NJË LIBËR I RËNDËSISHËM PËR DËSHMORIN ILIR DURMISHI

13 mars 2019 | 10:53

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Më 11 mars, në përvjetorin e 38-vjetorit të demonstratave studentore dhe të 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve Ilir Durmishi, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi, jam e nderuar dhe kam kënaqësinë e veçantë të referoj dhe njëherësh të promovojmë së bashku me ju monografinë e prof. Hamdi Thaqit – “Ilir Durmishi, dëshmor i kombit”.

Amos Ozinin, shkrimtarin izraelit, i cili ishte kandidat për çmimin Nobel më 2008, e kishin pyetur gazetarët: “Po mos të ishe njeri, çfarë kishe dashur të ishe? Ai, pa hezituar, ishte përgjigjur: “Sigurisht se kisha dashur të isha libër ngaqë çdo gjë humb e tretet, por libri, diku, në ndonjë qoshe të ndonjë biblioteke apo familjeje, ngel dhe nuk zhduket kurrë…”.

E fillova recensionin me këto fjalë të Amos Ozit ngaqë që në fillim duhet thënë se, prof. Hamdi Thaqi ka bërë një gjë të mirë, kur atdhetarin Ilir Durmishin nuk e la që ta mbulojë pluhuri i harresës, por hulumtoi, grumbulloi dhe sistemoi, gati të gjithë veprimtarinë e atdhetarit dhe sot na vjen me veprën e radhës “Ilir Durmishi, dëshmor i kombit”.

Është interesant se në qenien e njeriut është diçka që e determinon fatin dhe kahet e jetës. Është diçka që vë në lëvizje njeriun dhe vetëdijen e tij. Janë këto ide apo ideale që mund të formulohen me fjalët “Spiritus muvensi”, apo shpirt që lëviz. Dhe, duhet shtuar se, jeta dhe vepra e atdhetarit Ilir Durmishi ishte trinom i ecjes nëpër misteret e kohës, nëpër sfidat e paparashikuara të jetës dhe nëpër damarët e historisë kombëtare dhe, njëmend, e bëjnë këtë të ri “Shpirt lëvizës”, prej atdhetari të devotshëm.

Vitet e luftës dhe padrejtësitë e shumta që iu bënë Kosovës, pas vitit 1945, edhe një herë nxorën në shesh reagimet dhe pakënaqësitë e popullit të saj. Në këto kushte të krijuara forcat nacionaliste në Kosovë vazhdimisht u ndodhën të zhgënjyera e të tradhtuara, përballë vështirësive, por edhe obligimeve të reja që morën, për të ndryshuar situatën që mbretëronte.

Mu, në këtë luftë dhe, në këtë veprimtari patriotike ilegale, shquheshin pa dyshim, trinomi atdhetar Ilir Durmishi, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi, që deri në fund të jetës nuk reshtën së luftuari, e së punuari për çështjen kombëtare. Të cilët, gjatë veprimtarisë së vet, kombinuan me sukses, veprimtarinë legale me atë ilegale, atë paqësore me atë luftarake, dhe, në këtë mënyrë, artikulonin me vendosmëri dhe besnikëri, luftën dhe kërkesat kundër robërisë dhe ripushtimit jugosllav.

Ata, ishin të vetëdijshëm se periudha në të cilën po kalonte Kosova, ishte e mbarsur me plot rreziqe. Andaj nuk u pajtuan kurrë me këtë fund okupues dhe lufta e tyre ishte e vazhdueshme.

Prof. Hamdi Thaqi librin e titullon: “Ilir Durmishi, dëshmor i kombit” por në tekst me një mjeshtri të rrallë shkrimore, autori Thaqi flet dendur për Hyzri Tallën e Afrim Maliqin. Dhe, mendoj se libri vetëm në këtë formë i shkruar është i kompletuar, ngase, vetëm të bashkuar tre dëshmoret, do të jen vetvetja; do të jenë ata që janë. Trinomi i atdhetarisë, Ilir Durmishi, Hyzri Talla e Afrim Maliqi janë të plotësuar; janë jeta e fronti i përbashkët i luftës; janë liria e gjakuar me shekuj për Kosovën e robëruar; se vetëm si të tillë, janë heronjtë e saj.

Rrallë ndodhë të përsëritet historia, por tek ne, historia u përsërit edhe atë në mënyrën më të vrazhdë. Jo se e deshëm ne, por këtë, na imponuan gllabëruesit e shumtë që i rrethonin trojet tona. Vargu i gjatë i vrasjeve pothuajse i bartësve kryesor të idealit dhe fatit të determinuar historik, u kryen në terrin e zi të bardhësisë së ngrirë të dhjetorit. Ata, Iliri, Hyzriu e Afrimi në mënyrën më sublime do të përcjellin mesazhet e qëndresës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës e terrorit të Serbisë në vitet e ‘80-ta e të ‘90-ta

Ata, kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës, dhe, guximin e duhur, për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm okupues. Iliri, Hyzriu e Afrimi vlerësohen si tri figurat e rëndësishme të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative. Trinomi, Durmishi, Maliqi dhe Talla, në jetën e tyre të shkurtër, kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të tre vinin nga familje atdhetarësh, që gjatë tërë jetës, kishin luftua për lirin e vendit, duke mos kursyer as gjakun e jetën e tyre. Sipas shumë të dhënave thuhej se, shumë familjar të tyre pas vitit 1945, kur Kosova pa dashjen e saj kishte ngelur nën okupimin serb e jugosllav, ata ishin të angazhuar në organizata e grupe ilegale shqiptare që luftonin për lirinë e Kosovës.

Udbashët, duke i ditur biografit e tyre, filluan, qysh në ditët e para të shkollimit, ti survejonin. Ata, nuk ishin të kënaqur me atë që panë, andaj filluan që të shohin një rrezik permanent nga ata. Ky ishte edhe shkaku që nga viti 1981, e deri më 2 dhjetor 1998 trinomi atdhetar ishte aktiv në veprimtarin ilegale ushtarake të Kosovës. Që nga ky vit, marrin pjesë aktive në demonstratat studentore. Po ashtu ishin aktiv në shkrimin dhe shpërndarjen e parullave e trakteve, me përmbajtje anti-jugosllave.

Që nga ditët e para të veprimtarisë ilegale, që i zhvilluan, e, deri më 2 dhjetor 1998, ata, për asnjë moment nuk ditën të ndalen. Ata, ecën edhe atëherë kur nuk mund të ecej dot, dhe me gjakun e tyre ujitën tokën e robëruar të Kosovës, për ditët e mira që i gëzojmë ne sot. Ilir Durmishi, Hyzri Talla e Afrim Maliqi, sintetizojnë dy dimensione të rëndësishme në harkun e tyre jetësor: 1. të besnikërisë dhe të vetësakrificës për shokët e idealit, si dhe nën 2. atë historik, të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Ndikimi i këtij trinomi të përbërë nga tre personalitete të përmasave të mëdha kombëtare, në rrjedhat historike shqiptare është i pakontestueshëm, i dukshëm, pozitiv, i përbashkët, por, edhe i veçantë. Shumica prej këtyre komponentëve, qe e stolisin personalitetin e njërit dhe tjetrit, si vëlla të këtij trinomi, nga studiuesit e vëmendshëm, mund të vërehen në tërësinë e jetës dhe të veprimtarisë së tyre të bujshme, të pandalshme, të rëndë, por, të suksesshme, dhe të kurorëzuar, më realizimin e shumicës së ideve dhe të planeve të tyre politike, ideore dhe kombëtare.

Dëshmori Ilir Durmishi, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi, u kthyen në sinonim të vullnetit dhe të dashurisë sonë individuale dhe kolektive, për t’u bashkuar me rrjedhat e rezistencës, dhe për t’u mobilizuar në fusha të ndryshme të rezistencës. Jeta dhe vepra e trinomit atdhetar dhe, e patriotëve të tjerë, të rënë në altarin e lirisë, fryma, roli, aksioma e jetëve të tyre, ishte një dhe e pandarë: kryekëput në shërbim të kauzës së lirisë.

Veçse, kjo kauzë e Bregut të Diellit, e parë nga dimensioni universal i kauzës së lirisë, ishte në bërthamën e saj edhe si një kauzë me mesazh ndërkombëtar. Se çfarë ishte roli dhe ndikimi i ngjarjes së Bregut të Diellit më 2 dhjetor 1998, e tregon fakti se pas kësaj ngjarje, rezistenca aktive në Kosovë, hyri jo vetëm në momentet e pakthyeshme të saj, porse, depërtoi edhe në agjendën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndërhyrja politike dhe ushtarake në Kosovë, përgjatë vitit 1999, tregon më së miri se si ngjarja e 2 dhjetorit, e e shumë dhjetorëve e janarëve të tjerë, pati ndikim të drejtpërdrejtë në arenën ndërkombëtare.

Nëpërmjet librit, të prof. Hamdi Thaqit, do të njihemi më mirë me sakrificën, mundin e vuajtjet e tyre dhe të brezave të tërë. Duke njohur çmimin e lirisë, brezat do ta duan dhe çmojnë më shumë atë, do ta ruajnë e mbrojnë më mirë, do ta përparojnë e forcojnë me shembullin e atyre që e sollën. Autori, prof. Hamdi Thaqi, nëpërmjet këtij botimi, ua bën të mundur gjeneratave të sotme, njoftimin me aktivitetin, veprimtarin dhe guximin e atdhetarëve të devotshëm të ndjehemi krenar për ata.

Jam e bindur se, me anën e këtij libri, autori Thaqi, ka arritur që në mënyrën më sublime, të freskojë dhe të ringjallë kujtesën kolektive, për historinë tragjike e, të dhembshme, që kanë kaluar atdhetaret tanë dhe shumë e shumë gjenerata të Kosovës martire. Kjo rilindje dhe ky libër janë shumë të nevojshme edhe për një arsye që të mos na përsëritet historia, sepse, po qe se harrohet ajo, jemi të detyruar ta përsërisim, thotë filozofi Santajana.

Monografia “Ilir Durmishi, dëshmor i kombit”, nga autori e studiuesi i jetës dhe veprës së atdhetarit, prof. Hamdi Thaqi, ka një strukturë përmbajtjesore që nuk e gjejmë tek biografitë e tjera të atdhetarëve. Përndryshe është një sihariq që na ofron të dhëna të bollshme biografike e historiografike, që gjer më tani kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Botimi i kësaj vepre do të jetë më se i mirëseardhur ngaqë jeta e vepra e Ilir Durmishit dhe shokëve të tij është e lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë më të re të lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë e më gjerë.

Dhe, krejt në fund, uroj autorin prof. Hamdi Thaqin për librin e punuar me shumë përkushtim dhe njëherë presim që nga penda e tij e vyeshme të na dhurojë edhe shumë vepra të tjera me vlera shkencore.

 (Fjalë e mbajtur në promovimin e librit “Ilir Durmishi, dëshmor i kombit”, Prishtinë, 11 mars, 2019)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë duke debatuar…