Një muaj nga arratisja e Enver Sekiraqës, babai i Triumfit: Po fshihet në Serbi ose Rusi
Një muaj nga arratisja e Enver Sekiraqës i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinë për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, shteti ende nuk ka arritur t’i bie në gjurmë se ku po fshihet Sekiraqa i mirënjohur nga bota e krimit në Kosovë.
Albanian Post ka pyetur për këtë çështje zyrtarisht policinë, por që nga ky institucion i sigurisë nuk kanë kthyer përgjigje, në anën tjetër Shefqet Riza, babai i Trumfit ka thënë se Sekiraqa “po fshihet në Serbi ose Rusi”, meqë sipas tij, në Beograd kishte qëndruar edhe më herët.
“Në Serbi e ka pasur edhe me herët vendin kur e kanë vra Triumfin, atëherë ka qenë atje edhe tash ose është në Serbi ose në Rusi, nuk ka ku të fshihet në tjetër shtet”, tha Riza për Albanian Post.
Ai është shprehur i bindur se për largimin e Sekiraqës nga Kosova kanë qenë në dijeni në Gjykatën e Apelit dhe polici, në të kundërtën sipas tij, arratisja do ishte e pamundur.
“Sekiraqa është liruar në bashkëpunim me gjykatën, përndryshe nuk kishte pasur mundësi me u largu nga Kosova një kriminel ordiner që e ka terrorizuar popullin dhe tani është në liri”, shtoi Riza.
Por, Kosovare Kelmendi, avokate e Sekiraqës, ka thënë për AP se nuk ka njohuri se ku ndodhet klienti i saj dhe se as nuk ka pasur kontakt me të që nga arratisja.
”Unë nuk kam kontakt fare me të dhe nuk kam pas asnjë kontakt nga dita e përfundimit të gjykimit në shkallë të parë. Unë jam mbrojtëse e tij në proces gjyqësor, jashtë procesit gjithçka është çështje e tij personale”, shpjegoi ajo.
Për juristin Ardian Bajraktarin, në rastin Sekiraça drejtësia “ka dështuar” në administrimin e këtij rasti, për faktin se edhe pas kaq vitesh, nuk ka ende një vendim final gjyqësor për rastin në fjalë.
“Gjykata po ashtu i ka mundësuar të njëjtit largimin, përkatësisht arratisjen, ngase nga data 3 maj i këtij viti, kur është shpallur aktgjykimi e deri me datë 17 maj kur ka vendosur Gjykata e Apelit në raport me masën e sigurisë, personi në fjalë ka qenë i lirë pa asnjë masë kufizuese”, tha Bajraktari.
Ndërkaq juristi tjetër, Arbër Jashari, thotë se shembulli i arratisjes se Enver Sekiraqës tregon se institucionet ligjzbatuese duhet të jenë “më vigjilente” në trajtimin e rasteve penale, sidomos kur kemi të bëjmë më persona të profilit, çfarë është Sekiraqa.
Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTEROL, do të ishte një hap jashtëzakonisht i madh në luftën kundër krimit, meqë do të mundësonte një shkëmbim më të mirë të informacionit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit ndërshtetërorë.
“Po ashtu të qenurit pjesë e kësaj organizate, do të minimizonte mundësitë e të pandehurve, si në rastin konkret, për shmangie nga drejtësia. Por edhe kështu si jemi, ka hapësirë ligjore, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në fushën penale, sidomos me shtetet mike”, u shpreh ai.
Ndryshe, më 23 maj, Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Sekiraqën, duke kërkuar bashkëpunim me qytetarët për arrestimin e tij.
Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.
Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Sëiss Casino” në dhjetor 2006.
Në incidentin në “Swiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.