Një libër shumë i rëndësishëm për ekzekutimin e shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944-1990
(Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha, “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave (1944-1990)”, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, 2024, f. 1179)
Prof. Asoc. Dr. Haxhi ADEMI
Libri “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave (1944-1990)” i autores Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha paraqet një kontribut të jashtëzakonshëm në historiografinë shqiptare dhe në dokumentimin e periudhës më të errët të historisë së Kosovës nën regjimin jugosllav. Botuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, ky studim përmban një hulumtim të thelluar dhe të pasur në detaje që i ofron lexuesit një panoramë të plotë mbi trajtimin dhe represionin që shqiptarët përjetuan nga institucionet e regjimit jugosllav, konkretisht OZNA (Organizata për Sigurinë e Popullit) dhe UDB (Agjencia e Sigurimit të Shtetit).
Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha, përmes këtij studimi të thelluar dhe të gjatë, ka trajtuar një temë me rëndësi të jashtëzakonshme nga aspektet historike, humane, morale dhe patriotike. Në këtë libër të gjerë dhe të mirëstrukturuar, ajo prezanton në mënyrë shkencore biografinë dhe veprimtarinë e qindra e mijëra aktivistëve dhe patriotëve shqiptarë, të cilët kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme për çlirimin dhe nga pushtimi jugosllavë. Ky libër sjell përpara lexuesit jo vetëm ngjarje historike, por edhe dimensionin human dhe moral të qëndresës së popullit shqiptar ndaj politikave shfarosëse të një regjimi të dhunshëm dhe represiv.
Puna e Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Bashës është e veçantë, jo vetëm për thellësinë e kërkimit dhe qartësinë e analizës, por edhe për kontributin e saj në ruajtjen e kujtesës kolektive. Përmes trajtimit të detajuar të biografive dhe veprimtarive të qindra e mijëra patriotëve dhe aktivistëve shqiptarë, autorja ndihmon në rivendosjen e identitetit dhe dinjitetit të tyre historik, duke treguar sakrificat e mëdha që ata bënë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Ky punim është një kontribut i vyer për ruajtjen dhe dokumentimin e kujtimeve dhe përpjekjeve të këtyre individëve, duke ofruar një pasqyrë të detajuar dhe të thelluar mbi angazhimin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.
Libri gjithashtu shërben si një dokument i çmuar historik për të kuptuar më mirë ndikimin e institucioneve represive jugosllave mbi shqiptarët, si dhe përpjekjet e tyre të palodhura për të mbijetuar dhe për të ruajtur identitetin kombëtar. Nëpërmjet analizës së veprimtarive të OZNA-s dhe UDB-së, përshkruhet qartë se si këto organe përdorën metoda të pamëshirshme për të eliminuar çdo lëvizje që i kërcënonte planet hegjemoniste të shtetit jugosllav, duke përfshirë burgosje, tortura dhe ekzekutime.
Parathënia e librit, e shkruar nga vetë Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, shpreh nderim dhe respekt të thellë për të gjithë ata që u flijuan për idealet e lirisë dhe pavarësisë. Ajo e përshkruan këtë libër si një homazh për viktimat e terrorit jugosllav, duke theksuar se sakrificat e tyre, nga burrat dhe gratë deri te fëmijët, janë një monument kujtimi dhe krenarie kombëtare. Kjo hyrje vendos një ton reflektues dhe prekës për lexuesin, duke e përgatitur atë për të kuptuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre kujtimeve dhe përpjekjeve për brezat e ardhshëm. Kjo vepër e Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Bashës, përtej faktit që mbetet një dokumentim historik, luan një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm për padrejtësitë dhe vuajtjet e popullit shqiptar gjatë periudhës komuniste në Jugosllavi.
Në pjesën e parë të veprës së Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Bashës, vërehet një qasje metodologjike dhe empirike e thelluar mbi ngjarjet pas Luftës së Dytë Botërore, e cila përshkohet nga një analizë e hollësishme e kontekstit politik dhe shoqëror në Kosovë. Autorja adopton një paradigmë të analizës kontekstuale për të eksploruar proceset e vendosjes së regjimeve pas luftës dhe përpjekjet e organizatave shqiptare për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të siguruar lirinë politike në një klimë represive. Kuvendi i Prizrenit (8-10 korrik 1945) del si një moment kyç për të kuptuar dinamikat e reja politike në rajon dhe për të ndriçuar natyrën e përballjes midis nacionalizmit shqiptar dhe represionit jugosllav.
Prof. Dr. Keçmezi-Basha përdor një qasje të historiografisë kritike, duke analizuar faktorët politikë dhe organizativë që përcaktuan fatin e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH). Ajo ndërton argumentet e saj mbi burime arkivore, dokumente të panjohura më parë dhe analiza të diskurseve politike të kohës. Përmes kësaj qasjeje, lexuesi mund të shohë se si aktivitetet e LNDSH-së dhe organizatave të tjera të ngjashme u formësuan nga konteksti i zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Në analizën e Kuvendit të Prizrenit dhe LNDSH-së, autorja shfrytëzon elemente të analizës strukturo-funksionale për të kuptuar zhvillimet politike të asaj periudhe. Kuvendi i Prizrenit është një pikë qendrore për të kuptuar se si elitat lokale shqiptare dhe populli u përballën me sfidat e reja të krijuara nga regjimi i ri jugosllav. Pjesa e parë kontribuon në pasurimin e literaturës shkencore me një analizë shumë-dimensionale, që fokusohet në përpjekjet për vetëvendosje dhe sfidat politike të nacionalizmit shqiptar në një mjedis të ndërlikuar politik. Veprimtaria e forcave nacionaliste dhe demokratike shqiptare, e cila përfshin Kongreset e LNDSH-së dhe veprimtarinë e organizatës ilegale “Besa Kombëtare”, përbëjnë një temë me rëndësi të veçantë për të kuptuar format dhe strategjitë e rezistencës kundër regjimit të ri politik të vendosur në Kosovë dhe Shqipëri pas 1945.
Kjo pjesë e studimit të Prof. Dr. Keçmezi-Bashës paraqet një qasje gjithëpërfshirëse dhe të mirëstrukturuar që ndriçon lidhjet komplekse midis akterve politikë dhe lëvizjeve shqiptare në një periudhë historike shumë të ndërlikuar. Përmes përdorimit të një metodologjie të sofistikuar dhe analizës të hollësishme të burimeve të dorës së parë, autorja kontribuon në rivlerësimin historiografik të rezistencës shqiptare, duke theksuar dimensionet e saj patriotike, politike dhe morale.
Kjo pjesë e studimit përshkruan një periudhë kyçe të rezistencës shqiptare në Kosovë midis viteve 1948-1947, e karakterizuar nga formimi i organizatave ilegale që synonin mbrojtjen e interesave kombëtare dhe bashkimin e tokave shqiptare me shtetin amë. Përmes një analize të thelluar të organizatave dhe grupeve të ndryshme të përmendura, studiuesja vë në pah dinamikat komplekse të rezistencës dhe përpjekjet për të sfiduar hegjemoninë jugosllave.
Përgjatë kësaj periudhe, forcat represive jugosllave, OZNA dhe UDB-ja, ishin të angazhuara në një fushatë sistematike për shtypjen e çdo lëvizjeje që përpiqej të promovonte idealet kombëtare shqiptare. Ekzekutimi i shqiptarëve nga këto organizata të sigurisë e thekson karakterin brutal të regjimit dhe krijimin e një klime terrori politik që synonte të eliminojë çdo formë opozite ndaj regjimit. Kjo periudhë mund të karakterizohet si një periudhë represioni politik të përhapur, që kishte për qëllim asgjësimin e lëvizjeve kombëtare.
Në pjesën e parë të studimit renditën disa nga organizatat ilegale më të rëndësishme të cilat vepruan në Kosovë midis viteve 1948-1974. Organizata të tilla si “Bashkimi Shqiptar” (1949), “Votra Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare” (1952), dhe grupet e individëve si Aziz Spahia dhe Njazi Maloku, përfaqësojnë strukturat e para të organizuara që sfiduan pushtetin jugosllav. Këto organizata vepruan kryesisht në ilegalitet dhe synuan për të krijuar një bazë të qëndrueshme për veprime të koordinuara kundër regjimit. Lëvizjet ilegale të kohës i dhanë një rëndësi të veçantë strukturalizmit dhe organizimit të brendshëm. P.sh., Organizata ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” e udhëhequr nga Metush Krasniqi, kishte një program të mirëdefinuar politik dhe një strukturë organizative që përfshinte referate politike, propozime për formacione ushtarake, dhe ndarje të qarta të detyrave. Kjo organizatë tregoi një përpjekje të qëndrueshme për të krijuar një rezistencë të centralizuar, që mund të vepronte në mënyrë koherente për të arritur qëllimet e saj.
Më pas, studiuesja Prof. Dr. Keçmezi-Basha ofron të dhëna për “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), e themeluar në vitin 1963 nga Adem Demaçi, e cila shënon një pikë kthese në historinë e lëvizjeve ilegale shqiptare. Kjo lëvizje, me një strukturë të shpërndarë në disa komitete të veçanta në qytete të ndryshme të Kosovës si Peja, Gjakova, Prishtina, Mitrovica dhe Gjilani, përfaqëson një përpjekje më të organizuar dhe më të sofistikuar për të çuar përpara qëllimet e lëvizjes kombëtare shqiptare. Aktiviteti politik i Demaçit dhe mbështetja e tij për idenë e bashkimit kombëtar janë të lidhura ngushtë me traditën e rezistencës së hershme, ndërsa kjo lëvizje luajti një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të frymës së luftës për liri.
Një nga temat kryesore të kësaj periudhe është vazhdimësia e rezistencës ilegale deri në vitet 1990. Organizatat ilegale shqiptare që vepronin në Kosovë gëzonin shpesh mbështetje nga Shqipëria, e cila përfaqësonte një burim të rëndësishëm mbështetjeje morale, politike dhe ndonjëherë materiale. Ndikimi i Shqipërisë në formimin e organizatave ilegale ishte i theksuar dhe ndikoi drejtpërdrejt në strategjitë dhe taktikave e grupeve të ndryshme që luftonin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Studimi i këtyre organizatave ilegale ofron një kuptim të thellë të dinamikave të rezistencës dhe sfidave me të cilat përballeshin shqiptarët nën një regjim të rreptë represiv. Këto lëvizje, pavarësisht nga kufizimet e tyre të brendshme, luajtën një rol thelbësor në mbajtjen gjallë të idealit të lirisë kombëtare dhe të bashkimit të tokave shqiptare.
Në kapitullin e dytë, studiuesja Prof. Dr. Keçmezi-Basha, ofron një kronikë të detajuar mbi biografitë dhe veprimtarinë patriotike të atdhetarëve shqiptarë, të cilët u ekzekutuan nga shërbimet sekrete jugosllave OZNA dhe UDB-ja, gjatë harkut kohor 1944-1990, një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe e errët për popullin shqiptar në Kosovë. Këto vite karakterizohen nga një represion sistematik, ku elementët më të dalluar të rezistencës shqiptare u bënë objektiv i eliminimeve fizike dhe persekutimit politik nga aparati shtetëror jugosllav.
Ky kapitull përmban një përshkrim të thelluar dhe analitik të individëve të përzgjedhur, duke vënë në dukje jo vetëm kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në çështjen kombëtare, por edhe vështirësitë dhe vuajtjet e pashmangshme që i shoqëruan në përpjekjet e tyre për liri. Nëpërmjet biografive, Basha krijon një panoramë të qartë të asaj që ishte një rezistencë kombëtare sistematike dhe e organizuar, e cila, përkundër dhunës shtetërore dhe politikave të asimilimit, vazhdoi të mbante të gjallë idealet e bashkimit kombëtar dhe pavarësisë.
Kapitulli dallohet për rëndësinë e tij të madhe akademike, duke shërbyer si një burim për studiuesit e historisë së Kosovës dhe për të gjithë ata që janë të interesuar në dinamikat politike dhe shoqërore të kësaj periudhe. Ky kapitull ofron një pasqyrë të detajuar të figurave të spikatura, që jo vetëm kontribuuan aktivisht në luftën për liri, por u bënë gjithashtu viktima të një politike brutale represioni. Rëndësia historike e këtij segmenti qëndron në dokumentimin e sakrificave dhe përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë përballë një represioni të fuqishëm shtetëror. Biografitë e përfshira në këtë kapitull janë të mbështetura në burime të shumta dhe të besueshme, duke përfshirë dokumente historike, dëshmi arkivore dhe burime të tjera të dokumentuara, të cilat ofrojnë një analizë kritike dhe të detajuar të personaliteteve të trajtuara.
Ky nivel dokumentacioni dhe mbështetjeje në burime të mirëfillta rrit vlerën shkencore të kapitullit dhe kontribuon në ofrimin e një pasqyre të qartë dhe të besueshme për sakrificat dhe veprimtarinë e këtyre individëve, të cilët dhanë jetën për kauzën kombëtare. Studimi ofron një kuptim më të thelluar të periudhës dhe kontekstit politik në të cilin vepruan këta individë, duke theksuar nevojën për një rivlerësim të plotë dhe objektiv të historisë së Kosovës dhe të kontributit të këtyre figurave në çështjen e pavarësisë dhe identitetit kombëtar.
Në kapitullin e tretë të librit, autorja Prof. Dr. Keçmezi-Basha, fokusohet në një analizë të detajuar të ekzekutimeve masive dhe represionit sistematik të shqiptarëve nga strukturat e sigurimit jugosllav, OZNA dhe UDB-ja, gjatë periudhës së gjatë dhe tragjike 1944-1990. Ky kapitull përbën një kontribut tejet të rëndësishëm për historiografinë shqiptare, duke hedhur dritë mbi një nga kapitujt më të errët të historisë së Kosovës dhe shqiptarëve në kuadër të Jugosllavisë së pasluftës. Prof. Dr. Keçmezi-Basha, me një metodologji të bazuar në analiza të hollësishme dokumentare dhe dëshmi arkivore të besueshme, ofron një katalog të plotë të viktimave të kësaj dhune, duke përfshirë emrat, datat dhe rrethanat e ekzekutimeve të kryera nga organet e sigurimit jugosllav. Kjo listë përbën një element kyç për të kuptuar përmasat e këtij gjenocidi të heshtur ndaj shqiptarëve, duke plotësuar boshllëqet e mëdha në historiografinë shqiptare të periudhës së regjimit jugosllav. Ndër aspektet më të rëndësishme të këtij kapitulli është përdorimi kritik i burimeve historike. Autorja i qaset burimeve arkivore me një rigorozitet të lartë shkencor, duke integruar dëshmi të ndryshme nga arkivat shtetërore jugosllave, dokumente të periudhës dhe rrëfime të dëshmitarëve okularë, për të ndriçuar të vërtetën historike që për një kohë të gjatë ka mbetur e anashkaluar apo e censuruar. Ky angazhim i fortë shkencor e bën kapitullin një dokument historik të pakontestueshëm, duke ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të ekzekutimeve dhe persekutimeve të kryera gjatë këtyre dekadave. Kjo analizë nuk ka vetëm vlerë historike dhe dokumentare, por edhe politike dhe shoqërore. Ajo nxit një rishqyrtim të ri mbi historinë e represionit jugosllav ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke theksuar nevojën për një rivlerësim të plotë dhe objektiv të kontributit të viktimave të këtij represioni në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar. Figura e viktimës në këtë kapitull nuk shihet vetëm si objekt i dhunës, por edhe si subjekt aktiv i një përpjekjeje për të ruajtur dhe mbrojtur idealet e lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Kjo qasje e bën kapitullin veçanërisht të rëndësishëm për studiuesit dhe analistët që kërkojnë të kuptojnë më thellë dinamikat e pushtetit dhe rezistencës në periudha të represionit të rëndë politik.
Në fund, përmes listës së detajuar të ngjarjeve dhe viktimave, ky kapitull arrin të vizualizojë përmasat e represionit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe të shpjegojë përse kjo periudhë përbën një nga sfidat më të mëdha për popullin shqiptar në Kosovë. Një listë e gjatë dhe e dhimbshme e atyre që u ekzekutuan në mënyra çnjerëzore nga regjimi jugosllav, e cila ndihmon të kuptojmë më qartë dhe më thellë se çfarë përmasa kishte tragjedia kombëtare.
Pjesa e përfundimit të studimit, autorja Prof. Dr. Keçmezi-Basha, ofron një panoramë të gjerë mbi kontekstin historik dhe ngjarjet që pasuan Luftën e Dytë Botërore, veçanërisht në lidhje me çështjen shqiptare në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Analiza nxjerr në pah disa pika kyçe dhe tregon se çështja kombëtare shqiptare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore ishte një betejë komplekse mes shpresave për bashkim dhe zhgënjimeve të mëdha nga ndërhyrjet dhe tradhtitë e forcave të huaja. Konferenca e Bujanit mbetet një moment kyç në histori, ku shqiptarët demonstruan vullnetin e tyre për vetëvendosje. Pas miratimit të Rezolutës së Bujanit serbët dhe malazezët filluan të shfaqin hapur urrejtjen dhe të përndjekin ata që kishin marrë pjesë në konferencë. Shumë prej hartuesve të rezolutës u vranë, dhe përndjekja e shqiptarëve filloi në shkallë të gjerë. Bandat çetnike u përfshinë në krime masive kundër popullatës civile shqiptare, duke realizuar planet e memorandumit të Vasa Çubrilloviqit. Në vitin 1945, regjimi jugosllav intensifikoi represionin, duke përdorur OZNA-n dhe njësi të tjera ushtarake. Sipas të dhënave, në burgjet jugosllave në atë kohë u mbajtën mbi 12,000 shqiptarë, prej të cilëve shumë u ekzekutuan pa gjyqe. Vrasjet masive u përhapën në të gjithë Kosovën dhe në viset e tjera shqiptare.
Sipas burimeve të ndryshme, numri i të vrarëve në qytete dhe rajone të ndryshme ishte teje i lartë. Këto masakra janë përfaqësues të një politike të qëllimshme të eliminimit të shqiptarëve. Gjykatat ushtarake dhe ato popullore u përdorën për të dënuar shqiptarët që ishin kundër pushtetit jugosllav. Dënimet varionin nga burgimet e gjata deri në ekzekutime me pushkatim. Vetëm gjatë vitit 1945, në Kosovë u dënuan 344 persona, prej të cilëve 49 u ekzekutuan. Në vitet pasuese, numri i të dënuarve u rrit. Në periudhën 1945-1955, u dënuan gjithsej 2,089 shqiptarë, kryesisht anëtarë të organizatave ilegale, siç ishin Lidhja e Dytë e Prizrenit, NDSH-ja, dhe “Besa Kombëtare”. Sipas një̈ statistike të organeve të pushtetit, “gjatë vitit 1945, u eliminuan 1.416 të arratisur, prej të cilëve 292 u vranë̈, 148 u zunë̈, ndërsa 195 u dorëzuan. Nga njësit e UNÇJ-së u vranë 9 dezertor, kurse u dorëzuan 847 veta. Në Greqi ikën 196, kurse në Shqipëri 25 veta.” Por shifrat ishin shumë më të mëdha. Shumë prej të burgosurve nuk përballeshin me gjykata të rregullta, por ekzekutoheshin pa gjyqe dhe në mënyrë të fshehtë. Gjykatat ushtarake dhe ato popullore organizonin “spektakle” publike, ku qytetarët detyroheshin të merrnin pjesë në seancat gjyqësore që përfshinin tortura psikologjike të rënda për të burgosurit. Vitet 1945-1948 ishin karakterizuar nga përpjekjet e Partisë Komuniste Jugosllave për të forcuar pushtetin e saj. Sipas statistikave të gjykatave të qarqeve në Kosovë, shumë nga të dënuarit ishin anëtarë të organizatave ilegale që luftonin për të drejtat e shqiptarëve.
Shqiptarët u përndoqën masivisht edhe nga UDB-ja, duke u ekspozuar ndaj torturave të rënda përpara proceseve gjyqësore. Nga këto të dhëna, është e qartë se pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia ndërmori një fushatë të gjerë dhe sistematike të persekutimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve, me qëllim konsolidimin e pushtetit të saj në rajonet shqiptare. Këto krime përfshijnë vrasje masive, burgosje pa gjyq, tortura dhe ekzekutime pa asnjë proces të drejtë ligjor.
Në përmbledhje, kjo vepër është një ndihmë për studiuesit dhe për ata që janë të interesuar për historinë e Kosovës. Vepra ofron një dokumentim të vuajtjeve dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë periudhës së regjimit jugosllav. Ky studim është një kontribut i vlefshëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe në përpjekjet për të sjellë në dritë të vërtetat e kaluara.