Një muaj paraburgim për gruan nga Podujeva, dyshohet se vrau foshnjën
Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për gruan nga Podujeva e cila dyshohet se e ka vrarë foshnjën gjatë lindjes.
Gjykata Themelore Prishtinë përmes një njoftimi për medie ka bërë me dije se ka vlerësuar që fakti se nëse e pandehura gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët në këtë procedurë penale.
“Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurës GJ.L, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures GJ.L dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, ka njoftuar Gjykata Themelore Prishtinë.