Një muaj paraburgim për të dyshuarit në rastin e Istogut
Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve Y.M dhe U.M të përfshirë në plaçkitjen e Istogut.
“Me datë 27.12.2018, rreth orës 15:30, pas marrëveshjes paraprake mes tyre për grabitjen e bankës ‘NLB’ – Dega në Istog dhe tani të ndjerit K. M, kanë ndihmuar personin në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajnë, në atë mënyrë që, i pandehuri U me veturën e tani të ndjerit K, e tipit ‘Golf 4’, ngjyrë e kaltër e sjellë nga fshati Shushicë e Ulët, Komuna Istog dhe pasi që zbresin nga vetura afër stadiumit të qytetit, i ndjeri K i pajisur me pushkë automatike ‘AK-47’ dhe granatë dore, drejtohet për në bankën në fjalë, i pandehuri Y hynë në një lokal përballë për ta vëzhguar situatën dhe pas ballafaqimit me polici të tani të ndjerit K, që të dy të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes për në fshatin Shushicë”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Sipas kësaj gjykate, me këto veprime Y.M dhe U.M si bashkëkryes kishin për të kryer veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare.
/Epoka e re/