NJË MONUMENT PËR DERVISH SHAQEN
Prof. Ymer GASHI
(Bajram Halil Gashi: Ah… Shqipni… mos thuj mbarova, kushtuar Dervish Shaqës, Demush Nezirit dhe grupit kosovar, Durrës, 2018)
Libri i Bajram Halil Gashit që po përurojmë sot është një tekst që shtrihet në mes të monografisë dhe kujtimeve, në mes të dëshmisë dhe evokimeve personale, me të dhëna orale dhe arkivore, të ngritura mbi përvojën e jetës e të librave, të historisë e faktografisë, të gojëdhënave e rrëfimeve të besueshme.
U mor vesh, libri në fjalë ka një temë bosht, dy doajenët e folklorit shqiptar, në të dyja anët e kufirit të Shqipërisë shtetërore. Që nga titulli dhe nëntitulli jepen të dhëna se kemi të bëjmë me një libër që do ta trajtojë me ngulm: historinë, jetën e Dervish Shaqes dhe Demush Nezirit dhe jo vetëm të tyre.
Duke qenë se folklori është kultivuar në odë, është edhe një pikëvështrim për traditën popullore, por edhe me një kulturë sjellje e komunikimi, që ngadalë veprën e bën të rrëshqasë në një tekst tipik me elemente etnografike e antropologjike.
Duke qenë se ata ishin, siç thuhej zëri i Kosovës, i trevës së Dukagjinit “Ah Shqipni mos thuej marova” vjen si moto, si simbiozë e bashkimit kombëtar, por edhe si përshkrim i travajeve të kohës, andej e këndej kufiri, ashtu siç thoshte vetë kanga e Dervish Shaqës “Kurt ta ktheva Kosovë shpinën, e lashë borë e gjeta dimen”.
Siç dëshmon edhe libri i Bajram Gashit, ishte dimër i vërtetë politik e historik për shqiptarët e Kosovës, të cilët më mirë se ku pasqyrohet në veprimtarinë e këtyre dy zëdhënësve më të mirë të historisë e të kulturës shqiptare.
Pse themi kështu?
Është thënë, Rrafshi i Dukagjinit është një ndër trevat shqiptare që i dha shumë folklorit burimor. Dervish Shaqa e Demush Neziri nga Lluka e Epërme, nga vendi historik i Verrave të Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes Shqiptare, ashtu siç thuhet në historiografinë shqiptare dhe në dëshmitë e kohës, në natën e 8 marsit 1956, në dasmën e Demë Isufit, Dervish Shaqa la një këngë për gjysmë, për ta vazhduar ‘matanë bjeshkës’, sepse UDB-a iu kishte vënë pas. Të njëjtën natë, bashkë me Demush Nezirin, Adem Ramën dhe me nipin, Isa Hoxhën, kalojnë kufirin. Vetëm ata që i kanë kaluar ato bjeshkë, sidomos edhe në luftën e fundit, e dinë mirëfilli çfarë është, siç thotë kënga kreshnike: “Çka asht zori e munimi”, pa lënë anësh ndarjen nga familja, rrethi e farefisi, nga bashkëvendësit që nuk bënin dasmë pa zërin e artikuluar në telat e sharkisë.
Trajtimi i zakoneve të odës, sa nga të dhënat historike, kur e kur, nga kallëzimet e personaliteteve historike, po edhe të familjeve të mëdha, prej derës së shtëpive të pleqnarëve, ka dashur mund e durim. Mbi të gjitha, një pasion dhe atdhetarizëm. Bajram Gashi ndjek një model pune, jashtë metodave të thata e skolastike; ofron material burimor, okular, pastaj atyre ua vesh referencat të besueshme e të verifikueshme.
Gjithashtu, motiv shtytës, dihet, del edhe vetë jeta e autorit të këtij libri, duke qenë vetë i përndjekur nga Kosova, ndaj më mirë se kush e kuptoi braktisjen e dhunshme të atdheut, prandaj ilustrimet me rrëfime, herë autobiografike, herë historike, herë popullore, e bëjnë një libër mozaik, një libër monument e dokument, një libër monumental e shumëdimensional.
Prandaj, qysh tani pa dilemë themi se çfarëdo që thuhet për këtë libër, që lexuesi e ka shfletuar dhe ai që do ta shfletojë, nga fillimi në fund, nga mesi në fillim, apo nga fundi në fillim, mund të jetë e tepërt: sepse ky libër mund të lexohet në çdo kohë dhe nga cilado faqe e tij, me një frymë, fakt ky që nxjerr në pah argumentin thelbësor: jetën e veprën e Dervish Shaqës e Demush Nezirit me shokë, historinë e traditën, kulturën e subkulturën, vendin e kuvendin, sfidat e mëdha për mbijetesë.
Edhe pse duke qenë herë me nota autobiografike, autori në tërë këtë libër voluminoz përpiqet dhe arrin që vë në plan të parë njeriun që ecën vertikalisht.
Kjo shihet në secilin kapitull, si te mevetësia e cunguar e Kosovës, po ashtu edhe te shpërnguljet nga trojet etnike. Nuk janë vetëm ecejaket e gjysmës së dytë të shekullit njëzet por, kur e kur, edhe terratisjet masive që lanë plagë të madhe te njeriu, te familja, te shoqëria, te kombi ynë.
E kush më mirë se Bajram Gashi, ky kërkues i fisëm, i përkushtuar e i përvuajtuar pas historisë, ky admirues i madh i Dervish Shaqes me shokë, ka prekur këtë plagë, duke na afruar të gjallë portretin e tij, jetën e tij, idealin dhe kulturën e lindur dhe të kultivuar në odat ku i ndihej zëri, siç thotë populli, në “t’shtatë copë Lluktë”.
Ky libër jete, sa është histori krenare, së fundi duhet pranuar edhe anën njerëzore, të prekshme, të ndjeshme, dilemat dhe paradokset e kohës si te kapitulli “Aksioni i armëve 1955-’56” dhe pasojat tragjike për shqiptarët e Kosovës.
Për këtë periudhë është shkruar, është folur, është dëshmuar shumë, por pas leximit të këtyre rrëfimeve historike, ne shohim më mirë më sytë e mendjes e të shpirtit, me sytë e gjallë, si në një kalediskop që rri në vij të kufirit, të njëjtën histori, të thënë më ndryshe, të shkruar më ndryshe dhe, natyrisht, të lexuar më ndryshe.
Këtu e tani kuptojmë më mirë se në dosjet sekrete të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë për pasojat e djemve të Kosovës, që atëbotë shkuan në tokën e premtuar, Shqipërinë amë. Bajram Gashi, ky përvuajtës i regjur në jetë dhe në letra, në edukim brezash, na ofron portrete e ngjarje fort interesante, përmes një argumentimi bindës e plot trishtim.
Në këtë mënyrë, Bajram Gashit më mirë se kujt i rri epiteti Mësues i Popullit jo vetëm se ka ushtruar këtë zeje të shenjtë për vite me radhë, atje ku tallazet e detit vinin me këngën dukagjinçe, por për informacionin e gjerë që ka një intelektual si ky.
Sërish, shtrojmë pyetjen: Pse themi kështu?
Ai njeh kulturën e subkulturën dukagjinase, familje e burra të urtë e n’zâ, tribunë popullore, dallime e përbashkime në mes tyre, shenjë kjo e njeriut të burrëruar nën frymën e truallit të të parëve të tij.
Natyrisht, pjesa më e mirë, që vjen si një tragjedi antike në disa akte, e ku njëri akt është kulmi, janë pjesët ku në detaje shkruan të zezën mbi të bardhën fletë, pikërisht kur flet për Dervish Shaqën dhe Demush Nezirin, se si kthehen ata në kujtesën e bashkëkohësve, se si kujtohen nga familjarët, bijtë e Dervishit, miqtë dhe atdhedashësit e tij.
Gashi, me durim e përpikëri, madje duke e ruajtur frazën e ligjërimin dukagjinas, na sjellë rrëfimet e tyre të plota, të trishta, të papara dhe të palexuara më parë.
Dhe, pasi i lexojmë vetvetiu themi:
Si nuk u thanë deri më sot të gjitha këto?
Mbi të gjitha, sa shumë kemi menduar se e kemi njohur dhimbjen, mallin fëmijëve pa baba, e gruas së ve me burrë gjallë, e nënës fisnike e besnike, tamam si Penelopa që pret Odiseun e saj.
Dhe jo vetëm kaq, secili rrëfim, dëshmi e tyre, mund të lexohet e të ruhet si një dokument, si një testament se ç’rrugë u ndoq, se kush u poq për këtë liri.
Sado që vlerësimet kritike janë gjykim, vlerësim objektiv, është e pamundur të mos thuhet e të shkruhet edhe mbresat personale për njeriun që u rrit duke kënduar dhe vdiq me këngë në gojë, bashkë me Demush Nezirin, mikun dhe sivëllain e tij të pandarë kudo, në arratisje, në skena festivalesh, në këngët që na frymëzuan, na kalitën për beteja të reja.
Prandaj, libri i Bajram Gashit, në kullën e madhe të historisë, është një frëngji prej nga bëhen bashkë vuajtka dhe liria, kënga dhe pushka, me jehun e përjetshëm atëherë e sot:
Ah shqipni mos thuej marova
Se djemtë e tu hala janë gjallë.
E fryma e gjallë nuk ka se si të mbahet më mirë se kështu, duke kujtuar e dëshmuar në fjalë e vepra, si kjo e Bajram Halil Gashit!