Një libër i mirë, një poete e ndier, një mike e dashur

02 shkurt 2025 | 08:34

Fjala e poetit tonë kombëtar Agim Vinca me rastin e prezantimit të librit “Mos ma vrisni lotin”

 

Të nderuar miq dhe kolegë, kaçanikas dhe të tjerë,

Në Kaçanik sot është një festë e vogël letrare: promovohet libri me poezi “Mos ma vrisni lotin” i bijës suaj të denjë, Elife Luzha.

Elifja është gocë e Kaçanikut, por edhe e mbarë Kosovës: është poete, nënë, grua, madje edhe gjyshe. Goca e Kaçanikut – poete me shpirt subtil dhe ndjeshmëri të hollë lirike.

 

Të nderuar të pranishëm,

Kam pasur kënaqësi të jem redaktor i këtij libri. I kam lexuar me kujdes në dorëshkrim të gjitha poezitë e përfshira në të. Një herë, dy herë, tri, kam bërë aty-këtu edhe ndonjë ndërhyrje në tekst, sepse kjo është detyra e redaktorit, por asnjë, as më të voglën ndërhyrje, pa u konsultuar me autoren dhe pa e diskutuar me të.

Strukturimi i librit, organizimi i tij në cikle është punë e vetë autores, unë nuk e kam prekur fare këtë ndarje, e as nuk e kam kontestuar. Bashkë kemi vendosur që libri të botohej, para një viti e ca, te shtëpia botuese “Faik Konica”, të cilën e drejton botuesi dhe shkrimtari i njohur, z. Nazmi Rrahmani dhe, siç e shihni, libri ka dalë teknikisht shumë bukur, sado që kryesorja është përmbajtja e tij.

Në kopertinën e pasme të librit, siç do të kenë vërejtur besoj lexuesit, është një tekst imi i shkurtër, i shkruar në cilësinë e redaktorit. Në të jam përpjekur të hetoj dhe të theksoj disa nga karakteristikat qenësore ideo-tematikore dhe stilistike të poezisë së Elifes në përgjithësi dhe të këtij libri në veçanti.

“Elife Luzha ka botuar deri tani dy libra me poezi: Ylberi i përgjakur (1993), libër të cilin e ka ribotuar më 2007, nën titullin Vdes me trëndafilin  dhe po atë vit ka botuar edhe librin e saj të ri, Vdekja e ditëlindjes (2007). Ky është libri i tretë me poezi i Elife Luzhës, i cili shënon një hap para në përvetësimin e shprehjes poetike nga ana e autores.

Elifja është poete e lindur: një shpirt i butë, lirik, subtil… Figurë qendrore e poezisë së saj është loti, aq sa mund të thuhet se kjo figurë, pra metafora e lotit, është shenjë identifikuese e poezisë së saj. Me të drejtë, sepse loti, sikurse poezia, është akt i çlirimit shpirtëror.

Në trajta kryesisht të shkurtra poetike e me vargje sugjestive, Elife Luzha artikulon shqetësimet e veta krijuese, që kanë të bëjnë me jetën, Kosovën, vendlindjen, mërgimin, gruan dhe motive të tjera, që përbëjnë botën e saj krijuese dhe njerëzore, me një fjalë identitetin e saj shpirtëror. “Mos ma vrisni lotin”, thërret poetja, lutet, përgjërohet, që në titull dhe përgjatë tërë librit. Dhe kjo është njësoj si të thuash: mos ma vrisni jetën, lirinë, dashurinë, poezinë…

Kjo është fjala ime. Pak kam shkruar unë. Kolegët e mi, Prend Buzhala dhe Ismail Syla, kanë folur më gjerësisht për veçoritë dhe vlerat e këtij libri në tekstet e tyre të vëna si parathënie njëri dhe pasthënie tjetri.

“Goca e Kaçanikut”, Elife Luzha, është jo vetëm një poete e talentuar me shpirt subtil dhe ndjeshmëri të hollë lirike, por edhe një mike e rrallë, tepër e dashur, e kujdesshme, e përkushtuar, bujare. Duke qenë se Elifja është shoqe e hershme e sime mbese, Fitnetes, por edhe e krejt familjes sonë, unë në komunikimin me të kam krijuar një fjalë, fjalën “simbesë”.

Përdoren fjalët sivëlla, simotër, por ja që ka edhe simbesë! (Me kalimin e kohës këtë fjalë do ta transformoj në “mbesi”, si e thërras unë Elifen, kurse ajo mua “dajë”, “dai”).

Jetë të gjatë, shëndet, harmoni në familje dhe suksese të reja në krijimtari, e dashur mbesi!

Kaçanik,

Poeti i shquar kombëtar, Agim Vinca

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të…