Një libër kundër mërzisë dhe ftesë për kuptimin e veprës së Adem Demaçit

26 shkurt 2025 | 18:21

(Selatin Novosella: “Adem Demaçi – Nderi i Kombit dhe Hero i Kosovës”, “Office Printy”, Prishtinë, 2025)

Arben Hoxha

 

Jemi mbledhur sot për të shënuar 89-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit – Heroit të Kombit shqiptar. 26 shkurti i vitit 1936 shënon ditën e ardhjes biologjike në jetë të Adem Demaçit. Për një familje, ardhja në jetë e një fëmije shënon një ngjarje. Sot, shënimi i 89-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit përmes veprës “Adem Demaçi – Nderi i Kombit dhe Heroi i Kosovës”, të përgatitur nga Selatin Novosella, na risjellë në vëmendje se lindja biologjike e Adem Demaçit, si fakt, nuk ishte vetëm një ngjarje për familjen, por fillesa e ndërmjetësimit të vetëdijes universale në individualitetin e tij, vlefshmëria e së cilës qëndron në realizimin e vetvetes përmes universalitetit të idesë së lirisë dhe aktualizimit të saj në praktikën tonë të sotme politike e shoqërore. Kjo vetëdije, duke hyrë në marrëdhënieje njohëse dialektike me veten e Demaçit, do të bëhet lëvizësi kulturor i ndërtimit të individualitetit të tij dhe, përmes tij, realizimit të vetvetes në shkallën e vetëdijes absolute brenda kombit shqiptar. Adem Demaçi është mishërimi i lirisë si vetëdije absolute. Heronjtë, vetëm si vetëdije absolute, arrijnë t’u paraprijnë dhe të bëhen transmetues të kauzave dhe qëllimeve kolektive. Në veprën “Historia dhe ndërgjegjja klasore” me të drejtë Gjergj Lukaçi konstaton se një sulm ndaj heronjve të një populli është një sulm ndaj qëllimeve të atij populli. Nga sulme të tilla Adem Demaçi nuk është kursyer as për të gjallë e as pas vdekjes së tij. E kjo do të thotë se sulmet, kundërshtimet, tjetërsimet dhe mohimet e qëllimeve të drejta të kombit shqiptar në histori vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Libri “Adem Demaçi – Nderi i Kombit dhe Heroi i Kosovës”, i përgatitur nga Selatin Novosella, i sjellë të përmbledhura dhe të strukturuara kronologjikisht të dhënat, të cilat e ndriçojnë faktin se Adem Demaçi ishte ngjarja në vetëdijen dhe jetën e kombit shqiptar. Pse themi kështu? Selatin Novosella, në mënyrë të përmbledhur, në këtë libër na sjellë Dekoratat, Çmimet, Shpërblimet, Mirënjohjet dhe Falënderimet që institucione shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare, shoqata e universitete, institucione qeverisëse lokale gjithandej trojeve shqiptare, kanë ndarë për kontributin që Adem Demaçi ka dhënë për lirinë dhe emancipimin kulturor të shqiptarëve. Këto Dekoratat, Çmimet, Shpërblimet, Mirënjohjet dhe Falënderime në harkun kohor 1989-2024, të përfshira brenda librit, kanë statusin e të dhënave. I nxitura nga nevoja emocionale dhe vullneti për rritjen e intensitetit veprues të kujtesës kolektive për figurën e Adem Demaçit, Selatin Novosella këto të dhëna, nga objektivi i perceptimit individual – duke i përfshirë ato brenda një libri – i vendos në fushën e perceptimeve tona kolektive si një mundësi për reflektim për të sotmen dhe të nesërmen tonë. Ndërkaq, vetë përmbajtja e Dekoratave, Çmimeve, Shpërblimeve, Mirënjohjeve dhe Falënderimeve, ka statusin e faktit, sepse ato janë ndërtuar nga interpretime e gjykime vlerësuese, të cilat burojnë nga arsyeja e subjekteve interpretuese e vlerësuese për figurën intelektuale, morale, atdhetare e krijuese të Adem Demaçit. Në rastin e parë, si të dhëna, ato na jepen në gjendjen e objektivitetit të tyre të pastër; në rastin e dytë, për shkak se i nënshtrohen një përpunimi mendimor e interpretues nga vetëdijet vlerësuese të subjekteve të caktuara, përmbajtja e Dekoratave, Çmimeve, Shpërblimeve, Mirënjohjeve dhe Falënderimeve, nuk është e ndarë nga subjektiviteti i atyre vetëdijeve vlerësuese.
Qëllimësia e vetëdijes së Selatin Novosellës për përgatitjen e këtij libri është që lexuesi të përballet me gjendjen e fakteve të shpalosura gjatë ceremonive të ndryshme të organizuara në nderim të figurës së Adem Demaçit. Pse? Njohja e akteve ceremoniale për ndarjen e Dekoratave, Çmimeve, Shpërblimeve, Mirënjohjeve dhe Falënderimeve, nuk është njohje e një procedure të jashtme e formale. Kurrsesi! Ceremonitë janë paradigma e lidhjes, unitetit, vazhdimësisë dhe përkushtimit tonë moral ndaj detyrave që na shtron koha jonë. Në dhe përmes ceremonive manifestohet ndjenja e përkatësisë, e identitetit, dhe e lidhjes me një kauzë e qëllim. Adem Demaçi ishte lëvizësi i kauzës dhe qëllimit të kombit shqiptar në histori. Ai është kauza dhe qëllimi ynë në lëvizje. Adem Demaçi, si atdhetar e veprimtar politik, do të marrë Dekorata, Çmime, Shpërblime, Mirënjohje dhe Falënderime, sepse me aktet e guximshme të tij në kohë pamundësie absolute veprimi, do të bëhet nxitësi për transformimin e situatës politike të gjysmës së kombit shqiptar nën kolonializmin jugosllav. Adem Demaçi ishte ndërprerësi i kauzalitetit dhe homogjenitetit mekanik-politik të kolonializmit jugosllav. Ndërkaq, si shkrimtar, Adem Demaçi do të marrë Dekorata, Çmime, Shpërblime, Mirënjohje dhe Falënderime, për arsye se përmes veprës së tij letrare ai do të shtrojë probleme të reja për kuptimin e thelbit të qenies dhe ekzistencës njerëzore dhe të kombit shqiptar.
Si është e mundur që një individ të bëhet ngjarja për lirinë në jetën e një kombi? Si është e mundur që sakrifica e Adem Demaçi edhe kur nuk do të sjellë fitoren e dëshiruar nga ai, vazhdon ta ruajë epërsinë morale të tij ndaj realitetit politik të djeshëm, të sotëm e të nesërm?


Heronjtë – thotë Niçe – në marrëdhënie me kohën janë sikur prindi me fëmijën e tij: fëmijës i duhet kohë e gjatë për të arritur në moshën e shtyrë të prindit të vet. Heronjtë dallojnë nga njerëzit e zakonshëm me gatishmërinë e tyre për sakrificë ndaj një kauze. Pra, me gatishmërinë për t’u përballur me vdekjen, si gjendje kufitare e ekzistencës. Për heronjtë vdekja nuk është kufiri i jashtëm i ekzistencës, por kufiri më i pranishëm brenda tërësisë së ekzistencës së tyre. Por, para se të kalojnë në akte sakrificash të dukshme, të perceptueshme, vetëdija e tyre kalon në një proces tensionesh e përplasjesh të vetvetes me kufirin fluid të vdekjes brenda ekzistencës së tyre. Heronjtë e ndiejnë dhe e pranojnë natyrshëm sfidën ndaj lëvizjeve dinamike të këtij kufiri. Pranimi është kushti i shkeljes të tij. Vullneti për shkeljen e kufirit që ndanë jetën nga vdekja brenda ekzistencës së tyre është kushti i realizimit të vetëvetëdijes për kuptimin autentik të ekzistencës njerëzore. Njerëzit e zakonshëm ia kanë frikën këtij kufiri. Ata, nga frika, me imagjinatën e tyre, kufirin e vdekjes e zhvendosin jashtë ekzistencës së tyre, duke mos e kuptuar se vetë ajo frikë është prania pushtetit të vdekjes në ta. Jashtësimin vizualizues të shkeljes së këtij kufiri Adem Demaçi (siç e thotë në romanin “Dashuria kuantike e Filanit”, por edhe në intervista të ndryshme) do ta bëjë duke e shkruar emrin e vet në një letër (si simbol të jetës) dhe duke e kallur atë letër me një shkrepëse (si simbol i hiçit). Shkelja e kufirit që ndanë jetën dhe vdekjen brenda ekzistencës do të jetë burimi prej nga sakrificat e jashtme në vetëdijen e Demaçit do të natyralizohet. Njeriu i natyralizuar me vdekjen është natyrë. Natyra nuk ndjen keqardhje për veprimet e veta me gjithë pasojat që bartin. Adem Demaçi nuk do të ndiejë keqardhje as për vuajtjet e tij e as për jetën e tij.
“Populli im duhet të mësojë nga vepra ime, por nuk ka pse të mërzitet për vuajtjet e mia”, thotë baca Adem. Për bacën Adem, mërzitja për vuajtjet e tij, do të thotë jo vetëm të mos jetosh me veprën e tij, por as të mos e kuptosh atë. Mërzia është tregues i mungesës së vetëdijes për lirinë dhe mungesës së idesë së lirisë në vetëdije. Mërzia nuk është solidaritet; është tregues refuzimit të komunikimit dhe i mospërshtatjes së vetëdijes me universalen e vet: lirinë. Mërzia është dëshmi se universaliteti nuk është aktual dhe i aktualizuar, por i zbrazët e abstrakt. Mërzia është shprehje e jashtme e kontradiktave të një vetëdije të pazhvilluar. Mërzia është kontigjenca emocionale që e pamundëson njohjen dhe ngritjen e një individi në shkallën e një vetëdije të pastër, e cila është e aftë ta kuptojë thelbin e vetvetes. Mërzia, për më tepër, sulmet ndaj figurës së Demaçit, janë treguesit e ngadalësisë dhe të frenimit të procesit të edukimit kulturor të individualitetit kolektiv të kombit shqiptar. Ky ngadalësim e frenim është mosfitore e Demaçit dhe, njëkohësisht, vazhdimi i epërsisë morale të tij brenda kombit tonë. Këtë epërsi të Demaçit në jetën e kombit shqiptar dje, sot dhe nesër, e përcakton dhe e vulos zgjedhja e tij morale që buron nga ideja e lirisë për të kuptuar të mirën dhe të keqen, të vërtetën dhe të pavërtetën, të drejtën dhe të padrejtën.
Libri “Adem Demaçi – Nderi i Kombit dhe Heroi i Kosovës”, i përgatitur nga Selatin Novosella, është një dëshmi e jashtme e epërsisë morale të Adem Demaçit, e cila i vihet në dispozicion vetëdijes kombëtare shqiptare për refleksion për marrëdhënien autentike që ajo duhet të ndërtojë me lirinë, të drejtën dhe të mirën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës nga Policia e…