Një muaj paraburgim shoferit të kamionit që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit M.A.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me 7 mars 2019, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatë.
“Dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.