NJË MANUAL I RËNDËSISHËM PËR GAZETARINË DHE SHKENCAT POLITIKO-JURIDIKE  

20 tetor 2019 | 19:24

Libri “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, i autorit Bardhyl Mahmuti

 Lulëzim ETEMAJ

 Pas librit afër 600 faqesh “Mashtrimi i Madh”, botuar në vitin 2015, përmes të cilit me argumente shkencore, krahas hedhjes dritë dhe argumentimit të gjenocidit serb, demontohet edhe lufta speciale e Serbisë, si në rrafshin medial ashtu dhe atë politik, diplomatik dhe juridik, për kriminalizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kovosës (UÇK), ish- drejtuesi i diplomacisë së UÇK-së, politologu Bardhyl Mahmuti, ka sjellur librin e tij të radhës me titull: “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”.

Parahistoriku i shkrimit të librit përfshinë periudhën dymujore– nga data 20 prill 2019, kur autori e boton shkrimin e parë, “Shprehja ‘krimet e luftës në Kosovë’ është e mangët”, deri më 21 qershor 2019, kur e boton shkrimin e fundit nga seria e shkrimeve që kanë të bëjnë me terminologjinë mbi krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.  

Libri është botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, e themeluar më 30 qershortë këtij viti, ndërsa shpërndahet falas dhe u dedikohet kryesisht gazetarëve, studentëve të rinjë dhe kuadrove të shkencave politike, juridike dhe diplomatike. Ky libër paraqet një ndihmesë të madhe posaçërisht për zyrtarët e shtetit të Kosovës, të të gjitha kategorive, në kryerjen e detyrave në interes të vendit, që për qëllim e kanë ndriçimin dhe shpjegimin e krimeve të kryera kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, si gjenocidi; krimet kundër njerëzimitdhe krimet e luftës. E, ndriçimi dhe shpjegimi i argumentuar i këtyre krimeve do të duhej të çonte jo vetëm në ndërshkimin meritor të kriminelëve nga ana e drejtësisë së Kosovës dhe asaj ndërkombëtare, por edhe të vetë shtetit të Serbisë, si organizator, zbatues dhe mbikëqyrës i tyre.

Gjithsesi, nga ky libër mund të përfitojnë të gjithë ata lexues që, krahas motiveve tjera, edhe në shenjë respekti dhe nderimi të viktimave, familjarë, të njohshëm apo thjesht bashkëkombas, janë të interesuar që të mos bien pre e kurtheve terminologjike, duke përdorur terme të gabuara, përmes të cilave synohet mohimi i gjenocidit serb në Kosovë.

Struktura e librit “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë” përbëhet nga 11 trajtesa të zgjedhura, si: “Shprehja ‘krimet e luftës në Kosovë’ është e mangët”; “Holokausti, gjenocidi dhe shoah”; “Gjenocidi dhe termi ‘zhdukje”; “Gjenocidi dhe termi ‘shfarosje”; “Gjenocidi, termi asgjësim dhe Kodi Penal i Kosovës”; “Përgjegjësia individuale dhe shtetërore në krimin e gjenocidit”; “Nocioni ‘paramilitar’ si instrument i mohimit të gjenocidit”; “Qëllimi dhe mënyra e kryerjes së krimit”: “Gjenocidi dhe masakra”; “Jo ‘eksodi’, por ‘spastrimi etnik’ është akt i gjenocidit”; “Në cilat raste dhuna seksuale është akt i gjenocidit?”; “Në rastin e Kosovës edhe shkatërrimet janë dëshmi e qëllimit të Serbisë për gjenocid”.

Trajtesat janë punuar me një përkushtim të veçantë, ndërsa janë mbështetur edhe me argumente të nevojshme shkencore, duke iu referuar edhe akteve të ndryshme politike e juridike ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit si dhe Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjë që i bën ato më shpjeguese dhe më lehtë të kuptueshme për lexuesit e kategorive të ndryshme, si sociale ashtu dhe profesionale.  

Vetë fakti se tek pas 20 vitesh të çlirimit, gjegjësisht 11 vitesh shtet, Kuvendi i Kosovës, më 16 maj 2019, me votat e 79 deputetëve të pranishëm në seancë, e miraton Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, flet për domosdoshmërinë e angazhimit më të madh dhe më të avancuar të shoqërisë sonë, madje edhe përmes nxjerrjes së manualëve të tillë të domosdoshëm, siç ka vepruar në këtë rast politologu Bardhyl Mahmuti, në mënyrë që veprimtaria shumëdimensionale për ndriçimin e të gjitha krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë të arrijë rezultatin e synuar pozitiv dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj meritore.

Paraprakisht, më 12 prill 2019, Bardhyl Mahmuti ia ka ofruar Kuvendit të Kosovës projektrezolutën e hartuar prej tij për gjenocidin serb në Kosovë.

“Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, është një manual i veçantë dhe i rëndësishëm për të gjithë të interesuarit që t’i quajnë me emrin e vertetë krimet e Serbisë, të kryera gjatë luftës në Kosovë, posaçërisht për studiuesit dhe të gjithë ata që, shkaku i profesionit apo vetëm i pasionit, merren me gazetari apo shkenca politiko-juridike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Rahoveci ka fituar derbin e xhiros së gjashtë në…