Një organizatë joqeveritare ndihmonte imigracionin e paligjshëm në Greqi
Policia greke njoftoi sot se ka shkatërruar një rrjet kriminal, i cili ndihmonte imigracionin e paligjshëm, përfshirë 30 anëtarë të një OJQ-je që ushtronte aktivitetin e saj në ishullin Lesbos, porta kryesore hyrëse e emigrantëve në Greqi.
”Tre personat e dyshuar, dy shtetas të huaj dhe një grek u arrestuan”, bëri të ditur policia në një komunikatë për shtyp, transmeton atsh.
Numri i personave të përfshirë në total deri më tani ka arritur në 30, gjashtë shtetas grek dhe 24 shtetas të huaj.
Sipas një burimi të policisë, ata punonin për një OJQ greke ERCI (Emergency response centre international) , e cila drejtonte katër programe për të ofruar mbështetje për refugjatët në Greqi, kryesisht në aspektin e kërkimit dhe shpëtimit në det. OJQ-ja nuk ka dhënë asnjë prononcim për ngjarjen deri në këto momente.
Sipas policisë së Mitilinit, kryeqendra e ishullit Lesbos në pjesën lindore të Egjeut, rrjeti kriminal ushtronte veprimtarinë që nga viti 2015 për të lehtësuar hyrjen e shtetasve të huaj në territorin grek për përfitime financiare. Hetimi ka nisur që pas arrestimit në muajin shkurt të dy anëtarëve të OJQ-së, të akuzuar për ”spiunazh dhe shkelje të sekreteve të shtetit”, për përdorimin e paligjshëm të frekuencave të shpëtimit në det. Ata u arrestuan në Lesbos ndërsa po drejtonin një furgon me targa të rreme ushtarake.