Një motoçikletë elektrike kushton 100 mijë dollarë
Kompania “ARC” me qendër në Britani bëri të njohur në Milano modelin e parë të një motorçiklete që është përshkruar si e shpejtë, e avancuar dhe e kushtueshme. E quajtur Vector, motoçikleta kushton më shumë se 100 mijë dollarë, ndërsa kompania arsyeton çmimin e lartë.
Prodhuesit e motoçikletës së kushtueshme elektrike kanë thënë se është teknologjikisht më e avancuara në treg. Themeluesi i kompanisë “ARC”, Mark Truman ka shpjeguar arsyen. “Është më e sigurta, më miqësorja me mjedisin, më e qëndrueshmja. Ka ritmin e një super-motoçiklete.”, ka deklaruar ai.
E ndërtuar me dorë në qytetin Koventry të Anglisë (Conventry) ku gjendet selia e kompanisë, motoçikleta me pamje futuriste ka një strukturë të lehtë të ndërtuar me përbërës karboni.
Kompania ARC është mbështetur financiarisht nga gjigandi Jaguar Land Rover.
“Kemi pasur investime të mira nga kompani si Jaguar Land Rover që do të na shërbej për një plan disa vjeçar për të çuar përpara ‘ARC’ gjatë viteve në vazhdim”, është shprehur themeluesi i kompanisë Mark Truman.
Teknologjia e fundit me sensorë dhe kontrollues është e montuar në xhaketën inteligjente të drejtuesit të motoçikletës e cila e informon atë për kushte të rrezikshme dhe të dhëna të tjera./tch/