Një libër që sjell mesazhe edukuese e këshilluese për fëmijë

06 nëntor 2018 | 12:43

Izet Abdyli

Avdi Shala “Shtëpia në qiell” tregime për fëmijë botoi “Rozafa” Prishtinë, 2018

Avdi Shala i ka dhuruar letërsisë shqipe një sërë librash për fëmijë të zhanreve të ndryshme, si: poezi, tregime, novela, romane e drama, dhe tani vjen me librin e tregimeve “Shtëpia në Qiell”, i 27-ti me radhë.
Një libër ku ndërthuren ëndrrat, dëshirat e gëzimet fëmijërore. Autori me lehtësi shtjellon idetë të cilat lindin krejt në mënyrë spontane qoftë nga dialogjet mes fëmijëve e prindërve, fëmijëve e mësuesit dhe fëmijëve mes veti. Autori ka arrit që t’u jep kuptim ngjarjeve duke sjellë mesazhe edukuese e këshilluese për fëmijët. Fantazia e shkrimtarit na sjell edhe komunikimin e fëmijëve me shtazët dhe shpezët por gjithmonë në funksion të nxjerrjes së porosive se si duhet evituar të keqen dhe përqafuar të mirën. Edhe kur nganjëherë prindërit zihen në zgripc për t’u treguar ndonjë përrallë fëmijëve si rasti me tregimin për mollët, shkrimtari me imagjinatën e tij e nxjerr prindin nga situata dhe në vend të hidhërimit ai sjell buzëqeshjen e fëmijëve.

Edhe tregimi për dorën e zgjatur (Çka nuk guxon dora) është një këshillë universale për fëmijët se dora nuk duhet të futet kudo ngase kafshimi gjarprit është i rrezikshëm. Janë dhjetëra tregime ku shkrimtari udhëzon fëmijët për respektin që duhet të kenë për prindërit, të moshuarit, mësuesin etj. Në këtë libër na shfaqen edhe imazhe me koloritin e natyrës së bukur, gurgullimën e lumit, blerimin e natyrës, shkëlqimin e diellit, rrezatimin e hënës së bukur etj. Edhe rrëfimet e kohës së okupimit por edhe pasojat e luftës shtjellohen me mjeshtri. Veset e pamira si rrena, vjedhja, mashtrimi e krekosja zë vend në shumicën e tregimeve të autorit të librit. Ajo çka bien në sy në të gjitha këto tregime autori tejkalon situatat dhe dilemat që shtrohen në dialogjet prindër-fëmijë, shoku me shokun, fëmijë me kafshë apo gjallesa tjera, duke gjetur përherë rrugëzgjidhje, siç veprohet edhe me tregimin “Shtëpia në qiell” që është edhe titulli i këtij libri.

Me një fjalë brenda kopertinave të këtij libri ka vend për të gjithë, si:për gjyshin e gjyshen, vogëlushet me epitete zog, pëllumb, fluturak etj, babushin e mamin, pastaj shtazë e shpezë si: kali, lepuri, macja, qeni, zogu, pëllumbi, shqiponja etj. Edhe bota bimore defilon si një pranverë e ylbertë e mbushur me koloritin e ngjyrave përplotë hijeshi. Dora e poetit si me një magji shtrihet në të gjitha hapësirat e ambientet ku jetojmë duke mbledhur sikur bleta nektarin e dromcave të jetës e duke i kthyer në trajtë rrëfimesh për lexuesit e vegjël.

Ndonëse libri ka 84 tregime dhe është konceptuar në dy pjesë që lenë të kuptohet se autori ka futur dy libra në një libër, larushia tematike e tregimeve bënë që lexuesin ta mbaj përherë kureshtar dhe përkundër volumit të madh ai të lexohet me kënaqësi. Përvoja krijuese e shkrimtarit ka bërë që ai të futet në botën e lexuesve të vegjël duke u servuar këtë libër çokollatë të cilën do ta shijojnë me ëmbëlsi. Arsenali i fjalëve dhe gjuha e folur është e natyrshme ndaj edhe lexuesit e vegjël me lehtësi do t’i “kapërdijnë” këto tregime. Me këtë libër autori po e pasuron fondin e letërsisë shqipe për fëmijë ku numri i krijuesve për fëmijë po shënon rënie.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëshortja e Enver Hoxhës e ka quajtur fashist planin e…