Një muaj paraburgim ndaj të akuzuarit për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.SH., i dyshuar se ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale ‘Krim i luftës kundër popullatës civile në bashkëkryerje’.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.SH. dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, respektivisht përpos dyshimit të bazuar në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, si kusht për caktimin e paraburgimit, i njëjti lehtë mund të arratiset dhe t’i shmanget ndjekjes penale, pasi kemi të bëjmë me një vepër penale të rëndë e komplekse dhe rreziku real i shmangies nga ndjekja penale e të pandehurit J.SH është më se evidente”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.
Është bërë e ditur se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.