Një muaj paraburgim të dyshuarit për përdhunim në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj një të dyshuari për dhunim seksual.
Ai dyshohet që të dielën e ka përdhunuar një grua nën kërcënimin me thikë.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit S.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Gjakovës.
“Sipas kërkesës, “me datën 12 nëntor 2023 rreth orës 17:30, në Gjakovë, e detyron personin tjetër të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj, këtu të dëmtuarën ……. ……., në atë mënyrë që nën kërcënimin e thikës të cilën i pandehuri e mban në dorë, e zhvesh të dëmtuarën dhe e detyron që të kryejë akt seksual pa dëshirën e saj dhe më pas e dëmtuara e paraqet rastin në polici”.
Gjyqtari Drilon Haraçia ka vlerësuar që janë përmbushur kushtet ligjore për masën e paraburgimit për të pandehurin.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale”.