Një muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e UÇK-së të arrestuar në Serbi
Prokuroria në Beograd më 9 janar ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji për Hasan Dakajn, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili po akuzohet për krime lufte.
Dakaj u arrestua më 5 janar në pikëkalimin kufitar në Merdarë, që lidh Kosovën dhe Serbinë. Së bashku me vëllain e tij, Xhavitin, ai ishte nisur drejt Italisë. Xhaviti ishte ndaluar po ashtu, por më pas ishte liruar.
Përfaqësuesi ligjor i familjes Dakaj, Xhevdet Smakiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se para autoriteteve të drejtësisë në Serbi, Hasan Dakaj, ka deklaruar se nuk është personi që Prokuroria po kërkon.
“Ne e konsiderojmë se është ndalim politik, është një gabim faktik. Prokuroria nuk e ka identifikuar se kë po e kërkon dhe nuk munden as dëshmitarët, të cilët Prokuroria pretendon se do ta identifikojnë një person prej kur ka qenë 19 vjeç, e tani është rreth 50 vjeç”, tha Smakiqi.
Dakajt i është caktuar një avokat serb, dhe Smakiqi tha se ai do të apelojë masën e paraburgimit.
Dakaj po akuzohet sipas nenit 142 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë – që ishte në fuqi më 1999 – për krime lufte, privim nga liria e disa personave joshqiptarë, rrahje, torturë dhe vrasje, tha Smakiqi, duke shtuar se autoritetet serbe pretendojnë se këto krime janë kryer në rrethinën e Prizrenit.
“Sipas deklarimeve të Hasan Dakajt, ai e ka mohuar në mënyrë kategorike barrën që i ngarkohet dhe nuk e kanë identifikuar. Ai nuk ka vepruar fare në ato lokacione dhe ndihet tërësisht i pafajshëm”, tha avokati Smakiqi.
Dakaj gjendet në qendrën e paraburgimit në Beograd dhe Smakiqi tha se është në kontakt me avokatin që i është caktuar nga shteti serb, por edhe me udhëheqësin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
Ai kërkoi nga ambasadat e huaja në Beograd, por edhe nga Bashkimi Evropian, që t’i bëjnë presion Serbisë që të lirohet ish-pjesëtari i UÇK-së.
Pas arrestimit të Dakajt, kishte reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, duke kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.
Edhe në të kaluarën, qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe. Një nga ta, Nezir Mehmetaj ishte arrestuar në janar të vitit 2020 në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimet se ka kryer krime lufte më 1999 në Rudicë të Klinës. Që nga arrestimi, ai gjendet në paraburgim në Beograd./REL