NJË LIBËR ME VLERA TË PAZËVENDËSUESHME HISTORIKE

24 shkurt 2020 | 19:06

Shqipe GASHI

Kur e mora në dorë për herë të parë këtë libër, ishte viti i titullit, i vënë në kllapa, që dëshmon kohën, i cili më bëri përshtypje po aq sa vetë titulli. Pajtimi i gjaqeve në Kosovë brenda një viti? – Kjo ishte ajo pyetja e cila më shkrepi aty për aty.

Si është e mundur dhe kush ishin ata veprimtarë të zellshëm, që ia kanë arritur gjithë ato gjaqe, plagë e ngatërresa shekullore t’i pajtojnë brenda një kohe aq të shkurtër? – Ishte pyetja tjetër e radhës. Përgjigjen në këtë pyetje e gjeta brenda kopertinave të librit, ngjyrë gjaku! Autori, njëkohësisht dhe veprimtari, Lulëzim Etemaj, me një përkushtim e përpikmëri të pashoqe i ka prezentuar shumë rrjedhshëm dhe në detaje ato ngjarje historike. Gjatë leximit më dukej se isha në ato kohëra dhe i përjetoja me shumë emocione. 

Studentët Have Shala, Myrvete Dreshaj, Brahim Dreshaj, Adem Grabovci dhe Lulëzim Etemaj me entuziazmin e tyre rinorë, pasi lirohen nga burgu, si ish-të dënuar për çështje kombëtare, organizohen dhe duke treguar shumë maturi e vigjilencë fillojnë misionin e tyre, duke vënë në praktikë idenë e tyre madhore; pajtimin e gjaqeve, plagëve e ngatërresave, të cilat me qindra vite e kishin zymtësuar dhe rënduar së tepërmi jetën e shumë familjeve shqiptare në Kosovë. Ata për qëllim kishin zhdukjen e dukurisë së hakmarrjes, e cila iu kishte imponuar popullit shqiptar, krahas rrethanave tjera historike, edhe nga mosfunksionimi adekuat i ligjit.

Në libër gjejmë dokumente origjinale, vende, data e emra në numër të madh, të cilat pasqyrojnë ato ngjarje rrënqethëse dhe shumë të rëndësishme për thyerjen e asaj barrikade që ndante shqiptarët dhe zhdukjen e asaj dukurie, që kishte ndjellur dhe ushqyer vëllavrasjen. Argumentimi i Etemajt nëpërmes sjelljes së shkrimeve origjinale, të bashkëpunimit që kishin me mediet vendore të asaj kohe dhe përshkrimit të kontakteve edhe personale me familjet e prekura, tregon aftësinë dhe korrektësinë e tij profesionale.

Qëllimi i atij grupi nismëtarë prej pesë veprimtarësh, i cili më vonë u shndërrua në lëvizje gjithpopullore, ishte largimi i barrikadave dhe shuarja e hasmërisë në mes të familjeve të hasmuara. Por jo vetëm! Ideja e tyre largpamëse ishte njëkohësisht, që pas pajtimit të të gjitha gjaqeve anekënd vendit, ta motivojnë dhe bashkojnë popullin për luftën kundër armikut shekullor, Serbisë. Numri i madh i pajtimeve ose më mirë ta quaj zhdukja e gjakmarrjes (më tepër se 1100 gjaqe të faluara brenda një viti) është rezultat i një përkushtimi të pashoq të këtyre të rinjëve, më vonë të përkrahur personalitete të shumta. Në libër hasim sakrificën e atëhershme të këtyre veprimtarëve me një moral tejet të lartë dhe trimërinë e gjithë atyre familjeve zemërgjera, që e shtrinë dorën e pajtimit.

Me publikimin e këtij libri, Lulëzim Etemaj jo vetëm që dëshmon rezultatin e një suksesi të pakrahasuar të punës së tij dhe të katër veprimtarëve të tjerë me të cilët e fillon pajtimin e gjaqeve dhe bashkëvepron gjatë periudhës kohore njëvjeçare 1990-1991, por e prezenton edhe thelbin dhe rëndësinë e pikëpamjeve të tyre. Në këtë drejtim, ai rëndësi të veçantë iu jep pikërisht atyre që e shtrinë dorën e pajtimit.

“Pjesëtarët e familjeve të dëmtuara, që përqafuan nismën e rinisë së Kosovës, duke falur gjaqe, plagë e ngatërresa, ne emër të flamurit, të gjakut të derdhur të dëshmorëve, si dhe për bashkimin shpirtëror të popullit shqiptar, bënë një vepër më të çmueshme si në aspektin human, ashtu edhe në atë kombëtar, se sa përmbushja e obligimit moral tradicional ndaj viktimës, hakmarrjes!”. Ky është vlerësimi që Etemaj iu bënë në libër atyre familjeve si dhe aktit të tyre të lartë human dhe kombëtar.

Në libër, Etemaj na e përshkruan në hollësi punën, vendosmërinë dhe përkushtimin e dy prej themelueseve të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, duke mos e anashkaluar përgjithësisht edhe rolin e rëndësishëm të femrave tjera shqiptare.

Veprimtarinë e këtyre dy zonjave të denja, Have Shala dhe Myrvete Dreshaj, duke pasur parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat kanë vepruar, unë e shoh si të shenjtë! Ato ishin dy femrat e para, të shoqëruara nga tre bashkëveprimtarë moshatarë të tyre, që me një guxim të pa parë i hynë pajtimit të gjaqeve, detyrë kjo e cila deri në atë kohë i takonte vetëm burrave (pleqnarëve) që u peshonte fjala nëpër oda. Ky fakt më ka bërë edhe më krenare që jam shqiptare. Ato vepruan atëherë kur nëpër odat shqiptare kuvendonin dhe vendosnin vetëm burrat. Angazhimi i tyre i pa ndërprerë deri në arritjen e qëllimit, dëshmon se femra shqiptare edhe përkundër vështirësive të shumëfishta e ka dhënë kontributin maksimal kur ka qenë e nevojshme për të përkrahur rrugën e mirësisë e luftuar padrejtësinë dhe shtypjen. Ato të dyja me mençurinë dhe maturinë e tyre ia arritën t’i thyejnë edhe prangat patriarkale dhe të bindin edhe shumë nëna e motra të familjarëve të dëmtuar, se ato mund të ishin shembulli më i mirë i trimërisë dhe roli i tyre në familje, edhe për të vendosur, ishte po aq i rëndësishëm sa edhe i burrave.

E përgëzoj autorin Lulëzim Etemaj për punën e tij të shkëlqyeshme!

Me këtë monografi, ai popullit shqiptar i ka dhuruar një libër me vlera të pazëvendësueshme historike. Njëkohësisht e falenderoj që ma dha mundësinë të lexoj dhe njoh këtë pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë, të cilën atë kohë e kam ndjekur vetëm pjesërisht nga mediet dhe nga një largësi e madhe gjeografike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Specializuar ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara…