NJË LIBËR DHE NJË AUTORE E JASHTËZAKONSHME

11 dhjetor 2018 | 15:42

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Hanëmshahe Ilazi, “Gratë e huaja për shqiptarë dhe shqiptaret e diasporës”, “Koha”, 2018)

Që në fillim dua ta përgëzoj zonjën Hanëmshahe Ilazi për librin e mrekullueshëm që na solli sot në këtë ditë promovimi. Thonë se vetëm një mendje e ndritur mund të ketë një ide brilante për të shkruar një libër të tillë për gratë e fuqishme anekënd rruzullit, që patën guximin e kurajën ta ngrehin zërin për padrejtësitë e shumta që iu bënë popullit shqiptar.

Zonja Hanëmshahe, siç e njohim të gjithë, me një vizion të një gruaje të vendosur, grumbulloi, sistemoi dhe hodhi në letër të gjitha të dhënat për angazhimin e grave të shquara, se çfarë bënë dhe me çfarë peripecish u ballafaquan në arenën ndërkombëtare vetëm për të mbrojtur një popull të pambrojtur.

Duhet thënë edhe këtë, kur para disa muajve zonja Ilazi më kishte propozuar për t’u bërë recensente e këtij libri, drejtën thënë, isha tej mase e nxënë me disa shkrime të mia, por duke e pasur mike dhe, duke i njohur aftësitë e saj krijuese, e mora përsipër ta lexoja tekstin e librit.

Libri ishte një risi në shkrimet tona. Unë kam shkruar shumë punime për gratë, bile në një konferencë shkencore kam prezantuar kumtesën “Heroizmi i gruas shqiptare parë nga të huajt”, por tema që shtjellon zonja Hanëmshahe, ka krejtësisht tjetër përmbajtje, ajo me një përkushtim prej një studiueseje, të tërë një libër ua kushton të gjitha atyre grave, që bënë shumë për Kosovën në veçanti dhe për shqiptaret në përgjithësi. Në një mënyrë, libri i prof. Hanëmshahe Ilazit mund të thuhet lirshëm është edhe një monument falënderues për të gjitha ato gra që bënë dhe ende po bëjnë për ne, duke e ngritur lart, në agjendat ndërkombëtare, çështjen e Kosovës.

Autorja Hanëmshahe Ilazi, me gjasë, gjatë gjithë punës që bëri në këtë libër, u bazua në parimin e Xhon Ueslejt kur thotë: “Bëj gjithë të mirën që mundesh, me të gjitha mjetet që mundesh… Për sa kohë të mundesh”. Dhe, duhet thënë se ajo i bëri të gjitha këto dhe ja rezultati, punën shumëvjeçare e kurorëzoi me sukses, libri doli i përkryer.

Librin “Gratë e huaja për shqiptarë dhe shqiptarët e diasporës” autorja e ka sistemuar në dy pjesë kryesore: 1. “Gratë e huaja për shqiptarë” dhe 2. “Shqiptaret e diasporës”. Pjesa e parë ka njëmbëdhjetë kapituj si: 1. Udhëpërshkrueset, 2. Politikanet, 3. Për të drejtat e njeriut, 4. Humanistet, 5. Të martuara për shqiptarë, 6. Albanologet dhe ballkanologet, 7. Antropologet, etnologet, gjeologet, arkeologet dhe historianet, 8. Përkthyeset, 9. Fotografet dhe reporterët e luftës-gazetaret, 10. Shkrimtaret, piktoret, aktoret, dirigjentet, flautistet, 11. Të tjera. Pjesa e dytë ndahet në nëntë kapituj: 1. Humanistet dhe mjeket, 2. Shkrimtaret, 3. Shkencëtaret, 4. Sopranot dhe solistet, 5. Politikanet dhe të drejtat e njeriut, 6. Artistet, piktoret, skulptoret, 7. Ushtaraket dhe sportistet, 8. Gazetaret, veteranet e arsimit, mësueset e profesorët e shkencave, 9. Afaristet. Libri veç, literaturës, përfundimit në shqip dhe anglisht, ka të botuar edhe mendimet e recensentëve. Në libër janë të përfshira gjithsej 168 gra të famshme që bënë çdo gjë vetëm që popullin shqiptar ta bëjnë të lirë dhe të pavarur. Duhet përmendur emrat si Medlin Olbrajt, Hillari Klinton, Angela Merkelin, Nënën Terezë, Miss Mary Edith Durhamin, që autorja me një kujdes të veçantë flet për angazhimin e tyre që patën si para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë.

Duke u ngjitur shkallëve të historisë dhe duke analizuar veprimtarinë e tyre vijmë deri te bijat tona që me punën dhe aktivitetin që zhvilluan jashtë atdheut, bënë shumë që emri i Kosovës të ndërkombëtarizohet dhe ta sensibilizojnë çështjen shqiptare. Safete Sofia Juka, Majlinda Kelmendi, Rita Ora e shumë e shumë gra të tjera të kombit shqiptar janë pjesë të këtij libri.

Duhet thënë sinqerisht se autorja Hanëmshahe Ilazi ka bërë një punë të mrekullueshme ngaqë njerëzit një ditë do të harronin se çfarë kemi thënë, madje do të harronin edhe çfarë kemi bërë por, nëse diçka mbetet e shkruar, kjo kurrë nuk do të harrohet. Andaj, zonja Hanëmshahe, të tërë angazhimin e grave të shquara, e që nuk është pak, nëpër shumë vite veprimi, e voli pa lodhje, e shkroi dhe e përfshiu në libër, që ajo të mos harrohet dhe të mos zhduket kurrë, gjeneratë pas gjenerate.

Duke marrë parasysh faktin se një literaturë e këtillë apo e ngjashme ka munguar gjerë më tani, e mirëpritëm botimin e këtij libri, duke e vlerësuar këtë iniciativë, njëkohësisht duke pritur nga pena e saj e frytshme të kemi edhe shumë të libra të tjerë po të këtij niveli.

Libri pa dyshim përbën një rast dhe mundësi njohjeje të rrugës së vështirë nëpër të cilën ka kaluar liria jonë. Lexuesit do ta shohin angazhimin, por edhe peripecitë e shumë grave si: Medlin Ollbrajt, Hillari Klinton, Anglea Merkeli e shumë të tjera që u angazhuan për lirinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë do të kuptojmë se me çfarë çmimi është fituar pavarësia. Duke njohur çmimin e lirisë, profesoresha Hanëmshahe Ilazi jep mesazhin se, “brezat e ardhshëm do ta duan dhe çmojnë më shumë lirinë, do ta ruajnë dhe mbrojnë më mirë atë, do ta përparojnë e forcojnë me shembullin e atyre që u angazhuan për të”.

Dhe krejt në fund, duke e lexuar librin “Gratë e huaja për shqiptarë dhe shqiptaret e diasporës”, falënderojmë profesor Hanëmshahe Ilazin dhe uroi që nga kjo zonjë të kemi prurje të tjera të kësaj natyre, ngaqë periudha që trajton ajo nuk është shteruar ende. E lus si mike, që edhe më tej të shkruajë dhe të na lë dëshmi të një kohe që duhet mësuar dhe mbajtur në mend gjeneratat e reja.

 (Fjalë e mbajtur në promovimin e librit më 18 tetor 2018 në Prishtinë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovën ka marrë vendim që të ndajë mjete…