Një mijë e 500 nxënës bojkotojnë mësimin, ankohen për objektin e shkollës në Prishtinë
Rreth 1500 nxënës të shkollës së mesme “Ahmet Gashi” në Prishtinë po e bojkotojnë mësimin, objekti po rivlerësohet.
Do duhej që këta nxënës të ishin duke mbajtur orën e parë mësimore.
Por është dita e dytë që nuk po ulen nëpër banka.
Rreth 1500 nxënës të shkollës së mesme “Ahmet Gashi” në Prishtinë, duke bojkotuar mësimin po shprehin revoltën ndaj mospërfilljes së kërkesave të tyre për rivlerësimin e gjendjes së objektit.
Klasët e dhjeta vijojnë mësimin në shkollën fillore “Emin Duraku”, ndërsa të njëmbëdhjetat e dymbëdhjetat në objektin e gjimnazit “Sami Frashëri”.
Kjo thonë se u shkakton telashe e as në kabinete nuk po mund të kenë qasje.
Kjo ndarje në dy shkolla u ka pamundësuar edhe komunikimin me nxënësit e gjeneratave të tjera.
Ajet Brajshori që të hënën ka marrë detyrën e drejtorit në këtë shkollë u jep të drejtë nxënësve që kërkojnë hapësirë.
Nderkaq Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës thonë se momentalisht nxënësit janë të sistemuar dhe nuk kanë asnjë pengesë për vijimin e rregullt të mësimit.
Ata kanë bërë të ditur se ndërtesa e shkollës “Ahmet Gashi” është duke u rivlerësuar dhe varësisht nga raporti i cili dorëzohet nga komisioni, do të vendoset nëse objekti do të: rinovohet, rrënohet apo rindërtohet objekti për shkollë të re”.