Një Lamborghini me 818 kuaj fuqi, është i paligjshëm në rrugë (Foto)
Lamborghini ka prezantuar makinën e fundit, e quajtur “Essenza SCV12” por, pavarësisht parametrave fantastikë, nuk do të keni mundësi ta ngisni në rrugë ligjërisht. Prandaj, kompania ju rekomandon që, nëse blini një nga 40 makinat që do të prodhohen, ta ruani në një garazh pranë selisë qendrore të saj në Itali.
Nëse pronarët do të duan ta ngasin makinën, Lamborghini merr përsipër ta dërgojë atë thuajse në çdo pistë garash në botë. Lamborghini, gjithashtu, ofron një pilot profesionist për të ndihmuar në drejtimin e makinës.
Essenza SCV12 vjen me një motor me 12 pistona dhe mund të arrijë një shpejtësi mbi 250 km/h. Në ndryshim nga makinat e tjera Lamborghini, Essenza do t’i ketë aktive vetëm rrotat e pasme. Edhe pse nuk përputhet me rregulloret e rrugëve civile në të gjithë botën, pra nuk mund të ngitet në rrugë, makina e re i përmbushë të gjitha kriteret e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit.
Makina mund të ketë çfarëdo ngjyre që dëshiron blerësi, ndërsa timoni është i modeluar sipas makinave të Formula 1. SC do të thotë “Squadra Corse”, ose skuadra e garave, që është edhe emri i departamentit sportiv të Lamborghini-t. Themeluesi i kompanisë në vitin 1963, Ferruccio Lamborghini, pati deklaruar se nuk donte që makina e tij të merrte pjesë në gara, ndryshe nga fqinji i tij Enzo Ferrari. Por sot, pasi kompania është në pronësi të Volkswagen, Lambroghini merr pjesë në gara të ndryshme, si Le Mans.