Një minutë heshtje në Bejrut për të përkujtuar viktimat e shpërthimit
Banorët e kryeqytetit të Libanit, Bejrut, pritet të mbajnë një minutë heshtje për më shumë se 200 persona që besohet të jenë vrarë si pasojë e një shpërthimi një javë më parë.
Kjo ceremoni përkujtimore do të mbahet në orën 18:09 me orën lokale, njëherësh kohën e njëjtë kur një javë më parë, 2 750 tonë të nitratit të amonit, të ruajtur në mënyrë të pasigurt, janë ndezur duke shkaktuar shpërthim të madh.
Shpërthimi është thënë të ketë lënë 300 000 persona të pastrehë.
Të hënën, qeveria e këtij shteti ka dhënë dorëheqje, ndërkohë që është rritur zemërimi ndaj elitës udhëheqëse, e cila nga shumë persona akuzohet për korrupsion dhe neglizhencë.
Njoftimi i kryeministrit, Hasan Diab ka dështuar që të qetësojë protestuesit, të cilët janë përleshur me policinë në qendër të Bejrutit për të tretën natë me radhë.
Këto janë protestat më të mëdha prej muajit tetor të vitit të kaluar, kur një krizë e pashembullt politike pati nxitur njerëzit të kërkojnë ndërrim të tërësishëm të sistemit politik.
Para shpërthimit të 4 gushtit, pothuajse gjysma e popullsisë në Liban është raportuar se kanë qenë duke jetuar në prag të varfërisë, derisa një e treta prej tyre kanë humbur vendet e punës.
Teksa ka bërë të ditur lajmin për dorëheqje, Diab ka thënë se Libani do të drejtohet tani nga administrata e tij në detyrë për të “ndjekur dëshirën e njerëzve që kërkojnë të mbajnë përgjegjës ata që kanë përgjegjësi për këtë katastrofë”.