Një muaj paraburgim për personin që sulmoi policët me kamion në Leposaviq
Një muaj paraburgim është caktuar për personin që ka sulmuar policët me kamion në Leposaviq. Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari A,D, të shtunën në fshatin Llazhinë të Komunës së Leposaviqit, ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë, duke mos përfillur urdhërata e policisë për të ndaluar kamionin në një pikë kontrolli.
I dyshuari gjatë ikjes me kamion në të cilin kishte kryesisht pije të kontrabanduara nga Serbia, ka goditur dy herë automjetin e policisë, ku si pasojë e goditjeve zyrtarët policorë kanë marrë lëndime trupore.
Policët pasi kanë arritur ta ndalin kamionin në fjalë, i dyshuari ka provuar të ikë këmbë drejt malit, mirëpo pa sukses sepse është arrestuar nga policia.
Avokati i të dyshuarit, Nebojsha Vllajiq, ka bërë me dije për “Kosovapress” se deklaratat e politikanëve rreth këtij procesi nuk i kontribuojnë drejtësisë.
“Dhënia e deklaratave nga ana e politikanëve në Kosovë rreth këtij gjykimi se kush duhet të qëndrojë në paraburgim dhe kush jo, si dhe paragjykimi që në fillim, assesi nuk i kontribuon këtij procesi dhe bënë presion si në prokurori, ashtu edhe në gjykatë se si duhet të sillen në këtë proces’, ka thënë Vllajiqi.