NJË LIBËR ME VLERË PËR LETËRSINË SHQIPE
Izet Abdyli
Nexhat Rexha është një prej krijuesve më produktivë në fushën e kritikës jo vetëm në aspektin sasior por edhe cilësor. Ai deri më tani ka dëshmuar veten me mbi njëqind vështrime, recensione, mbresa e studime të veprave letrare qoftë në zhanrin e poezisë, prozës, publicistikës etj.
Libri është strukturuar në tri pjesë poezia, proza dhe portrete, ndërsa autori ka ndjekur rrjedhën kronologjike të botimit të veprave të marra në shqyrtim. Edhe në librin e tij më të ri ai ka shtresuar kundrimet e tij për një serë librash në fushën e poezisë, duke dhënë mendime e vlerësime për poezinë e Beqir Musliut, Agim Matos, Anton Nikë Berishes, Sabit Rrustemit, Nuhi Sadikut, Ramadan Musliut,Naxhije Gashanit, Sarë Gjergjit, Selvete Abdullahut, Xhevahir Spahiut, Fredrik Reshpes etj.
Ndërkaq në fushën e prozës kritiku Nexhat Rexha bënë analiza të thukëta duke zbërthyer nuancat që i bëjnë të veçantë autorët librave të: Alice Munro, Ramadan Rexheli, Hamit Gurguri, Baki Krasniqi, Anton Nikë Berisha Zamira Rexhepaj dhe Xhavit Çitaku.
Në pjesën e tretë autori ka skalitur me mjeshtri figurat e dy personaliteteve të shquara të atdhetarizmës si Metush Krasniqi e Fazli Greiqevci të cilët aq bukur ditën t’i bashkojnë idealet e mësuesit dhe atdheut duke brumosur gjeneratat e reja me ndjenjën e lirisë. Fati i tyre ishte i njëjtë, të dy u burgosen e sakatosen në burgjet serboslllave që u sollën edhe vdekjen.
Në këtë pjesë autori analizon edhe një serë librash të autoreve tjerë që kanë shkruar për shkrimtarë apo personalitete të rëndësishme të historisë apo kulturës. Në përgjithësi mund të thuhet se ky libër ka një vlerë të rëndësishme qoftë për vlerën e librave të trajtuara në përgjithësi por edhe për letërsinë shqipe në veçanti.
Brenda kopertinave të tij mund të themi në mënyrë simbolike është përfshirë e tërë krijimtaria në gjeografinë shqiptare, sado që autori në këtë libër ka vështrime edhe për autorë të huaj të cilët në mënyrë direkte apo indirekte kanë shkruar dhe trajtuar tema me motive shqiptare.
Autori ka përdorur një gjuhë të pasur dhe ka një ligjërim të rrjedhshëm që i ofron kënaqësi gjatë leximit akëcilit lexues. Autorit i dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme në lërimin e zhanrit të kritikës që aq shumë na mungon në këtë kohë të vërshimit të botimit të vlerave dhe antivlerave.