Një ndër themeluesit e UÇK-së në ‘listën e veteranëve të rrejshëm’
Nga Sherif Shala
Një ndër themeluesit e parë të UÇK-së në fshatin Kleçkë figuron në të ashtuquajturën “lista e veteranëve të rrejshëm”.
Me të vërtetë është për t’u shqetësuar për ne si gjenerata të ardhshme se si do të shkruhet historia e vërtetë e vendit tonë, sidomos për ata që dhanë gjithçka, si dhe për ata që shfrytëzuan çdo gjë për përfitimet e tyre personale.
Shprehi mllefin tim dhe të familjes time se në të ashtuquajturën “lista e veteranëve të rrejshëm” çuditërisht qenka i përfshirë edhe emri i babit tim, Nexhmi Shala.
Kjo shpifje e paskrupullt e atyre që e kanë përpiluar këtë listë edhe me emra të luftëtarëve më të devotshëm të UÇK-së, aspak nuk i bënë nderë as veteranëve të vërtetë jo se jo, por as historisë sonë më të lavdishme kombëtare, luftës tonë Çlirimtare.
Babai im ka qenë njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së në fshatin Kleçkë, ku së bashku me heronjtë e kombit Sadik Shala dhe Ramiz Shala, ka qenë njëri ndër luftëtarët më besnik të heronjve, si komandant Kumanovës, Nuhi Mazrekut, Habib Zogajt, Gani Kastrati, Afrim Buqaj… e shumë e shumë dëshmorëve dhe bashkëluftëtareve tjerë. Babai për luftën dhe trimërinë e tij ishte i dëshmuar në shumë beteja të lavdishme të UÇK-së, si në Grykën e Llapushnikut, Duhël, Qafë të Duhlës, në Grykë të Carralevës, pastaj në Dugë, Javor, Shtime dhe Grejçevc.
Për herë të parë bashkimi i LKQK-së me UÇK-në u bë në odën e Nexhmi Shalës, ku më pastaj shumë bashkëluftëtarë të kësaj ane iu bashkuan UÇK-së nën komandën e legjendarit, Ismet Jashari – Kumanova me trimat syshqiponjë, Nexhmi Shala e Sadik Shala dhe shumë trimave të tjerë të lirisë.
Pas rënies heroike të komandant Kumanovës, babai im Nexhmi Shala është caktuar komandant për rrethinën e Grykës së Carralevës, Dugës, Luzhnicës, Javorit, si dhe nga Shtimja deri në Kleçkë që e mbulonte këtë hapësirë gjeografike.
Sot, nuk e di se si mund të ndihen të gjithë ata ushtarë të Zonës ku ka vepruar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Radio Kosova e Lirë, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës si dhe shumë institucione të tjera ushtarake e civile, të cilët kanë kaluar edhe nën sigurinë e krijuar edhe nga kontributi ushtarak i Nexhmi Shalës, ndërsa sot, pas dy dekadave të luftës dhe sakrificës së tij dhe familjes tonë, emri i babait e kryefamiljarit tonë Nexhmi Shala, nëpërkëmbet pa fije turpi me emra të atyre që meritojnë gjykimin dhe dënimin së bashku me manipuluesit dhe perfiterët e tyre.
Kjo njollosje e emrit të babait tim, na shqetëson jashtë mase edhe si familje edhe si farefis, ndërsa mbetemi me shpresë se së paku do të presim kërkim falje publike nga Prokuroria e Shtetit.
Gjithmonë krenar me të kaluarën tënde babi im, heroi im NEXHMI SHALA!
(Autori i këtij shkrimi është djali i Nexhmi Shalës)