Një libër që na kthen tek ama e poezisë
Arben Veselaj
(Duke e lexuar librin “Yll në rrem” të Shefqet Rexhepit)
Kur e mora në shqyrtim librin poetik të Shefqet Rexhepit “Yll në rrem”, pata dy dilema: athua isha shpirtërisht i predisponuar sa duhet për ta lexuar një libër me poezi për fëmijë dhe a do të mund të bëja ndonjë koment për të? Vetëm pasi i rashë në fund e kuptova se sapo kisha lexuar një libër i cili më kishte munguar gjatë. I përmbushur estetikisht si rrallëherë, m’u kujtua shkrimtari dhe studiuesi italian i letërsisë për fëmijë, Luigi Santucci, i cili thotë se letërsia për fëmijë “është letërsi e magjisë dhe e mrekullisë”.
Libri “Yll në rrem” më erdhi si një mrekulli në fund të këtij viti me dergjë. Duke “rrjedhur” nëpër vargjet e sinqerta të tij kuptova se sa shumë na mungon sot letërsia për fëmijë – ajo pjesë e “letërsisë së madhe” në të cilën fytyra e botës tonë është më e bukur dhe më e mençur; ajo letërsi në të cilën bota jonë gjallon më e sinqertë, është e mençur, përrallore dhe proverbiale.
Duke i lexuar vargjet e këtij libri u binda se, më shumë se sa letërsia për të rritur, letërsia për fëmijë (edhe tek lexuesit e rritur) nxit fantazinë, kënaqësinë dhe fisnikërinë. Ky fakt të kujton atë debatin shekullor nëse letërsia së pari “lind” si letërsi për fëmijë dhe “bëhet” (zhvillohet) letërsi për të rritur, apo nëse prej “letërsisë për të rritur” mund të bëhet një “letërsi për fëmijë”? Nëse të gjitha teoritë letrare letërsinë për fëmijë e konsiderojnë si pasardhësen e drejtpërdrejtë të formave të para (të pastra) letrare, si: këngët dhe lojërat folklorike (poezia lirike dhe drama), fabulat, mitet dhe përrallat (poezia epike dhe proza), atëherë mund të thuhet me siguri se, letërsia për fëmijë është “forma e lartë” e letërsisë (koncepti i Aristotelit për format narrative). “E lartë” sepse letërsia për fëmijë brenda saj e ka çdo herë frymën didaktike dhe moralizuese, gjë e cila nuk mund të thuhet edhe për “letërsinë e të rriturve”. Edhe poezia e librit “Yll në rrem” e ka brenda saj këtë frymë, prandaj është “poezi e lartë”.
Duke e lexuar këtë libër ne sikur bëjmë një prapakthim në kohë: atëherë kur bota, me gjithë bukuritë dhe misteret e saj, rrëfehej përmes këngëve-lojëra, përmes përrallave dhe tregimeve plot fantazi, të cilat gjithmonë përfundonin me një porosi të drejtpërdrejtë didaktike-moralizuese.
Në vargjet plot harmoni të këtij libri hasim në poezi qe kanë brenda tyre figurat e mendimit, të cilat na dalin herë si akuarele pranverore, herë si mendime poeti, herë si porosi mësuesi, mbase edhe si testamente urtaku. Përmes një aliteracioni mjeshtëror autori na jep këngën për atdheun:
Lulëzon, lulëzon
Prizreni
Jehon, sogjon
Shkëlzeni. (Zëri i Balshajve)
Poezia “Breron shiu mbi Dardani” të kujton këngën popullore “Shi, shi, lagashi”, e cila edhe pse e krijuar kushedi në ç’stinë të lashtë arbërore, ende e ruan freskinë dhe magjinë gjuhësore. Por, në variantin e Shefqet Rexhepit ajo merr trajta të reja, natyrisht, me kuptime të bartura.
Shi, shi
Lag, o shi
Na merr ndër krah
Na merr në gji
Nuk durohet
Kjo zagushi.
Në fund duhet thënë se libri “Yll në rrem” ka një tendencë për t’u kthyer tek ama e këngës (poezisë), për t’ia zbuluar rrënjën fjalës me të cilën ndërtohet (imagjinohet) një botë e mirë (ideale). Përmes lojës magjike të vargënimit autori na shfaqet si një mjeshtër i rrallë i skemave kompozionale; na shpalos një botë ideale që gjallon brenda ëndrrave dhe vegimeve fëmijërore. Poezitë e këtij libri bëhen lojëra magjike përmes të cilave madhërohet e bukura, e mira dhe e vërteta, sikurse madhërohen edhe kryeshenjat e etnisë kombëtare shqiptare: atdheu, gjuha shqipe etj.
Javën që shkoi, në moshën 73-vjeçare, u nda nga jeta publicisti e poeti, Shefqet Rexhepi. Ata që e kanë njohur dhe kanë punuar me të e kujtojnë për kulturën dhe dijen e tij të rrallë. Shefqet Rexhepi ka lënë trashëgimi një veprimtari të pasur publicistike e letrare. Për më shumë se 35 vjet, krahas punës si gazetar e redaktor i Kulturës, ai ka shkruar dhe botuar kryesisht letërsi për fëmijë: “Si e mëson Luli historinë” (2005), “Princesha bëhet flutur” (2010), “Gjethe ëndërrimtare” (2010), “Yll në rrem” (2021).
Gjatë punës si gazetar në të përditshmen “Rilindja” ai kishte shkruar kryesisht për teatrin, ndërkaq shkrimet kritike për shfaqje të ndryshme që ishin dhënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës i ka përmbledhur në librin “Trekëndëshi artistik”.
Në përkujtim të Shefqet Rexhepit, më poshtë po e sjell një shkrim për librin e tij “Yll në rrem”, të cilin ai po përgatiste për shtyp në vjeshtën e vitit 2020, mu në pikun e pandemisë “Covid-19”. Shkrimi me titull “Një libër që na kthen te ama e poezisë” është botuar si parathënie e librit “Yll në rrem”.