Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit N.A për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.
Gjykata pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.A është e bazuar.
Kjo gjykatë ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
I pandehuri N.A është shtetas edhe i Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit në Republikën e Serbisë dhe ekziston rreziku real se i njëjti mundë apo do t`i shmanget ndjekjes penale.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.