Një muaj paraburgim pasi e keqtrajtoi dhe e rrahu vajzën e tij në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurit H. R., ashkali, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, lëndim i lehtë truporë, lidhur me veprën penale të dhunë në familje dhe mbajtjes pa autorizim të armës.
“Më 23 prill 2020 rreth orës 19:00 minuta, në shtëpinë e tij në Gjakovë, me dashje shkakton dhunë në familje duke keqtrajtuar fizikisht vajzën e tij në atë mënyrë që, i pandehuri përderisa gjendej në ndikim të alkoolit fillon të bërtasë dhe ta fyejë me fjalë të ndyta, e urdhëron të dëmtuarën që të dal nga shtëpia. Më pas, merr armën e tij të tipit pistoletë, futet në dhomë dhe me pjesën e poshtme të armës e godet në fytyrë – hundë vajzën e tij, duke i shkaktuar lëndime”, thuhet në raport.
Me këto veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” lidhur me veprën penale “Dhuna në familje” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 23 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 24 maj 2020”, thuhet në raport.