Një muaj paraburgim për Xhabir Zharkun
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në këtë qytet për caktimin e masës së paraburgimit për Xhabir Zharkun për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit”.
“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare. Andaj gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda-Mustaf Tahiri kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.