Një mërgimtar gjendet i vdekur në Gjilan, u raportua i zhdukur në muajin janar
Një person është gjetur i vdekur në bodrumin e një ashensori në Gjilan.
Burimet e gazetës online Reporteri.net, kanë thënë se viktima është M.H., 66-vjeçar, i cili ishte raportuar i zhdukur më 10 janar të këtij viti.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit Ismet Hashani konfirmoi se trupi i pajetë është gjetur në bodrumin e një ashensori, derisa prokurori me urgjencë ka dale në vendin e ngjarjes.
“Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth orës 22:37, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan -Kamenicë është vërejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Hashani.
Prokurori i shtetit është informuar dhe ka urdhëruar dërgimin e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet janë në rrjedhë për të zbuluar shkakun dhe rrethanat e vdekjes së tij.