Një në tre punëtorë të OKB-së, shënjestër e ngacmimeve seksuale
Një e treta e punëtorëve në Kombet e Bashkuara është raportuar të jetë përballur me ngacmime seksuale në dy vjetët të fundit, bazuar në disa të gjetura të publikuara pas kryerjes së sondazhit të parë për sjellje të keqe në këtë Organizatë, transmeton “AFP”.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka thënë stafit në një letër se në studim gjenden disa “statistika serioze dhe të dhëna që duhet të ndryshohen” në mënyrë që të përmirësohet ambienti i punës në OKB.
Një në tre respodentë, apo 33 për qind është raportuar të jenë përballur të paktën një herë me ngacmime seksuale, mirëpo kjo shifër është rritur në 38.7 për qind kur në pyetje kanë qenë ata që janë përballur me ngacmime të tilla gjatë kohës sa kanë qenë në ambientet e organizatës.
Mënyra më e shpeshtë e ngacmimeve seksuale ka qenë përmes tregimit të rrëfimeve apo të shakave që janë cilësuar ofenduese.
Punëtorët e OKB-së, po ashtu kanë thënë të kenë qenë të shënjestruar ndaj tentimeve për t’i futur në diskutime të tilla, si dhe target i gjesteve dhe prekjeve ofenduese, është thënë në sondazhin e kryer nga Deloitte në muajin nëntor.
Dy nga tre ngacmuesit kanë qenë burra dhe një në katër prej tyre kanë pasur pozita të larta.
Guterresi edhe më parë është zotuar për të praktikuar politikën e zero-tolerancës ndaj këtyre ngacmimeve.
Muajin e kaluar, shefi i Agjencisë së OKB-së për sëmundjen HIV, Michel Sidibe, ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur pasi në një rishikim të udhëheqësisë së tij është vërejtur se ka krijuar një ambient ku kanë qenë të pranishme ngacmimet, duke përfshirë edhe ato seksuale.