Një libër që shkrinë forcën argumentuese me finesën eseistike

03 mars 2025 | 11:15

(Për librin publicistik të Imer Lladrovcit “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, botoi “Artini”, Prishtinë, 2024)

Arben Veselaj

Ka vite që njihem me Imer Lladrovcin dhe mund të them se marrëdhënia jonë ndan kryesisht pasione të përbashkëta mbi leximin dhe interpretimin kritik të mendimin shqiptar — qoftë ai historik, politik, kulturor, apo tjetër. Ne jemi prej atyre miqve, të cilët, përveç librave të mirë që lexojnë, i shkëmbejnë edhe shkrimet që shkruajnë. Përgjatë këtyre viteve të njohjes sonë, rrallë ka ndodhur që ndonjë shkrim i Imerit të jetë botuar pa e pas lexuar paraprakisht — qoftë në hapësirën mediale shqiptare — qoftë në atë gjermanofone.

Imer Lladrovci është emër i njohur në botën e publicistikës dhe diplomacisë së Kosovës. Ai ka botuar një numër të konsiderueshëm shkrimesh analitike, me tematikë politike, në shtypin shqiptar dhe atë gjermanofon. Lladrovci ka bërë karrierë diplomatike fillimisht si zëvendëskonsull, këshilltar, e më vonë edhe i udhëheqës i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtuttgart (2018-2022). Lladrovci, po ashtu, ka mbajtur edhe postin e Konsullit dhe të Udhëheqësit të Shërbimit konsullor në Vjenë (2013-2018), atë të zëvendëskonsullit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Shtuttgart (2009- 2013) etj.

Duke e ndjekur praktikën e leximit të shkrimeve të njërit-tjetrit, verën e vitit që shkoi, mes shkrimeve të tjera, Imeri ma dërgoi për lexim një përsiatje të veçantë, me titull “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pas leximit të atij shkrimi ia ktheva disa komente, duke i thënë se, pavarësisht se pajtohesha për problemet që shtronte, pastaj edhe me idetë që shfaqte e me mesazhet që transmetonte, shkrimi ishte i shkrirë në mëlmesat më pikante të eseistikes shqipe … dhe për këtë i jepja notë të lartë. Pra, komenti im i takonte vesit të pashmangshëm të redaktorëve, të cilët nganjëherë më shumë vlerësojnë anën formale, se sa përmbajtjesore të një shkrimi. Por, bashkë me këtë koment i shkrova dhe dy fjalë kritike personale: se po bënte një lloj mëkati që shkrimet si ai po i linte të vdirreshin nëpër përmbajtjet mediale online.

Sapo ia dhashë idenë e përmbledhjes së shkrimeve për t’i nxjerr në një botim të veçantë të printuar, pa një – pa dy, atë punë ma la në duar. Imeri më la të lirë t’ia përzgjedhja shkrimet, si dhe të bëja një radhitje e cila do të formalizohej si një libër i ndarë në kapituj, e që do t’i jepnin lexuesit një qartësi kronologjike, ideore dhe tematike.

Pastaj puna me këtë libër na mori verën dhe vjeshtën e vitit 2024. I falënderojmë recensentët — profesor Bajram Kosumin dhe profesor Arben Fetoshin, të cilët më pas e lexuan dorëshkrimin dhe dhanë vlerësimet e tyre, si dhe botuesin, Artin Ahmeti, i cili pa hezitim e mori dorëshkrimin për botim.

Si redaktor i këtij libri mendoj se është i shkruar me kulturë, me dije dhe me një sens të theksuar kritik. “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” është tekst miks — në mes të hulumtimit shkencor dhe përsiatjes së lirë eseistike, që provon të hedh dritë mbi rrugëtimin historik të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë; pastaj mbi rolin e diasporës shqiptare në këtë proces dhe mbi sfidat e vazhdueshme të shtetformimit në 25-vjetët e pasçlirimit.

Këtu, Imer Lladrovci, ndërthur përvojën diplomatike dhe angazhimin intelektual për të na dhënë këtë kronikë reflektuese, kryesisht mbi proceset që e kanë formësuar të sotmen e shtetit të Kosovës​. Libri shqyrton sidomos rolin e diasporës duke na ofruar argumente se si kjo diasporë nuk ishte thjesht financuese, por dhe një forcë politike që ndikoi në orientimin strategjik të luftës çlirimtare dhe më vonë edhe të procesit shtetndërtues të Kosovës. Në thelb të librit qëndron ideja se, Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk janë realitete të rëna nga qielli, por rezultat i një linje – pra i një rruge të gjatë vuajtjesh dhe përpjekjesh – shpeshherë vetëmohuese, politike dhe diplomatike, që përfshin periudhën e Lëvizjes ‘81, veprimtarinë e palodhshme e vetëmohuese të mërgatës, rezistencën e viteve ‘90-të dhe në fund luftën e UÇK-së. Përmes analizës së ngjarjeve historike si Marrëveshja e Rambujesë dhe administrimi ndërkombëtar i Kosovës, Imer Lladrovci hedh dritë mbi mënyrën se si këto episode kanë ndikuar në formësimin e shtetit të Kosovës​.

“Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” është një libër i cili jo vetëm dokumenton historinë politike të Kosovës, por dhe ngre çështje të rëndësishme mbi të ardhmen e saj. Në pjesën më të madhe të shkrimeve autori Lladrovci ofron argumente kritike se si shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës sot janë të rrezikuar për shkak të dështimit të madh të diplomacisë shtetërore të Kosovës. Lladrovci argumenton se pa një diplomaci të fuqishme, Kosova nuk do të mund të ruajë sovranitetin dhe të fitojë njohje të mëtejshme ndërkombëtare.

Me një strukturim tipologjik tematik libri “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” është edhe një ditar ngjarjesh historike — dëshmitar dhe protagonist i të cilave ka qenë vetë autori. Përveç përshkrimit të situatave dhe fenomeneve me një gjuhë të figurshme e bindëse, në këtë libër, në asnjë rast nuk provohet të fshihet mendimi dhe qëndrimi autorial. Përkundrazi, mendimi dhe qëndrimi i autorit Lladrovci na shfaqen hapur dhe drejtpërdrejt, për të gjitha çështjet kritike të shoqërisë shqiptare në gjithë hapësirën saj publike, politike, kulturore etj.

Imer Lladrovci, si të thuash, e zotëron mirë teknikën e ligjërimin publicistik. Ai ka një gjuhe të saktë, ekspresive, eseistike; ndërton fjali të gjata por të qarta dhe të artikuluara mirë. Shkrimi i tij është një ligjërim që shkrinë forcën argumentuese me finesën eseistike.

Për fund duhet thënë se “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” nuk është, siç dikush mund ta perceptoj – një libër për të kaluarën, por një reflektim mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Përmes këtij teksti autori na kujton se historia nuk është një rrëfim linear i triumfeve, por një proces i vazhdueshëm, ku çdo brez duhet të luftojë për ta mbrojtur atë që është fituar.

Po ta përmblidhja me një fjali mendimin për këtë libër do të thosha se është një përgjigje intelektuale e Imer Lladrovcit ndaj të gjithë atyre që sot po duan ta rrënojë traditën e lavdishme liribërëse dhe shtetndërtuese të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Atlas ka njoftuar se ka rritje alarmante të infeksioneve…