Mbrojtja e shqipes standarde, e veprës së Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968), që solli njësimin e gjuhës letrare për të gjithë shqiptarët, dhe e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), që e sanksionoi atë njësim, është bërë një temë e rëndësishme shkrimesh dhe diskutimesh në shtypin shkencor dhe të përditshëm, sidomos nga vitet ’90 e këtej, kur shqipja standarde u etiketua (për qëllime të mbrapshta ose për motive të dobëta egoiste e karrieriste) si produkt i ideologjisë së një regjimi diktatorial. Pra, ajo që qe bërë, qenkësh bërë gabim, nën trysni, me dhunë dhe u dashkësh rishikuar fund e krye! Lidhur me pikëpamje të tilla, që u shprehën edhe në Konferencën “Gjuha letrare kombëtare dhe Bota Shqiptare sot” (Tiranë, 20–21 nëntor 1992), I. Bajçinca do të thoshte: “… në rast se njësimi i shqipes letrare kishte dhe ka ndonjë lidhje me ideologjinë, ajo është ideologjia kombëtare, pra njësimi i shqipes letrare nuk mund të lidhet as me ideologjinë e Partisë së Punës dhe as me filozofinë marksiste, po njësia e shqipes letrare lidhej dhe lidhet, madje shumë ngushtë, me ideologjinë e njësisë kombëtare” (theksuar nga autori). Në një rast tjetër, kur diskutohej që çështja e gjuhës letrare të përbashkët duhej vendosur “në mënyrë demokratike”, I. Bajçinca do të shpjegonte qëndrimin e tij: “Këtu një gjë më brengos. Çfarë do të thotë demokratizim në gjuhë? Për mua është absurd demokratizimi në gjuhë. Mos do të thotë kjo që sa herë të demokratizohemi, të merremi me probleme që i kemi zgjidhur njëherë! Gjuha letrare është krijuar, gjuha letrare duhet kultivuar dhe zbatuar. Ka shoqëri demokratike të cilat nuk bëjnë këso diskutimesh për gjuhën.”
Një diskutim i ngjashëm u zhvillua edhe në Seminarin XV të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare (1995) me shkas nga kumtesa e prof. B. Becit (atëherë drejtor i emëruar i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë) me temën “Gjuha letrare shqipe dhe baza e saj dialektore.” Duke kritikuar politikën gjuhësore të pasluftës, autori shprehej se, të dyja variantet letrare të shqipes (gegërishtja e toskërishtja), po të liheshin që vijonin në rrugën e përpunimit dhe pasurimit, “duke u ushqyer secili nga gurra e vet popullore, në mënyrë të natyrshme e në kohën e duhur do të shtrohej e zgjidhej edhe problemi i mënjanimit përfundimtar të atyre dallimeve që kishin mbetur në sistemin fonetik e morfologjik të tyre.” (Se kur do të ishte ajo “koha e duhur”, kur në mënyrë të natyrshme do të shtrohej e zgjidhej, p.sh. që në kushtetutën tonë të shkruhej: Shqipëria është republikë apo Shqipnia ose Shqypnia âsht republikë … këtë autori i kësaj tymnaje profetike nuk ka qenë kurrë në gjendje ta caktojë as përafërsisht. Por deri atëherë le të thuhej e të shkruhej edhe kështu, edhe ashtu!). Disa studiues në vend që ta vlerësojnë gjuhën standarde nga ana funksionale (si dhe sa i përmbush ajo funksionet e një gjuhe standarde), nxjerrin në plan të parë biografinë e saj (reminishencë e fortë e kohës së biografive!): nëse shqipja standarde s’është gjë tjetër veçse toskërishtja letrare e ngritur në standard, duke marrë aty-këtu ca elemente të gegërishtes, atëherë është e papranueshme; nëse standardi i sotëm vërtetohet se është rezultat i një bashkëveprimi dialektor, atëherë edhe mund të pranohet! Ithtarët e qëndrimeve të tilla biografike as që e shtrojnë pyetjen se cilat janë problemet shqetësuese dhe trysnitë e jashtme me të cilat përballohet gjuha shqipe! Ndërsa I. Bajçincën edhe në ditët e fundit të jetës e brente shqetësimi për ta çliruar gjuhën shqipe në Kosovë nga ndikimi i serbishtes, ashtu siç na bren edhe neve këtu shqetësimi për ta ruajtur gjuhën tonë nga ndikimi i italishtes dhe i globalizmit të anglishtes.
Prof. Idriz Ajeti (atëherë rreth 80 vjeç), ndërhyri në diskutim duke shpjeguar qartë e me urtësi për të disatën herë se zhvillimi historik i shqipes letrare eci nëpër një rrugë normale të zhvillimit gjuhësor: “Kemi një gjuhë letrare mjaft të stabilizuar dhe që ka marrë dhenë në gjithë botën shqiptare. Kam biseduar edhe me albanologë të huaj, të cilët nuk e kuptojnë përse duhet të rishikohet gjuha letrare shqipe. E kemi një gjuhë letrare. Unë them se është shumë e mirë. Aq më tepër që edhe kosovarët, që kanë një dialekt që është mjaft larg nga gjuha letrare, me dashamirësi e kanë pranuar. Në shkollat tona të rinjtë, të vegjlit, e përvetësojnë për mrekulli, pa kurrfarë vështirësie… Thuhet se politika ka ndikuar në çështjen e gjuhës letrare. Nuk e di se ku duket ai ndikim i politikës, i trysnisë në gjuhë. Toskërishtja letrare patjetër do të merret në konsiderim. Siç dihet, çdo dialekt i një gjuhe si parim e si praktikë mund të merret dhe të vihet në bazën e gjuhës letrare. Ai duhet të ketë disa epërsi, të ketë forma të stabilizuara. Dialektet toske, siç e dimë, e kishin krijuar një koine letrare. prandaj kjo ishte epërsia e tyre. Dhe diçka tjetër, po të mos kishte ndikuar politika, si do të bëhej puna e zgjidhjes së gjuhës letrare?” (Më tej vijon shënimi: Diskutimi u ndërpre për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të profesorit). I. Ajeti u dërgua në spital me urgjencë për çrregullime të zemrës, duke dhënë një shembull se për çështje të tilla madhore duhet luftuar me vendosmëri, me gjithë zemër, për të sqaruar ata që kanë nevojë të sqarohen, dhe për të treguar se në ç’rrugë pa krye e të rrezikshme mund të na shpien disa të tjerë, që e shikojnë çështjen e gjuhës letrare si një arenë ndeshjesh politike e ideologjike. Është e ditur se nuk mund të ketë shtet pa disiplinë gjuhësore, pa një formë gjuhësore të njëjtë e të përbashkët për të gjithë. Kryeministri Ahmet Zogu në janar 1923 nënshkroi një dekret me të cilin dialekti i Elbasanit caktohej si “dialekt zyrtar i shtetit”. Ndër kritikat e panumërta që i janë bërë qeverisjes së tij, nuk më kujtohet që ai dekret të jetë cilësuar si veprim antidemokratik, antipopullor, feudoborgjez etj.
Një vit pas ndarjes nga jeta të prof. Isa Bajçincës Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi veprën e tij shkencore, që përbëhet nga: studime dhe artikuj; shkrime për ngjarje, figura dhe veprimtari gjuhësore; recensione, diskutime, biseda e mendime, qëndrime e porosi për gjuhën shqipe. Libri “Shqipja standarde dhe probleme rreth saj” (mbi 500 faqe) është një pasqyrë e problemeve me të cilat përballohet edhe sot teoria dhe praktika e shqipes standarde, sidomos në Kosovë. Me këtë botim Instituti Albanologjik u vjen në ndihmë sidomos profesorëve dhe studentëve të fakulteteve filologjike në gjithë universitetet shqiptare. Fjala hyrëse “Një jetë kushtuar shqipes” nga prof. Hysen Matoshi, dhe shkrimi i prof. Qemal Muratit “Isa Bajçinca për shqipen standarde dhe kulturën gjuhësore” – të dy të hartuar me ndjenjë nderimi të thellë për kolegun e ndjerë – japin një portret të plotë të vlerave të prof. I. Bajçincës si gjuhëtar, profesor dhe intelektual i përkushtuar për një kulturë më të lartë në shoqërinë shqiptare nëpërmjet njohjes sa më të gjerë dhe të përpiktë të visareve të gjuhës sonë dhe të rregullave të saj. H. Matoshi e përmbyll fjalën e tij duke vlerësuar se prof. I. Bajçinca “me punën e tij të gjithëmbarshme në fushën e kulturës së gjuhës, qoftë si pedagog, qoftë si mendje kritike, është kthyer në një referencë për shqipen standarde në Kosovë dhe më gjerë”. Prof. Q. Murati e përmbledh personalitetin e tij shkencor, duke theksuar: “Çështjen e shqipes standarde prof. Bajçinca e shtronte me kompetencën e duhur dhe ishte dalëzotës i saj sa herë që ngrihej re e pluhur kundër kësaj gjuhe nga ata që kërkonin krahinën në gjuhë.” Prandaj ai ngulte këmbë për ta mbrojtur shqipen standarde edhe me dispozita ligjore, duke e vështruar atë si vlerën më të lartë kulturore kombëtare dhe si pjesë përbërëse shumë të rëndësishme të disiplinës së punës shtetërore e shoqërore.
Veprimtaria e gjithanshme dhe e admirueshme e Isa Bajçincës për ngritjen e kulturës gjuhësore në Kosovë, për zotërimin dhe zbatimin sa më të mirë e të plotë të gjuhës letrare shqipe nga nxënësit, puna e dendur që bënte me gazetarët dhe lektorët në shtëpitë botuese, në gazetat, revistat dhe radiotelevizion, janë kontribute me rëndësi shoqërore e kulturore të pazëvendësueshme. Prandaj emri i prof. Isa Bajçincës ka qenë dhe mbetet i nderuar, i vlerësuar e i paharruar, sa herë të vijë fjala për gjuhën shqipe si në Kosovë, ashtu dhe gjithkund ku gjallon tingulli dhe shpirti i gjuhës shqipe.