Një notim fantastik nëpër ujërat e lirikës së Eminit
Adem Gashi
(Emin Emini, “Një Moirë dhe një tregim dhe tri sonete”, “Armagedoni”, Prishtinë, 2021)
Tashmë me asgjë nuk na befason ardhja e Moirës në lirikën më të re të Eminit. Befasia bën çerdhe gjetiu. Është struktura e librit ajo që ngrihet mbi një sistem. Libri nis me një monolog që s’është veçse një uverturë në një vorbull dramatike. Autori e shfaq “përpjekjen titanike për t’ia thyer kokën…” krijesës gjëmëmadhe, shemrës së mitit, vajzës a gruas. Ne, pa e pyetur ende, ai përgjigjet “Qe pse!”. E, megjithatë, psenë nuk e gjej askund sepse tashmë në skenë ngjitet KORI dhe bën Çeljen e parë, Çeljen e dytë dhe Çeljen e tretë… dhe Moira kokë e këmbë bën hije mbi tokë (në Variantin e gegnishtes) sipas tre Kre-neve, sipas tri kaptinave, sipas tre kapitujve. Rezultati: Ai (autori), Ajo (Moira) dhe Troja (Rrënoja përmbaruese). Vetiu na sillet në kokë dilema: Vërtet, pati a nuk pati Trojë? E ç’rëndësi ka ai fakt, kur njerëzimit, atë ditë e sot, i vërtitet marramendja me ciklonet e uraganet e ndjenjave e të pasioneve; të ndërgjegjes së vrarë e të pabesisë; të heroizmave të kobshme e të flijimeve të kota; të dashurive tragjike e të urrejtjeve tragjikomike.
Jemi këtu tani. Po autori ç’bën? Si për të na kursyer nga dallditë tronditëse, merr ca perla nga arti klasik dhe me elegancë stis SONETIN E PAKRYER. Mos harroni, na presin edhe dy të tilla më vonë!
Pjesa e dytë e librit, si një motërzim a vëllamëri me të parën, nga dekodimi i mitologjisë antike i kthehet, me po atë rebelim prej krijuesi, dekodimit të mitologjisë biblike: PSALM PREJ ANTIKRISHTI, sikur na i thotë Shën Gjonit: Pusho një çikë, se “në fillim nuk ishte fjala”!
Këtu e tutje vijnë shtjellat lirike si valët e Akeronit me hone e zgafelle zjarri e tymi, me zogj zjarresh e pemë të liga a të helmëta. Ore, seç ka këtu jo zjarre heraklitiane, po zjarre zaratustriane! Ç’është ky djalë që na ligjëron me gjuhët e flakta e të tymta, ç’është ky prush që nuk na fal së paku shkëndija në qiejt e netëve të pambarimta!?
U kujtua djali se e teproi me pafajësinë tonë dhe na e dhuroi SONETIN E PËRKORMË, duke i hapur shtegun pjesës së tretë të librit: POEZI ME E PA PIKËPYETJE. Ndoshta u lodh edhe vetë, ndaj hapi siparin e Antikomedisë së kaltër. Ajo ngulmon edhe më tej, ai, Emini pra, ngulmon të na sjellë SHKRONJA NË DET, gëmusha të jaseminta, erëra e përqafime, dashuri deti për pleqtë e “ledhatime” mashtruese. E dini pse? Fatalisti Emin e di se Gjithçka vdes dhe ngushëllimi i tij na vjen si “të bëj sa për të thënë ose sa për t’u shfajësuar”, sikur, jo për gjë, po këtu paska një KANTATË TË MUNGUAR. Loja e tij mashtruese vazhdon edhe më tej: bën be e rrëfe se i paska humbur një sonet (SONET I HUMBUR)! Me këtë përgjërim sa s’na bëri ta mëshirojmë e ta falim për ferrin gacues që na e dha.
Jo, djalë, madje Djalë plëngprishës, s’të falim se s’ta patëm borxh këtë sonatë të gjëmshme.
Pastaj, mos harro se poetët prej soji, si ti, me vetëdëshirë kanë zgjedhur mallkimin e rëndë, jo prej zotave të qiejve, po prej lexuesve që bëhen të njënjëshëm me Moirën kundër teje.
____________
E diel, 22 gusht 2021
Drenicë