Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Në një komunikatë për media të kësaj gjykate, thuhet se pas “seancës dëgjimore, pas marrjes se aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës për rivendosje ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve për shkak të veprës penale vrasje e rëndë, dhe njërit për shkak të veprës penale zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, në muajin nëntor arrestoi katër persona në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve janë të dyshuar se kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Ivanoniq. Një person i katërt, po ashtu i dyshuar në lidhje me këtë rast, mbetet ende në kërkim.
Ndërkaq më 6 dhjetor, Gjykata e Apelit e Kosovës ua ka zgjatur masën e paraburgimit të pandehurve, N.S dhe M.R, të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Ivanoviq si dhe të pandehurit D.M për veprën “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Tre të dyshuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq të hënën kanë dalë edhe një herë para gjykatës ku “është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, nga data 23.11.2018 deri më datë 23.12.2018”, thuhet në komunikatë.