Një muaj paraburgim të dyshuarit që iu gjetën në banesë 2.4 kilogramë drogë
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin F.S., nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK, “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike“ nga neni 268 paragrafi 1 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se deri me datë 27 korrik 2019, i dyshuari në banesën e tij në Vushtrri, pa autorizim është furnizuar me substancë narkotike në sasi prej 2 kilogramë e 400 gramë të llojit marihuanë të ndara në nëntë qese në sasi të ndryshme, si dhe një qese në të cilat ishin farat e bimës së kanabisit me peshë prej 34.3 gramëve, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur një palë pranga të ngjashme me të policisë, tetë copë fishekë, si dhe një sprej.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur me datën 28 korrik ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit F.S., masën e paraburgimit prej një muaji.
/Epoka e re/