Një libër për politikat e gabuara

31 janar 2020 | 15:52

Fitim NUHIU

Shtëpia botuese “Logos-A” nga Shkupi këto ditë nxori një vepër publicistike të shkrimtarit dhe publicistit të njohur Shkëlzen Halimi. Libri vë në pah amullinë dhe mungesën e shtegdaljes nga kjo gjendje, por edhe politikat e gabuara të subjekteve shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit tridhjetëvjeçar.

Lexuesi fare lehtë do ta ndiejë mllefin kundrejt politikave të mbrapshta që kanë udhëhequr dhe akoma po na udhëheqin në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky libër mund të thuhet se është një shkundje e ndërgjegjes intelektuale, por edhe asaj njerëzore dhe ngre pyetjen se si po lejojmë (ne populli) që kastat politike t’i keqpërdorin (kupto manipulimin) emocionet, duke ia mbyllur të gjitha shtigjet arsyes.

Autori godet antivlerat, injorancën moderne, krimin politik dhe vazhdimisht fton që njeriu i sotëm t’iu rikthehet shpirtërores së humbur dhe ta kultivojë përgjegjësinë qytetare, thjesht synon të ngrehë vetëdijen kolektive që secili ta gjejë rrugën e duhur në labirintet e pafundme.

Libri është edhe një ftesë për shoqërinë tonë që të ketë debate serioze qytetare, sociale, kulturore, ekonomike dhe politike, që të kemi një shoqëri të zhvilluar e demokratike dhe vazhdimisht tenton t’i heqë maskat dhe fasadën që ka kapluar sistemin tonë politik etj.

Gjithashtu, autori vë në pah se shoqërisë shqiptare e keqja i vjen nga brendia e qenësisë së saj e jo nga faktorët e jashtëm dhe të huaj. Libri është përplot me krahasime figurative artistike, që e pasuron dhe zmadhon gamën publicistike.

Për më tepër, duhet lexuar këtë vepër, pasi secilit do t’i qartësohet vetëdija rreth pozitës në të cilën është shoqëria jonë shqiptare, veçanërisht ajo në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një luftë e kombinuar politik0-diplomatike në trekëndëshin Beograd-Bruksel-Uashington,  e përfaqësuesve…