Një libër i veçantë për njeriun e veçantë

05 mars 2018 | 11:10

(Përkitazi me librin e Selatin Novosellës, “Demaçi – njeri i lavdisë”, botoi ShBPK, Prishtinë, 2018)

Bedri Zyberaj

 

Adem Demaçi!
Një emër që sa herë e dëgjojmë, ndiejmë brenda vetes sonë se na thotë shumëçka. Dhe vërtet na thotë shumëçka. Por, nëse do të përpiqeshim të artikulonim me fjalë e t’ua kumtojmë të tjerëve atë që e ndiejmë, menjëherë na ngec sharra në gozhdë.

Cili prej nesh nuk e ka provuar një lloj dëshpërimi sa herë që është përpjekur dhe ka thënë diçka, me shkrim ose me gojë, për këtë emër?

E kemi thënë, por përherë kemi ndierë një lloj zbrazëtie se nuk e kemi thënë atë që është dashur dhe kemi menduar ta themi.

Dilema të këtilla provon njeriu vetëm kur ka të bëjë me personalitete të veçanta, që në vete ngërthejnë diçka të magjishme.

Këtë të magjishme duhet ta ketë pasur parasysh edhe Ukshin Hotin, kur ka bërë një lloj portretizimi të figurës së Adem Demaçit. Me atë rast, ai thotë: “Figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore” për ta përmbyllur me një konstatim se: “Mund të jesh me të, përbri tij apo kundër tij, por nuk mund të jesh indiferent ndaj tij”.[1]

Kur jemi te kjo cilësi na duhet të saktësojmë se e magjishmja e këtij njeriu është reale, e ngritur mbi gatishmërinë e përhershme për vetëmohim, pa u hamendur asnjëherë për rrugën që kishte zgjedhur dhe pa u çekuilibruar për asnjë çast të vetëm, kur del nga burgu, për të shkarë në urrejtje dhe ksenofobi.

Pra velloja e magjishme që e mbështjell këtë emër, nuk është diçka e momentit, e një çasti, por e një qëndrimi të paepur, për një jetë të tërë, të mbrujtur mbi një konstantë të përhershme dhe jetëgjatë e me shkallë të lartë vetëmohimi. Për koincidencë, ndërsa data e sotme përkon me 82-vjetorin e lindjes, ky vit, viti 2018, paraqet edhe 60-vjetorin e burgosjes së tij të parë, më 1958, që paraqet edhe fillimin e një epoke të re të përpjekjes së shqiptarëve që kishin ngelur jashtë kufijve të shtetit amë, për liri, çlirim e bashkim kombëtar. I kësaj epoke, që po të përpiqemi t’i gjejmë një emër për ta emërtuar, nuk do të mund ta quajmë ndryshe, përpos Epoka e Demaçit.

Si i tillë, Demaçi, para, por sidomos pas lirimit “nga burgu i vogël dhe daljes në burgun e madh”, siç shprehej vet sapo e përfundoi vuajtjen e dënimit të tretë, ku kishte kaluar 28 vjet të jetës së vet, është shndërruar në personalitetin i cili, sipas Sali Bytyçit, “më së shumti është epitetizuar, personifikuar dhe simbolizuar në vargje (dhe jo vetëm në vargje do të shtoja unë), por edhe është kthyer në mit, më shumë se çdo personalitet tjetër i çdo fushe”.[2]

Këto dy konstatime paraqesin dy premisa për të arritur te silogjizmi se personaliteti i Adem Demaçit, me energjinë e jashtëzakonshme pozitive që ka mishëruar përgjatë gjithë jetës së vet, vazhdimisht e gërget dikë që të merret me punën dhe qëndrimin e tij. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe ka për të ndodhur edhe në të ardhmen.

Deri tani, ka një numër të madh të atyre që herë fare shkurt, herë më gjatë janë përpjekur të vënë në pah disa cilësi të krijimtarisë letrare, politike e publicistike të Adem Demaçit. Dhe ata që kanë dhënë mendime dhe vlerësim për këto aspekte të jetës së tij nuk kanë qenë vetëm njerëz të thjeshtë dhe as vetëm të përkatësisë etnike shqiptare.

Për nga statusi shoqëror kanë qenë njerëz nga më të thjeshtët deri tek ata që kanë qenë ideatorë dhe kreatorë të Rendit të Ri botëror që erdhi si domosdoshmëri për t’u krijuar pas rënies së monizmit në Evropën Lindore dhe shpërbërjes së BRSS e RSFJ-së; për nga përkatësia etnike janë shqiptarë, boshnjakë, kroatë, serbë, francezë, maqedonas, bullgarë, anglezë, danezë, belgë, gjermanë, amerikanë etj; për nga angazhimi profesional janë kritikë, historianë të letërsisë, estetë, gazetarë, publicistë, politikanë, të dënuar politikë etj.

Të tillë janë ata që deri tani kanë thënë diçka për veprën letrare e publicistike të Adem Demaçit, për jetën e tij, për stoicizmin e tij nëpër burgje, për bindjet e tij politike, për nismat dhe dështimet e tij. Janë shkruar me mijëra faqe librash e gazetash, janë bërë me dhjetëra e dhjetëra orë lajmesh në radio e televizione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, i janë dhënë me dhjetëra mirënjohje, dekorata, tituj nderi e çmime të ndryshme deri te i famshmi “Saharov”.

Të gjitha këto, në një formë mjaft sintetizuese, të interesuarit, tani e tutje, do ta kenë mundësinë t’i gjejnë në Librin më të ri të Selatin Novosellës, “Demaçi – njeri i lavdisë” që këto ditë doli  nga shtypi.

Libri “Demaçi – njeri i lavdisë” ka 175 faqe. Ai hapet me një kushtim të shkurtër të autorit, por pa u emërtuar si i tillë, në të cilin shënohen disa nga epokat më të vështira nëpër të cilat është shtrirë jeta 82-vjeçare e Adem Demaçit dhe është mbrujtur e kalitur personaliteti i veçantë i tij. Këto epoka, nga ana e autorit Novosella, emërtohen me emrat e krerëve udhëheqës të shtetit jugosllav, duke filluar prej Aleksandër Karagjorgjeviqit (do të duhej të shkruhej Petër Karagjorgjeviqit)[3] kohë në të cilën ka lindur Demaçi më 1936 e deri në “kohën e Sllobodan Millosheviqit”, më 1999, kur Adem Demaçi do të bëhet përfaqësues i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, për t’u përmbyllur me një konstatim, mendoj të qëlluar dhe të drejtë se, pavarësisht prej vuajtjeve dhe rreziqeve të shumta, Baca “është ndër personalitetet e rralla më me fat në historinë më të re të Kosovës”.

Pas këtij kushtimi të llojit të vet vjen një parathënie e shkurtër e Lulëzim Etemajt, e titulluar “Një shtatore për Adem Demaçin”, ku autori e vlerëson këtë vepër të S. Novosellës me fjalët më të mira. Më pastaj vjen një prolog me titull “Në vend të hyrjes”, me të cilin lexuesi informohet për historikun e njohjes së autorit me Adem Demaçin, moment ky që kishte ndodhur para më shumë se gjysmëshekulli. Saktësisht, në vjeshtën e vitit 1963, “në një orë letrare në Shkollën Normale të Prishtinës” siç thotë ai.

Lidhja e autorit me Bacën, pas asaj njohjeje, ishte vazhduar dhe ishte përcjellë me peripeci të shumta nga arrestimet, gjykimet, dënimet e vuajtjet e dënimeve nëpër burgjet jugosllave, për të arritur deri në kohën e çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999, por tani, në kohën e lirisë, në rrethana krejtësisht të reja, më normale dhe më të favorshme.

Siç na e thotë vet autori, Selatin Novosella, kjo lidhje kaq e gjatë, po sidomos koha e pasçlirimit, i ka mundësuar atij të grumbullojë, të sistemojë dhe të analizojë “çdo libër, revistë, gazetë, dokument, faksimile, fotografi dhe poezi që bënte fjalë për jetën e Adem Demaçit”.[4]

Me këtë rast mësojmë se në saje të këtij angazhimi, sot në arkivin personal të Selatin Novoselles gjenden “mbi 10 mijë faqe me dokumente gjyqësore nga të tri gjykimet e Bacës (1958, 1964 dhe 1975), me programet politike, dorëshkrimet, intervistat, fjalimet, analizat, opinionet, polemikat dhe reagimet e tij (A. Demaçit – B. Z.)”.[5]

Nga kjo shumësi dokumentesh, deri tani, siç mund ta dini ju dhe lexuesit e këtij libri, S. Novosella ka botuar shtatë libra.

Ky që po e përurojmë sot është i teti me radhë.

Libri “Demaçi – njeri i lavdisë”, për mendimin tim, është libër i veçantë. E them këtë duke u nisur nga fakti se për nga mënyra se si është konceptuar, kompletuar dhe finalizuar ashtu siç e kemi në dorë tani ne si lexues, për aq sa di unë, në letrat shqipe, nuk mund t’i gjendet edhe një tjetër për t’ia bërë shoqin. Diçka i ngjashëm me të është edhe libri i pestë “Demaçi – metaforë lirie”, nga i njëjti autor por, megjithatë, prapëseprapë kanë dallime të konsiderueshme njëri me tjetrin, si për nga konceptimi, po ashtu edhe për nga numri i atyre që kanë dhënë mendime për Demaçin dhe janë përfshirë në këta libra.

Derisa në librin e mëparshëm gjejmë disa vlerësime më të gjata të 100 autorëve të ndryshëm, në këtë të fundit, “Demaçi – njeri i lavdisë”, është përzgjedhur vetëm nga një mendim i shkurtër, duke filluar nga gazetarë, publicistë, avokatë, drejtues fetarë, shkrimtarë, politikanë, bashkëveprimtarë të Bacës e bashkëvuajtës të dënimeve me të, veprimtarë të çështjes kombëtare, studiues dhe historianë të letërsisë, senatorë, diplomatë e burrështetas të ndryshëm të kohëve, ideologjive dhe vendeve të ndryshme, shqiptarë dhe të huaj, duke filluar nga Enver Hoxha e deri te Riçard Hollbruku e Madlen Ollbrajti; nga presidentë e ish-kryetarë parlamentesh të shteteve të veçanta që prej Pjetër Arbnorit, Rexhep Mejdanit, Alfred Moisiut, Bamir Topit të Shqipërisë apo Vladimir Sheksit të Kroacisë e deri te Baron Krespo ish-kryetar i Parlamentit Evropian e Kofi Anani – ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Duke u bazuar në këtë cilësi, librin e parë “Demaçi – metaforë lirie” do të mund ta quanin “përmbledhje shënimesh për Demaçin”, ndërsa këtë të fundit “Demaçi – njeri i lavdisë” “përmbledhje mendimesh për Demaçin”.

Secili nga këto mendime veç e veç paraqet një gur të veçantë të një tërësie prej mozaiku ku shpërfaqet personaliteti i Adem Demaçit.

E përbashkëta e të gjitha këtyre mendimeve qëndron në vlerësimin, se ky njeri, Adem Demaçi, në të gjitha kohët, përballë gjithsecilit, qoftë ai gazetar i vendit apo diplomat i rangut botëror, qëndron i pathyeshëm dhe besnik i idealit të vet. I idealit, në të cilin populli që i përkiste, pra shqiptarët, që gjatë burgosjes së tij të dytë, pikërisht te ky njeri e kishte zbuluar gurrën e vet të frymëzimit dhe e kishte parandier besnikërinë e tij të përhershme ndaj po atij ideali që kishte rezultuar me një shkrirje të cilën e kishte pikasur dhe e ka theksuar Ukshin Hoti, sipas të cilit, Demaçi, në saje të vuajtjes, qëndresës, besnikërisë ndaj idealit të vet, “kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore. Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i popullit, por gati vet populli (nënvizim imi)”[6].

Populli e kishte parandier këtë të vërtetë që në krye të herës dhe, falë gjenialitetit të vet krijues, kishte filluar të thurte edhe legjenda që ishin në funksion jo vetëm të përhapjes së atij ideali që tani e përfaqësonte ky bir i tij, por edhe të ruajtjes së tij të përhershme.

I tillë është edhe një rrëfim i dëgjuar nga një rapsod, e që S. Novosella e ka futur në libër. Kur e pashë, derisa po e lexoja librin, më ktheu diku në fillim të viteve ’70, duke më kujtuar se diçka të tillë kisha dëgjuar edhe unë nga xhaxhai im, Jonuz Zyberaj. Do të ketë qenë viti 1972. E gjykoj të nevojshme ta përflas me këtë rast ashtu siç e kam dëgjuar, për ta mbështetur atë konstatimin e mëvonshëm të U. Hotit, të cilin e citova më lart.

“Adem Demaçi para gjyqit ka thënë: Ju mund të më dënoni me burg të përjetshëm. Mund të më dënoni edhe me vdekje e të më ekzekutoni, e mund edhe të lirohem pa u çliruar e bashkuar kombi im. Por, dijeni një gjë! Atje, ku do të më varrosin, mbi varrin tim do të mbijë bari. Atë bari do ta hajë bagëtia nga e cila njeriu yni merr qumështin. Atë qumësht që do ta pinë fëmijët që do të lindin pas vdekjes time, do ta fuqizojnë edhe më shumë këtë ideal për të cilin po më dënoni ju e do të bëhen edhe më të ashpër sesa unë kundër robërisë!”

Si duket, që në atë kohë, populli e kishte parandier se në rastin e Adem Demaçit kishte të bënte me një njeri të veçantë. Dhe nuk kishte gabuar. I tillë na del portreti moral e shpirtëror i Adem Demaçit në ato 299 mendimet e shkurtra që autori Novoslella i ka përfshirë në pjesën kryesore të librit, të titulluar “Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin”.

Pas pjesës kryesore, gjenden 36 shënime të shkurtra të gazetave dhe revistave të përzgjedhura si dhe radiostacioneve të ndryshme, e pasuar nga kronologjia e mirënjohjeve, dekoratave dhe e çmimeve që i janë dhënë Adem Demaçit, brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga ato me të thjeshtat e deri te titulli “Nderi i Kombit” që iu ka dhënë, më 10 qershor 2012, nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi.

Për habi, këtu nuk figuron Çmimi Saharov që iu dha më 1991. Pse i është përvjedhur ky lëshim autorit, nuk e di.

Në fund është literatura e shfrytëzuar dhe një pasqyrë kronologjike e veprave që ka botuar Selatin Novosella, të cilat paraqesin një aparaturë me interes për t’u orientuar të gjithë ata të cilët, në të ardhmen, mendojnë t’i zgjerojnë dhe thellojnë njohuritë e veta për jetën dhe veprën e Adem Demaçit.

Në fund, këtë kumtesë mund të përfundojmë kështu: Adem Demaçi, ashtu siç na shfaqet në mendimet e autorëve të shumtë të paraqitur në librin më të ri të Novosellës, është një institucion në vete, i cili ka funksionuar ndryshe. Ka funksionuar ndryshe si në rrethana robërie dhe lufte, po ashtu edhe në ato të paqes. Ai ka pasur fuqinë më të madhe të ndikimit, pikërisht atëherë kur ka qenë më i izoluar dhe kur pushteti e shteti jugosllav kanë menduar se me burgosjen e tij ia kanë mbyllur gojën. Për këtë arsye mund të gjykohet se emri i tij përfaqëson një njeri të veçantë. I tillë, i panënshtruar as në burgje e as në jetë, i pathyer as para policit e hetuesit dhe i palëkundur as para diplomatëve më të rëndësishëm të kohës, duke i ngelur besnik idealit të vet fillestar dhe të drejtës, nuk ka pranuar asnjëherë të bjerë pre e politikës së ditës dhe nuk është mashtruar nga kalkulimet politike për paqe. Paqja mbi bazën e kalkulimeve e jo të drejtësisë është jetëshkurtër. Ai ka qëndruar konsekuent në përcaktimin e vet fillestar për liri dhe drejtësi të plotë, i bindur se kjo është rruga dhe mundësia e vetme mbi të cilën mund të ndërtohet paqja e përhershme.

Këtë të vërtetë na e dëshmon edhe ky libër i veçantë ku gjenden mendime të shumta, njerëzish të ndryshëm, për Adem Demaçin.

Prandaj, lirisht mund të thuhet se ky libër është i veçantë për një njeri të veçantë.

Mund të thuhet kështu, sepse sado që i kushtohet dhe për objekt ka një personalitet të caktuar, ai nuk është si librat e tjerë monografikë që, në raste të tilla, merren me jetën dhe veprën e akëcilit personaliteti.

Mendimet dhe vlerësimet e autorëve të shumtë që gjenden në libër të radhitura sipas rendit alfabetik, që i kanë dhënë për të njëjtin njeri, janë këndvështrime të veçanta që të gjitha së bashku plotësojnë një mozaik të llojit të vet, në të cilin na shfaqet, disi ndryshe, portreti i plotë njerëzor i Adem Demaçit. I atij, të cilin, S. Novosella, me të drejtë, e quan “Njeriu i lavdisë”.

Tek-tuk librin e shoqëron ndonjë mangësi si, p. sh., në pjesën ku janë shënuar mirënjohjet dhe çmimet që i janë dhënë, nuk është shënuar Çmimi Saharov, apo në ndonjë rast, mund të të krijohet përshtypja se nuk është përzgjedhur mendimi më përfaqësues i ndonjë personaliteti që e ka dhënë për Demaçin. Edhe disa gabime teknike janë të pranishme, por mendoj se këto nuk ia ulin vlerën librit. Me këtë rast dua të them edhe një gjë. Kam bindjen se, pavarësisht faktit se këtu janë përfshirë 299 mendime të shkurtra, ka ende autorë të tjerë që kanë shkruar për Demaçin, por që mendimet e tyre kanë mbetur jashtë këtij mozaiku.

Mendoj se kjo “mangësi” mund të plotësohet në të ardhmen dhe, së bashku me evitimin gabimeve që i përmenda, në një ribotim të radhës, libri do të kompletohej edhe më shumë për nga informacioni dhe këndvështrimi për A. Demaçin.

Autorin e përgëzoj për librin dhe i dëshiroj botime të reja që do të jenë në funksion të plotësimit të misionit që i ka vënë vetes për ndriçimin sa më të plotë të figurës Adem Demaçit!

Librit i dëshiroj rrugë të mbarë për te lexuesi, ndërsa njeriut të veçantë, të historisë sonë më të re, Adem Demaçit, jetë të gjatë e shëndet të mirë!

[1] Ukshin Hoti, “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Prishtinë, 1996, f. 175-176

[2] Selatin Novosella, “Demaçi – njeri i lavdisë”, ShBPK, Prishtinë, 2018, f. 119

[3] Aleksandër Karagjorgjeviqi nuk ka qenë i gjallë kur ka lindur Adem Demaçi. Atë e kishin vrarë rreth dy vjet më parë në Marsej të Francës më 9 nëntor të vitit 1934. Në kohën kur ka lindur Demaçi, Mbret i Jugosllavisë ka qenë Petër Karagjorgjeviqi II.

[4] Selatin Novosella, “Demaçi – njeri i lavdisë”, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2018, f. 11

[5] Po aty f. 11-12

[6] U. Hoti, vep. e cit., f. 175

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shteti i…