Një libër si kundërvënie ndaj ngrehinës shpifëse të Dick Marty-t

10 qershor 2022 | 11:28

(Vështrim përmbajtjesor e ideor për librin e gjeneral Kudusi Lamës “UÇK përballë shpifjeve”, botoi “OLYMP”, Prishtinë 2022)

Arben Veselaj

Libri “UÇK përballë shpifjeve” nga gjeneral Kudusi Lama, në shikim të parë lë përshtypjen e një vështrimi historiko-publicistik mbi luftën politike e propagandistike mbi njëzetvjeçare kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por në fakt ai është shumë më shumë se kaq: është një analizë gjithëpërfshirëse politike e juridike e aspekteve ushtarake, i bazuar, i argumentuar, i analizuar dhe i krahasuar mbi fakte e dokumente autentike.
Ky libër, si rrallë ndonjë tjetër deri më tani, me informacionet e argumentuara, të mbështetura në një dokumentacion të sistemuar, i kundërvihet – në radhë të parë raportit famëkeq të ish-senatorit dhe ish-prokurorit zviceran, Dick Marty dhe Gjykatës Speciale, ku po gjykohen padrejtësisht protagonistët kryesorë të luftës së UÇK-së.
Më tej, libri i bën kundërshti edhe dokumenteve politike e propagandistike të sponsorizuara nga shtetit serb, kundër luftës së UÇK-së, siç është ai me titull “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare – Dosjet sekrete” (që për autor ka njëfarë Milosh Obiliqi, prapa të cilit, padyshim se qëndron ndonjë përfaqësues i lartë i Prokurorisë ose i Ushtrisë së Serbisë), duke mos lënë anash as fushatat e ulëta të shpifjeve e të pavërtetave, të cilat u përdorën në Kosovë si luftë politike kundër bartëse kryesorë të luftës çlirimtare etj.
Me përmbajtjen dhe me mesazhin libri i Kudusi Lamës “UÇK përballë shpifjeve”, mund të interpretohet edhe si një kundërvënie ndaj gjithë armiqve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët në qershor të vitit 1999 lirinë e saj e përjetuan si humbjen e tyre, ndërkaq pavarësinë sot e trumbetojnë si “precedent të së drejtës ndërkombëtare”.
Lufta politike e propagandistike kundër UÇK-së e sponsorizuar nga shteti serb dhe e mbështetur fort nga lobet politike ruse në disa qendra politike evropiane, ka nisur që nga viti 1999, por kulmoi në janar të vitit 2011 kur Asambleja e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë të bazuar në raportin e ish-senatorit dhe ish-prokurorit zviceran, Dick Marty, i cili duke ia bërë argatin institucionit evropian që atëkohë kontrollohej nga lobet ruse – Këshillit të Evropës, inkriminoi shumë rëndë luftën për liri të popullit të Kosovës. Edhe pse ky raport ishte hartuar krejtësisht bazuar në dokumentet politike të Prokurorisë serbe, për fat të keq e arriti efektin mashtrues tek disa institucione të caktuara ndërkombëtare, duke bërë që ndaj luftës së UÇK-së dhe liderëve të Kosovës të ngrihen dyshime absurde, anakronike e krejtësisht të fabrikuara në makinerinë e vjetër të propagandës serbe.
E keqja e raportit të Dick Marty-t nuk ndalej vetëm te inkriminimi i UÇK-së; përmes tij hidhej një hije e zezë edhe mbi Republikën e Shqipërisë, për shkak se edhe ajo “involvohej” me territorin dhe logjistikën e saj, në kinse “trafikim me organe njerëzore”. Kundër kësaj fushate të egër e të pashembullt pati disa përpjekje mbrojtëse nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në Këshillin e Evropës, si dhe në disa institucione të tjera të Bashkimit Evropian (BE), por ato qenë të fare të zbehta dhe të pamjaftueshme. Si rezultat i dosjeve politike të Prokurorisë serbe doli raporti i Dick Maty-t, e si rrjedhojë – rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Evropës, dhe, në fund fare – si rezultat i presionit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar institucioni legjislativ i Kosovës u detyrua të nxirrte vendimin për formimin e Gjykatës Speciale.
Gjeneral Kudusi Lama është mbase autori i parë që brenda një libri e shtron krejt raportin famëkeq të Dick Marty-t dhe e analizon atë fjalë për fjalë. Duke u ndodhur para një dëmi të madh – pra para një mashtrimi të pabesueshëm në të cilin ka rënë dhe është gjunjëzuar drejtësia ndërkombëtare, gjeneral Lama na jep një ekspertizë juridike të aspekteve ushtarake, por me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe fare lehtë të kuptueshme, me informacione direkte dhe me ballafaqim pa pardon. Kështu ai e dekonstrukton tërësisht ngrehinën shpifëse e diabolike të Dick Marty-t, duke e nxjerr lakuriq si një dokument politik që nuk i bën nderë drejtësisë perëndimore, përkundrazi, e turpëron atë. Në analizën e gjeneral Lamës raporti i Dick Marty-t del të jetë hiç më pak se sa vazhdim apo zgjatim i dokumenteve të shumta historike të Serbisë me karakter gjenocidal kundër Kosovës dhe në përgjithësi shqiptarëve.
I ndarë në tre kapituj: “Ringjallja e bishës serbe në sytë e Europës së re”, “Dick Marty – zëri i Serbisë kundër shqiptarëve” dhe “Elaborate të vjetra serbe në shërbim të Europës së re”, libri i gjeneral Lamës sjell mjaftueshëm fakte për t’i rrëzuar të gjitha konspiracionet dhe shpifjet kundër UÇK-së.
Libri “UÇK përballë shpifjeve” i Kudusi Lamës është hartuar me një metodologji shkencore krahasuese, duke vënë në tavolinë pretendimet e të gjitha palëve – qofshin ato edhe gënjeshtrat më neveritëse të Dick Marty-t, respektivisht të kontra-autorit Millosh Obiliq. Gjeneral Lama na jep një bazë të gjerë të dhënash mbi ngjarje dhe mbi njerëz, por duke mos rënë asnjëherë në kurthin e subjektivizmit. Gjatë përpilimit të këtij libri, në sfondin e përgjegjësisë, autorin e shoqëron ndjeshmëria e lartë prej metodologjisti shkencor, në njërën anë, por dhe temperamenti karakteristik që buron nga guximi intelektual e kombëtar i një personaliteti çfarë është në të vërtetë Kudusi Lama: gjeneral i luftës por dhe gjeneral i mendimit.
Objektiviteti dhe besueshmëria e këtij libri mbështetet fort në faktin se autori Lama, duke mos qenë pjesë e akuzës dhe as bartës i ndonjë përgjegjësie shtetërore në Shqipëri apo Kosovë, të gjitha trillimet, gënjeshtrat e paskrupullta dhe shpifjet e ulëta politike mbi njëzetvjeçare kundër UÇK-së, i analizon nga pozita e një ushtaraku dhe kështu arrin me sukses ta na jep sintezën më gjithëpërfshirëse dhe interpretimin më të paanshëm mbi kauzën e shpifur ruso – serbe, e për fat të keq ndonjëherë edhe shqiptare, për gjoja krimet e UÇK-së.
Gjeneral Lama brenda këtij libri jep analiza teorike dhe praktike mbi shumë çështje shqetësuese që pretendohen sidomos në raportin e Dick Marty-t, siç janë: trafikimi i organeve njerëzore nga ana e UÇK-së, ekzistenca e të ashtuquajturave qendra të ndalimit apo burgjeve sekrete në vendbanime të caktuara etj.
Në cilësinë e ish-komandantit të Divizionit të Kukësit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë – ekzaktësisht në zonën e përgjegjësisë përgjatë gjithë kufirit verior të Shqipërisë me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë, Kudusi Lama i vlerëson si krejtësisht të pamundura rrethanat lidhur me atë që pretendohet në raportin e Dick Matry-t, për gjoja trafikim me organe njerëzore … dhe të tjera trille horrori si këto.
Përmes një analize faktografike gjeneral Lama i përshkruan rrethanat reale në të cilat kanë vepruar repartet e rregullta të UÇK-së; vështirësitë që ato kanë pasur në strehimin e luftëtarëve; pamundësitë e tërheqjes dhe të bartjes së luftëtarëve të plagosurve nga frontet e luftës; mospasjen e spitaleve për t’i mjekuar ata etj.
Veç analizës faktografike, gjeneral Kudusi Lama në këtë libër ngreh dyshimet e tij se, me gjyqin e padrejtë që sot në Hagë po i bëhet luftës së UÇK-së, po inkriminohet edhe ndërgjegjja e një pjesë të madhe të botës së lirë, demokratike e liridashëse perëndimore, e cila në vitin 1999 natyrshëm qe bërë aleate e luftës së drejtë të UÇK-së.
Gjeneral Lama po ashtu në këtë libër ngreh dhe shqetësimin tjetër: se si ndërgjegjja politike dhe intelektuale e botës shqiptare për tërë këto vite nuk po arrin të ofrojë fakte dhe dëshmi, të cilat, sipas tij, janë të bollshme, për t’i rrëzuar pretendimet monstruoze të përfaqësuesve të drejtësisë ndërkombëtare me seli në Hagë.
Dhe, në fund fare, ai ngreh shqetësimin mbase kryesor – duke bërë çudë, se si Prokuroria e Gjykatës Speciale (pra drejtësia e botës perëndimore) po e zëvendëson atë serbe dhe se si kjo – e proklamuar si avangardë e drejtësisë së botës perëndimore – gradualisht po katandiset në një instrument politik kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Në fund duhet thënë se libri “UÇK përballë shpifjeve” i Kudusi Lamës besoj se do të ushtrojë ndikim në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër liderëve të UÇK-së dhe të Kosovës. Duke konsideruar se drejtësia ndërkombëtare (pra drejtësia e Gjykatës Speciale) tani për tani ndodhet e ndikuar dhe e influencuar tërësisht nga Prokuroria serbe, përkthimi në gjuhën angleze, gjermane dhe frënge i këtij libri, do të ishte jo vetëm ndihmesë për ekipin mbrojtës, por dhe një dritare e re e të vërtetës së madhe për luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i njohur në futbollin e Kosovës, Endrit Krasniqi nuk…