Një ngjarje me Albinin

24 mars 2025 | 14:03

Sali Bytyçi

Sot, 24 mars, është dita e fillimit të bombardimeve ndaj të ashtuquajturës Jugosllavi të mbetur, më 1999, por sot qenka edhe ditëlindja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, i cili i paska mbushur 50 vjet. Dhe unë po e shfrytëzoj këtë rast për të treguar një ngjarje me Albinin, me të cilin më ka rënë rasti të jem në një dhomë në Burgun e Nishit, para Vitit të Ri 1999, e derisa e kanë kthyer prapë në Pozharevc për të vazhduar vuajtjen e dënimit aty.

Ata që kanë qenë në dhomën 17, të katit të dytë të pavijonit, besoj që e mbajnë mend mirë shtratin tim, aty pas derës, në katin e dytë, në të cilin unë qëndroja të shumtën e kohës, lexoja ndonjë libër apo shkruaja diç, ndërsa të burgosurit tjerë lëviznin, bënin ndonjë shaka mes vete apo, në ndonjë rast, edhe ziheshin. Kuptohet, me fjalë, me ndonjë kërcënim, po jo deri aty sa të arrinte çështja te përleshja fizike.

Gjatë asaj kohe janë krijuar edhe shprehjet frazeologjike, si, “Paska hypë Salihi në kakorr!”, “Kakorri i Salihit”. “Shuni, se po flet Salihi prej kakorrit!”.

Kur erdhi Albini në dhomën tonë, unë veç isha stabilizuar në “kakorrin” tim.

Në dhomë, në shtretër dysh, njëri mbi tjetrin, ishim 28 të burgosur. Albini u vendos, ndoshta në një rresht më poshtë meje, në krahun e majtë.

Këtu duhet të them se, brenda një kohe të shkurtër, jo pak të burgosur, të anëve të ndryshme dhe edhe të krahëve të ndryshëm politikë, në vend që të vazhdonin shoqërimin e tyre me ata që kishin qenë deri në këtë kohë, filluan të shoqërohen me Albinin. Përballë Albinit, tani ata njerëz nuk e kishin areolën që e kishin pasur deri në këtë kohë. Mos harroni se, pikërisht këtu qëndron urrejtja e këtyre “personaliteteve” ndaj Albinit, te zhvlerësimi i tyre! Kryesisht këta që iu bashkuan Albinit ishin brezi i tij, po kishte edhe më të rinj dhe më të vjetër. Dhe sa më poshtë po binin autoritetet e gjertanishme, po rritej autoriteti i Albinit në këtë kohë.

Të gjitha këto unë i kam përcjell nga distanca.

Disa thonë se Albini ka lexuar shumë sa ka qenë në burg! Për burgjet tjera nuk e di, sepse unë nuk kam qenë me të, por sa ka qenë në Nish, në dhomën 17, nuk besoj që ka arritur të lexojë një libër. Përse nuk e ka lexuar asnjë libër? Sepse, ndoshta qëndrimin në Burgun e Nishit e ka konsideruar të përkohshëm, po edhe më shumë, sepse të burgosurit që përherë i qëndronin afër, të cilët vazhdimisht komunikonin me të, nuk i jepnin mundësi për të lexuar.

Po cila është ngjarja që desha të tregoja? Unë premtova të rrëfeja vetëm një dhe, ja, është ko që do ta tregoj më poshtë.

Këta të rinj dhe Albini, gjatë gjithë ditës, por edhe kur dilnim në oborr, vazhdimisht bisedonin. Po për çfarë bisedonin? Biseda të rinjsh, shaka të ndryshme, pas të cilave edhe krisnin të qeshurat. Dhe për biseda dhe shaka e të qeshura, kush ka nevojë më shumë se të burgosurit? Askush. Sepse me këto, të burgosurit harronin se janë të burgosur. Kjo që bënin ishte shumë pozitive, por këtyre të rinjve dhe Albinit, dikur filloi të mos u dalë dita, po bisedat i vazhdonin edhe pasi fikeshin dritat, kohë kur në burg, më nuk ka bisedime, po ka qetësi dhe gjumë.

Pasi dhomat (shtatë), nuk ishin të mbyllura, pasi fikej drita, mendoj në ora 21, përveç shokëve që i kishte në dhomën tonë, vinin edhe prej dhomave të tjera, te shtrati i Albinit, dhe fillonin bisedat. Ndërsa unë në këtë kohë, shkoja në banjë, pastroja dhëmbët dhe fytyrën, laja këmbët dhe kthehesha në “kakorrin” tim. Hyja në qebe, i mbyllja sytë dhe përpiqesha të flija. Në krahun e majtë, ata që ishin mbledhur rreth Albinit, flisnin me zë të ulët dhe mua zërat e tyre më vinin në gjumë sikur ninullat, por në momentin që do të më merrte gjumi, thoshte Albini ndonjë shaka dhe kërcitnin të qeshurat. Menjëherë sytë më bëheshin katër. Po të ngrihesha e t’u thosha të mos qeshen me zë, frikësohesha se do të më prishej gjumi fare. Ndërkohë, të qeshurat ndaleshin. Bisedat, me zë të ulët, vazhdonin edhe më tutje, ndërsa mua prapë ata zëra më dukeshin se po më përkundnin dhe, edhe një herë, fillonte të më zinte gjumi. Po, prapë Albini tregonte ndonjë qyfyre dhe krisnin të qeshurat. Prapë më prishej gjumi.

Përveç arsyes së përmendur, që nuk u thosha të mos ma prishin gjumin, në kohën kur flisnin, sepse po t’u flisja atëherë vërtet do të më prishej gjumi fare, kisha edhe një arsye tjetër: kisha simpati për këta të rinj që, përkundër moshës së tyre, e kalonin kohën në shoqërim dhe në mirëkuptim të plotë mes vete. Shoqërimi i tyre ishte i sinqertë, jo egoist dhe pa elemente nacizismi, shenja që vëreheshin te brezat më të vjetra, sidomos të disa të moshës sime, të cilët nuk janë liruar kurrë prej këtyre veseve.

Por një natë, vërtet e tepruan.

Atë natë nuk e harroj kurrë. Zilja ra, unë shkova në banjë, kreva nevojat biologjike, pasi më ka ngelur një zakon që, pasi të bij në gjumë, më gjatë natës nuk ngrihem fare deri në mëngjes. Pastaj lava edhe dhëmbët dhe fytyrën, lava edhe këmbët dhe, drejt e në “kakorrin” tim. Hyra nën qebe, mbylla sytë, dhe përpiqesha të fle. Në ndërkohë, në dhomë, ashtu pa bërë zhurmë, me hapa të lehtë, hynin të burgosurit, shokët e Albinit. Në kohën që filluan ata çuçuritjet e tyre, mua filloi të më zinte gjumi, por, në momentin kur qenia ime ishte gati për të dalë në gjendjen tjetër, pra nga gjendja zgjuar në gjendjen e gjumit, apo të gjysmëvdekjes, Albini përfundon së treguari një shaka dhe kërcet e qeshura që ma nxjerr gjumin. Sytë më bëhen katër, po unë prapë nuk flas. E qeshura ndalet deri në qetësi. Biseda tani fillon nga fillimi: “çër”, “çër”, “çër” dhe mua prapë fillon të më zër gjumi. Po prapë përsëritet e njëjta gjë: e qeshura dhe sytë katër. Përfundon edhe kjo e qeshur dhe unë prapë përpiqem të fle. Për herë të tretë përsëritet e njëjta gjë dhe, unë nervozohem, por nuk flas. E lë për nesër.

Të nesërmen, me t’u zgjuar, me siguri i zbehur nga pagjumësia, i jam afruar Albinit:

– Albin!

– Fol bac!

– Flisni gjithë ditën, mos ndaloni fare, por kur të rreh zilja, të fiken dritat, bini në gjumë se po ma prishni gjumin! A kuptove?

– Po bac!

Dhe, i ekzaltuar, unë ngre kokën lart dhe i drejtohem Zotit:

– O Zot, fali se nuk po dinë çfarë po bëjnë!

–  Me të Biblës, bac, a?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Dr. Fejzulla BERISHA 1. Kosova në kërkim të sovranitetit…