Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit e sulmit në veri

26 shtator 2023 | 14:00

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar një muaj paraburgim për dy të dyshuarit e tjerë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Të dyshuarit, të identifikuar me iniciale B.S dhe D.M akuzohen për veprat penale: Kryerja e veprave terroriste, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës dhe për kryerjen e veprave terroriste.

Një ditë më herët, autoritetet kanë shqiptuar të njëjtën masë të sigurisë ndaj V.T. Seanca dëgjimore për të është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ai po merr trajtimin.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia ka bërë me dije se tre sulmues të dyshuar janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku ishte strehuar ky grup i armatosur.

Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Burg për sulmuesit serbë në veri të Kosovës, e motra…