Një muaj paraburgim për pronarin e kompanisë ku u trasferuan mbi 2 milionë euro

27 tetor 2020 | 16:02

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim për Kadri Shalën, i cili dyshohet se është përfshirë në skandalin e 2 milionëshit të Thesarit, pasi në llogari të kompanisë së tij “LDA Group” janë transferuar këto mjete.

Gjykata ka njoftuar se i dyshuari akuzohet për veprën penale shpëlarja e parave, raporton “Epoka e re”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K.SH për shkak të veprës penale Shpëlarja e parave nga neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale e Pastrimit të parave nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin  e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit K.SH. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një)  muaji duke filluar prej datës 26 tetor 2020 gjerë me datë 25 nëntor 2020”, është thënë në njoftimin e gjykatës.

Sipas njoftimit, Shalës i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë. “I pandehuri K.SH. dyshohet se së bashku me të pandehurin L.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit nga neni 414. Par.2 dhe 3 pika 3.4 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-ës, Shpërlarja e parave nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me veprën penale  e Pastrimit të parave nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, ndërlidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës”, ka bërë me dije gjykata, duke shtuar se palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me mbështetje të Fondacionit…