kënga dhe krimi”); e frazeologjizmave popullore (“koka iu bë lëmsh”; “laj te lugu, thaj te gardhi”; “fjala jote në vesh të Zotit”, “t’trashtë e surlës”), i idiomave dialektore, aforizmave e fjalëve të urta (“Sheh rrushi rrushin e piqet”), përdorimi i fjalëve ekzistuese me nuanca të reja kuptimore dhe emocionale etj. është bërë me sukses nga ana e autorit.
Ai ka shfrytëzuar me sukses edhe disa shprehje antropomorfike (“Ibri shtrinte fuqinë e zemërimit”; “duar e qytetit”, “koka e qytetit”; “kalaja ishte lodhur nga ngritja dhe ulja e flamujve”) dhe kështu, disa sende, si: ura, lumi, kalaja etj. njerëzohen. Ne tregojmë mëshirë për Demetrën (Nënën-Tokë), e cila i ankohet lumit sikur t’ishte njeri i gjallë (- Dëgjo lumë! Perënditë duan të të ndajnë. Unë nuk u dorëzova, por më përzunë nga Olimpi. Nuk dita çfarë të bëj, prandaj erdha të qaj hallin me ty!”). Të shprehurit e tërthortë (aluzioni) është i qartë. Perënditë, sipas autorit, janë disa të fuqishëm, si Zhak Hogar, armiq tradicionalë të popullit shqiptar, që punuan për ndarjen e qytetit.
Sa i përket stilit, mund të themi se Fehmi Pireva ka arritur t’u shmanget përshkrimeve të jashtme dhe ritregimit të thatë të ngjarjeve, duke depërtuar me mjeshtri në thelbin dramatik të ngjarjeve dhe në botën shpirtërore e psikologjike të personazheve. Këtë ka arritur ta bëjë përmes detajit psikologjik dhe imtësive jetësore. Përmes stilit tipik narrativ të ngjeshur, herë përmes ligjërimit të drejtë, monologut funksional ose dialogut me nëntekst e nënshtresë mendimi ai ka arritur të ofrojë skena, detaje e situata, duke pasqyruar gjendje emocionale: (“- Kur lidhen zemrat, Jelena, lidhen brigjet e lumit, bashkohen malet dhe detet!” – i drejtohet Hysniu, një luftëtar i pakompromis kundër fashizmit e idealist i madh, të dashurës së tij. “– Të dua sa Jugosllavinë!” – ia kthente Jelena. Më vonë betimi i saj se e do Hysniun më shumë se Jugosllavinë, pësoi metamorfozë, duke u kthyer në: “…Të dua sa Serbinë!”). Pra, përshkrimet realiste dhe pasurinë e ideve autori ka arritur t’i shprehë me gjuhë të gjallë e të figurshme, me stil të qartë, të ngjeshur e organik.