Një muaj paraburgim ndaj serbit për krim të organizuar, keqpërdori masën e dorëzanisë
Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj një personi për shkak të veprës penale “krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve”.
Përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë është bërë me dije se ky vendim është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, për kthimin në paraburgim të këtij të fundit, përfshirë edhe heqjen e masës së dorëzanisë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në çështjen penale për të pandehurin M.M., për heqjen e masës së dorëzanisë dhe caktimin e masës se paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘krim i organizuar’ lidhur me veprën penale ‘prodhimi, përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotikë’”, është thënë në njoftim.
Më tutje, është thënë se personit në fjalë i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, teksa i është hequr masa dorëzanisë.
“Të pandehurit M.M i hiqet masa e dorëzanisë dhe caktohet se vlera e mjeteve monetare në shumë prej 30,000.00 (tridhjetëmijë) euro, e deponuar më datë 27.03.2023 në emër të dorëzanisë, të derdhet në Programin për kompensimin e viktimave të krimit”, është thënë në njoftim.
Po ashtu është thënë se i njëjti duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe të strukturuar kriminal, me dashje ka vepruar në grup kriminal të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
“Me rastin e kontrollit të zbatuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me urdhëresë të gjykatës, tek i pandehuri janë gjetur një sasi e substancave narkotike, bimë të mbjella narkotike, pajisje për përgatitjen e tyre për ti plasuar në treg, e të cilat janë sekuestruar nga policia me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve, me këtë ekziston dyshimi mirë i bazuar se ka kryer veprën penale krim i organizuar lidhur me veprën penale prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”, është thënë në njoftim.
Gjithashtu, gjykata ka njoftuar se paraburgimit i është caktuar pasi dyshohet se kishte rrezik që ai të ikte nga Kosova, përmes shtetit serb.
“Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme, sepse rreziku i ikjes i referohet faktit se i pandehuri ka qenë nën masën e dorëzanisë, i cili e ka dorëzuar edhe dokumentin e udhëtimit pasaportën sipas vendimit të gjykatës, por i njëjti është ndaluar në pikën kufitare më datë 27.09.2024 rreth orës 23:00 duke hyrë në Kosovë nga territori i Serbisë, pa dokument të udhëtimit – pasaportë, pasi të njëjtit i është ndaluar në gjykatë sipas vendimit të Gjykatës, e që me këtë nëse i njëjti lihet në liri paraqet rrezik real për ikjen e tij, sidomos në territorin e shtetit të Serbisë, pasi i njëjti ka nënshtetësi serbe, andaj edhe rreziku i ikjes, zvarritja e procedurës penale e potencialisht edhe përsëritja e veprave penale ekziston, ngase i njëjti ka vepruar në grup kriminal të organizuar, atëherë gjykata vlerësoj se kërkesa e prokurorisë është mjaftueshëm e bazuar”, është thënë në njoftim.
Kundër vendimit të Gjykatës palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.