Një muaj paraburgim për dy shoferët të cilët goditën për vdekje tre të rinj
Një muaj paraburgim ua ka caktuar Gjykata Themelore në Prizren dy të arrestuarve për aksidentin e së shtunës në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku mbetën të vdekur tre të rinj të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e një gare automobilistike.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se ata organizuan “garë të kundërligjshme automobilistike”, duke u marrë vesh paraprakisht.
“I pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Po ashtu, në vendim theksohet se iu shkaktuan lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarët eventual”. Andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore”.
Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme.