Një orë pas “Demokracia vdes në errësirë”, Ministria e Tregtisë lëshon sqarimin e radhës rreth Klan Kosovës
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dalur me një sqarim shtesë në rastin e Klan Kosovës, vetëm një orë pas fushatës së mediave, ku për pesë minuta u shfaq në ekran motoja: “Demokracia vdes në errësirë”.
Sipas MINT, Klan Kosova mund ta zhvilloj aktivitetin, deri në një vendim të Komisionit të Pavarur të Mediave, meqenëse i takon këtij organi të vendos, në afat prej 30 ditësh për këtë çështje.
Kurse sa i përket ARBK-së, nga MINT, thuhet se ata e pezulluan certifikatën e Klan Kosovës, për shkak se gjetën në dokumentacion, se qyteteve Pejë e Gjakovë, u referohej sikurse të ishin qytete brenda Serbisë.
Tutje nga MINT, shprehen se është obligim i të gjitha organeve publike, ta ndihmojnë median, për një shoqëri më demokratike.
Njoftimi i plotë:
Qartësime shtesë për publikun në lidhje me rastin e pezullimit të përkohshëm të certifikatës Klan Kosova Sh.P.K.
Më 13 qershor, ne pranuam dëshmi për një çështje regjistrimi që përfshinte biznesin Klan Kosova SH.P.K, për të cilën, të nesërmen ndërmorëm një analizë rreth historikut të regjistrimit– konkretisht dokumentet e saj të regjistrimit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Çështja ka të bëjë me regjistrimin e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar Klan Kosova. Bazuar në ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin e biznesit si person juridik, përveç dokumenteve të tjera, gjatë procesit të regjistrimit nga pala kërkohet që të sigurojë dëshminë e regjistrimit në vendin ku është regjistruar fillimisht.
Në rastin konkret të ndërrimit të pronarëve të biznesit Klan Kosova Sh.P.K, dëshmia e regjistrimit nga shteti i Maqedonisë së Veriut, në përmbajtjen e saj dëshmon se qytetet e Kosovës, si në këtë rast Gjakova dhe Peja, paraqiten si qytete të një shteti tjetër, përkatësisht të Serbisë (Gjakovë, Serbi dhe Pejë, Serbi). Përveçse, në realitet shoqëria aksionare me përgjegjësi të kufizuar Klan Kosova, është i pasaktë në regjistrim, ky akt përforcon narrativën e rreme se Kosova është ende nën okupimin serb. Prandaj, bie ndesh me parimet tona kushtetuese.
Më 14 qershor, për shkak të shkeljes ligjore, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve ka pezulluar përkohësisht certifikatën e biznesit për Klan Kosova Sh.P.K. Ky vendim nuk është përfundimtar i njëanshëm, pasi procedurat ligjore i mundësojnë Klan Kosova Sh.P.K. që brenda tridhjetë ditësh ta kundërshtojë pezullimin para Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si i tillë, vendimi aktual nuk ka pasoja ligjore, domethënë se Klan Kosova Sh.P.K mund të kryejë aktivitetet e saj derisa Komisioni të marrë vendim për këtë rast dhe të na udhëzojë se si të procedohet më tutje.
Në mbrojtjen e saj, media private Klan Kosova, e cila është një nga aktivitetet e Klan Kosova Sh.P.K, ka deklaruar se ky është një sulm ndaj lirisë së mediave. Kjo është larg nga e vërteta. Organet që rregullojnë regjistrimin e biznesit dhe aktivitetet e medias janë dy organe shumë të ndara. Regjistrimi i bizneseve bëhet nga Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, organ përgjegjës, si në rastin e certifikatës së biznesit për Klan Kosova Sh.P.K, ndërsa organi përgjegjës për licencimin dhe ushtrimin e aktiviteteve të medias është Komisioni i Pavarur për Media dhe jo Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve.
Në fakt, ne vlerësojmë se përpjekja që një çështje biznesi, të përshkruhet si sulm ndaj lirisë së shtypit, është e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme.
Të gjitha institucionet publike janë të udhëzuara që jo vetëm të respektojnë, por të ndihmojnë dhe të përforcojnë mbështetjen për median e lirë dhe të pavarur. Kjo mbështetje është evidentuar nga organizatat ndërkombëtare si Reporterët pa Kufij.
Organizatat e pavarura, të lira, objektive dhe profesionale të medias janë aleatët tanë, në përpjekjet për të zhvilluar një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe për ta ruajtur atë.