Një martesë e rreme për dokumente të vërteta në Angli?
Një jetë e re në një shtet larg Shqipërisë.
Një vend, ku komuniteti shqiptar sa vjen dhe po zgjerohet.
Bëhet fjalë për Britaninë e Madhe (UK), ku sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave në Britani, përllogariten pak më shumë se 47 mijë shtetas shqiptarë rezidentë.
Por, sa vështirë është të marrësh dokumentet e qëndrimit për në Britani?
Dy emigrantë shqiptarë, të cilët e kanë përjetuar vetë gjithë procedurën, tregojnë për Albanian Post (AP) mënyrën sesi i kanë përftuar dokumentet dhe se sa u është dashur të shpenzojnë për të siguruar leje-qëndrimin.
Anton P. dhe Valentin L., të cilët ndodhen në Angli, gjatë intervistës me AP-në fillimisht thonë se mbërritën në territorin britanik ilegalisht.
Tanimë, që të pajisesh me dokumentet përkatëse për t’u pranuar si rezident në Britani, është e vështirë dhe, kohët e fundit, pas Brexit-it, sipas tyre, pothuajse e pamundur.
Prandaj, thotë Anton P., “shumë shqiptarë këtu, përfshirë dhe mua, kemi zgjedhur martesat me shtetase evropiane që të marrim letrat”.
Si realizohet kjo martesë?
Valentin L., i cili ka tetë vjet në Angli dhe deri në vitin 2019 qëndronte ilegalisht në shtetin britanik, thotë se martesa realizohet kundrejt një pagese.
“Para dy vitesh u martova me një shtetase hungareze. Pagova 15 mijë funte, në dorë, që të plotësoheshin dokumentet e duhura për t’u finalizuar martesa. Më vonë, gjatë rrugës, kam harxhuar diku më shumë se 10 mijë funte (rreth 12 mijë euro)”.
Por, përveçse duhet paguar “nusja”, për të përfituar letrat, ka edhe shpenzime të tjera.
26-vjeçari, Antoni, thotë se ka shpenzuar rreth 35 mijë funte, deri në momentin që ka marrë leje-qëndrimin britanik, “por, një herë në dy-tre muaj, duhet t’i dërgoj bashkëshortes nga 500 funte”.
Po ashtu, ai bën me dije se i është dashur të paguajë 1 mijë funte avokatit të çështjes.
Ky i fundit, me sa tregoi Antoni, merret me anën ligjore dhe burokratike të dokumenteve.
Gjithashtu, vijon ai, “më është dashur të paguaj taksa dhe fatura shtetërore me vlerë deri në 1 mijë funte, qiranë e një shtëpie për gjashtë muaj, nga 1 mijë funte pa taksa dhe një sasi funtesh personit që më ka gjetur gruan”.
Si kryhet procesi gjatë kurorëzimit?
“Në momentin kur aplikohet te zyrat lokale për kurorëzimin, zyrtarët shqyrtojnë çështjen. Nëse janë të bindur që martesa po lidhet për të marrë dokumentet, brenda 28 ditëve vjen një letër, me anë të së cilës kërkohet paraqitja për një intervistë”, shpjegon Valentini.
Si Valentini, edhe Antoni rrëfejnë që procesi i martesës, në shumicën e rasteve, e përfshin edhe intervistën ku ka pyetje specifike për bashkëshorten.
“Kjo, sepse edhe zyrtarët kanë dyshimet e tyre se e gjithë kjo maskaradë bëhet për të marrë letrat, por nuk mund ta vërtetojnë”, thotë Valentini.
Gjatë intervistës, shprehen dy emigrantët, pyetjet janë nga më të ndryshmet, si: kur e ka datëlindjen partnerja; emri i prindërve të saj; qyteti ku ka lindur; çfarë pune bën etj?
“Por”, shton Antoni, “shteti të bën edhe pyetje intime. Pasi intervistuan partneren, më pyetën se kur ishte hera e fundit që kishim kryer marrëdhënie”.
Ata tregojnë dhe raste kur përgjigjet e shqiptarëve nuk kanë korresponduar me ato të partneres. Kështu, martesa nuk është finalizuar.
“Këtu në Angli, ka plot gra nga Rumania, Bullgaria apo Hungaria që e bëjnë këtë punë, me qëllimin e vetëm që të kenë disa të ardhura shtesë”, thonë ata.
Pse bëhet kjo?
Valentini kishte disa vite që nuk vinte në Shqipëri, i frikësuar se, po ta bënte këtë, s’do mund të shkelte më në tokën e Anglisë.
“Gjashtë vjet pa ardhur në Shqipëri dhe po gjashtë vjet pa parë familjen dhe shoqërinë, martesa për letra ishte zgjidhja më e mirë”, tha ai.
“Janë mbi 70% e shqiptarëve që i kanë marrë letrat kështu”, bën me dije ai, duke shtuar se pas Brexit-it edhe ky opsion u mbyll.
“Ne kemi qenë me fat që i kemi bërë në kohë. Ka plot shqiptarë që duan t’i bëjnë letrat dhe nuk munden më”.