Një muaj paraburgim për të dyshuarin e pestë në rastin e 11-vjeçares
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sh.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SHh.K e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, është thënë në njoftim.
Sh.K është i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjti do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.