Një Odë që nuk u përkul kurrë

30 mars 2025 | 21:03

Astrit Gashi 

Sot u gjenda në odën e gjyshit tim, Qamil Mehmet Gashit në Fortesë të Drenicës e hapur që nga viti 1930. Një vend i shenjtë për familjen tonë, ku nuk ka shkelur kurrë këmba e pushtuesit. Për herë të parë, pashë fotografinë e tij një fytyrë që e kam njohur vetëm përmes tregimeve. Ai ndërroi jetë në vitin 1967, por ata që e mbajnë mend, e kujtojnë si një burrë fisnik, të urtë dhe bujar, të cilit i kishte hije vendi ku rrinte. Por nuk mund të ishtë ndryshe sepse ishte nipi i një nder komandatve me të njohur të Kosovës Mehmet Gradicës!

Baba Qamil, siç e thërrisnin me respekt, la pas gjashtë djem dhe tri vajza, të cilët sot prehen në përjetësi. Unë jam nipi ii tij me i vogeli i djalit të tij Azemit, një njeri që i dha Kosovës dy djem dëshmorë. Jam rritur me rrëfime për sakrificat e familjes sime dhe ndoshta për këtë arsye, nuk mund të qëndroja indiferent ndaj fatit të atdheut. Ishte e pashmangshme që edhe unë të ndjek rrugën e trungut tim!

Kjo shtëpi, e ndërtuar me mund dhe djersë, u dogj tri herë nga pushtuesit. Hera e fundit ishte më 30 prill 1999, kur nga pjesa veriore e saj dolën komandanti Ilaz Kodra, Antigona Fazliu dhe vëllai im, Abedini. Vetëm pak kilometra më tej, ata fituan përjetësinë. E sot, mes mureve që kanë parë aq shumë histori, që kanë dëgjuar betimet e burrave dhe vajtimet e nënave, por dhe tingujt e lirisë ndiej peshën e kujtesës. Kjo shtepi kurr nuk i ka marr asgjë atdheut por me hirin e saj u shtrua rruga e lirisë.

Në këtë ditë sakrifice dhe flijimi, ndërsa shoh këtë fotografi, ndiej një forcë të pashpjegueshme brenda vetes. Ndoshta është zëri i gjakut që më thërret, ndoshta është amaneti që brezat para meje kanë lënë pas. E di vetëm një gjë: Patriot nuk bëhesh, por lind i tillë. Dhe unë, sot më shumë se kurrë, e ndijeva këtë të vërtetë në shpirtin tim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Milloshevë të kryer…